Njihen vitet e punës para janarit 1994, ja kush përfiton

642
Sigal

Të gjithë qytetarët që kanë aplikuar për pension, por që nuk iu njiheshin vitet e punës për shkak të mungesës së dokumentacionit, do të mund të përfitojnë nga vendimi i Qeverisë së miratuar së fundmi. Bëhet fjalë për njohjen e kontributeve të qytetarëve, para 1 janarit të vitit 1994. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, teksa bëri publik vendimin e miratuar nga Këshilli i Ministrave, tha se qytetarët nuk kanë pse të enden më dyerve të gjykatave për faj të administratës. “Vendimi ka për qëllim që të zgjidhë disa probleme thelbësore të dokumentimit dhe vlefshmërisë së periudhave të sigurimit dhe vjetërsisë në punë të personave që kanë punuar në ish ndërmarrjet apo ish kooperativat bujqësore, përpara datës 01.01.1994, për të cilat sot ka disa vendime gjykatash e mijëra e mijëra procese të zvarritura për të regjistruar e çregjistruar të drejtën e qytetarëve shqiptarë. Ky ligj përpiqet t’u japë fund këtyre parregullsive kaq të mëdha. Sipas ligjit të Sigurimeve Shoqërore, të gjitha periudhat e punës së para 1 janarit 1994 njihen për efekt të llogaritjes së pensionit kundrejt dokumentacionit, libreza pune, regjistra etj., kur këto dokumente janë të rregullta, të padëmtuara, të plotësuara sipas kritereve të ligjit.Por gjatë periudhës së tranzicionit, shumë prej këtyre dokumentacioneve janë dëmtuar, shpesh me qëllim, shpesh për paaftësi, disa nga trajtimi jo i rregullt i dokumentacionit, janë djegur, janë bërë të pavlefshme.Në këto kushte sigurimet shoqërore nuk mund t’i njihnin këto periudha, duke i orientuar ato drejt gjykatës, e cila ishte e vetmja mënyrë për njohjen e këtij dokumentacioni”, sqaroi Klosi

Çfarë parashikon vendimi


1. Të njihen vjetërsi pune për efekt pensioni periudhat e punës të kryera nga personat e punësuar në ish-ndërmarrjet shtetërore dhe vitet e punës të ish-anëtarëve të kooperativave bujqësore, sipas dokumentimit në regjistrat e vjetërsisë në punë, në rastet kur të gjitha fletët e regjistrit ose vite pune të veçanta në të gjitha fletët e regjistrit janë të dokumentuara me laps.
2. Në rastet kur vjetërsia e punës ose elemente të veçanta të fletës individuale të regjistrit janë të plotësuara me laps dhe nga strukturat e sigurimeve shoqërore nuk gjendet mundësia për të provuar saktësinë e tyre në mënyrë indirekte me dokumente të tjera administrative, saktësia e të dhënave të regjistrit ose vërtetimi i fakteve bëhet me vendim të gjykatës.
3. Në rastet kur rubrika të veçanta të fletëve individuale të regjistrave të vjetërsisë në punë janë të paplota, evidentojnë fillimin por jo mbarimin e periudhës së punës, nuk janë të shkruara dukshëm ose kanë gërma të rishkruara, janë të dëmtuara fizikisht ose të padallueshme për shkak të periudhës së gjatë nga data e krijimit të fondit arkivor, mungojnë elemente të veçanta të identifikimit të personit ose janë të shkruara me shkurtime dhe, për rrjedhojë, me të dhënat e fletës së regjistrit nuk mund të provohet e gjithë periudha e sigurimit ose pjesë të saj, të kërkuara dhe dokumentuar nga personi i interesuar, strukturat përgjegjëse të Institutit të Sigurimeve Shoqërore marrin në konsideratë të dhëna të tjera dokumentare, të prodhuara nga organe shtetërore, të cilat indirekt i shërbejnë vërtetimit dhe plotësimit të periudhave të sigurimit.
4. Në zbatim të pikës 3, të këtij vendimi, për dokumentimin e vjetërsisë në punë, për efekt pensioni, përveç të dhënave të dokumentuara në librezën e punës, në regjistrat e vjetërsisë në punë, në listëpagesat apo borderotë dhe vërtetimet e lëshuara nga ndërmarrjet dhe institucionet me objekt vërtetimin e vjetërsisë në punë, si dokumente alternative plotësuese do të shërbejnë edhe të dhënat e regjistrave themeltarë të punonjësve, indekset e regjistrave të vjetërsisë në punë, librat kontabël me të dhënat individuale të pagave mujore, vendime të organeve shtetërore qendrore, lokale dhe të ndërmarrjeve e institucioneve, për emërimet, transferimet, kualifikimet, ngritjen në pagë apo kalimin nga një detyrë në tjetrën, si dhe dokumente të tjera shtetërore, që mund të gjenden në dosjet personale të punonjësve dhe që i shërbejnë këtij qëllimi. Saktësimi i periudhave të sigurimit nëpërmjet dokumenteve dhe të dhënave të tjera arkivore bëhet me vendime të komisioneve të posaçme. Rregullat e funksionimit dhe procedurat administrative të punës së komisioneve përcaktohen me vendim të Këshillit Administrativ të ISSH-së, i ngritur në zbatim të neneve 72, 73, dhe 74, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
5. Në rastet kur dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit, të evidentuara në pikën 4, të këtij vendimi, janë të djegura ose janë bërë të papërdorshme për shkak të kushteve të papërshtatshme të ruajtjes, vërtetimi i vjetërsisë në punë dhe periudhave të sigurimit bëhet vetëm në gjykatë. Për të gjitha rastet kur strukturat e sigurimeve shoqërore nuk kanë argumente apo prova dokumentare të veçanta që të vërtetojnë të kundërtën e përcaktimeve në vendimet e gjykatave të shkallës së parë, vendimet e tyre nuk apelohen dhe vjetërsia në punë, e dokumentuar në këto vendime, është e vlefshme për caktimin e pensioneve.
6. Instituti i Sigurimeve Shoqërore merr të gjitha masat, që, brenda 6 muajve nga data e këtij vendimi, të skanojë dhe të evidentojë në një bazë të dhënash të veçantë të gjitha periudhat e sigurimit të evidentuara me laps, si dhe certifikimin me komision të përmbajtjes së tyre.