Nju Jork/ Ditmir Bushati, kërkon mbështetjen e Katarit për Kosovën, të pranohet në UNESCO

377
Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati kërkon mbështetjen e Katarit për Kosovën për tu pranuar në UNESCO. Në Nju Jork ku ndodhet për të marrë pjesë në Punimet e Sesionit të 70-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Gjatë ditës së parë, Ministri Bushati zhvilloi disa takime dypalëshe me homologët e Katarit, Azerbajxhanit, Irakut dhe Malajzisë. Ne takimin me Ministrin e Punëve te Jashtme të Katarit, Dr. Khaled Bin Mohammed Al Attiyah, e falënderoi homologun e Katarit për mbështetjen e deritanishme dhënë ndaj Kosovës dhe inkurajoi që të vijohet kjo mbështetje dhe me kërkesën e Kosovës për t’u pranuar në UNESCO. Ministrat Bushati dhe Al Attiyah u shprehën se ecuria e suksesshme e marrëdhënieve politike duhet të avancohet me realizimin e projekteve konkrete të bashkëpunimit ekonomik. Të dy homologët ndanë pikëpamje për thellimin e bashkëpunimit në organizmat ndërkombëtare dhe u ndalën në zhvillimet më të fundit ndërkombëtare e rajonale duke shprehur nevojën për bashkërendim të kontributeve në përballimin e sfidave që kërcënojnë stabilitetin dhe paqen.

Në takimin me homologun e Republikës së Azerbajxhanit, Elmar Mammadyarov, Ministri Bushati vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe shprehu vullnetin e qeverisë shqiptare për intensifikimin e dialogut politik përmes realizimit të vizitave të nivelit të lartë. Palët u ndalën në zgjerimin e bashkëpunimit në fushën ekonomike, veçanërisht në sektorin e energjetikës dhe perspektivës që është hapur me realizimin e projektit TAP. Ministri Bushati theksoi se ky projekt ofron një shpërndarje më të ekuilibruar të energjisë dhe burimeve të saj në rajon dhe më gjerë. Gjithashtu, ai falënderoi qeverinë azere për mbështetjen e dhënë për TAP-in, si projekti me fizibël dhe me interes për vendin tonë dhe mbarë rajonin e Ballkanit. Gjatë takimit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Irakut, z. Ibrahim Al-Jaafari, Ministri Bushati i shprehu homologut të tij irakian mbështetjen e qeverisë shqiptare për përpjekjet e qeverisë së Kryeministrit Abadi për pajtim kombëtar dhe për reformat e ndërmarra ne vend.

 Ai i shprehu z. Jaafari mbështetjen e Shqipërisë për përpjekjet e Komunitetit Ndërkombëtar e të Irakut për vendosjen e stabilitetit dhe ligjit në tërë territorin e vendit dhe i rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të unitetit, sovranitetit dhe integritetit territorial të Irakut. Z. Jaafari vlerësoi kontributin e Shqipërisë si pjesëtare aktive e Koalicionit Ndërkombëtar kundër Terrorizmit dhe në këtë kuadër evidentoi nevojën e një bashkëpunimi e koordinimi sa më të mirë të përpjekjeve ndërkombëtare në luftën kundër terrorizmit. Ne përmbyllje te ditës së parë, Ministri Bushati zhvilloi një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Malajzisë, z. Dato’ Sri Anifah Aman. Bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe shprehën vullnetin e tyre për t’i zhvilluar më tej këto marrëdhënie në aspektin politik, me shkëmbimin e vizitave të nivelit të lartë, dhe në aspektin ekonomik në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë. Ministri Bushati u ndal në fushat ku vendi ynë ofron mundësi për investime duke theksuar angazhimin e qeverisë shqiptarë në krijimin e lehtësirave të nevojshme për investitorët e huaj.
Sigal