Njiazi Jaho: Prokurori i Përgjithshëm veproi me nismën e vet, apo me kërkesën e të tjerëve

502
Njiazi Jaho, konstitucionisti i njohur, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se Prokurori i Përgjithshëm ka kopetencë që të verifikojë kandidatët për kryebashkiakë, por mendon se ky veprim është i vonuar. Zoti Jaho, shton gjithashtu, se ka mungesë ligjore që të pengojë kandidimin e personave me rekorde kriminale, për pushtetin vendor, por edhe për deputetë, ndëkohë, që paradoksi është se Kodi Zgjedhor, ka kufizime të tilla ligjore për anëtarët e KZAZ, KQZ për numëruesit e votave. Zoti Jaho evidenton se as OSBE/ODIHR në këto 15 vjetët e fundit, nuk rekomandon në asnjë rast që të bëhen kufizime ligjore për kandidatët e dënuar. Konstitucionalisti Niazi Jaho, thekson se është i papërcaktuar ligjërisht termi “rekorde kriminale” që përdor tashmë politika. 
-Zoti Jaho ditët e fundit Prokurori i Përgjithshëm u ka dërguar një qarkore të gjitha prokurorive për të hetuar nëse kandidatët e propozuar për kryetar bashkie, si edhe për anëtarë të këshillave bashkiakë kanë rekorde kriminale. A përfshihet në kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm ky urdhër?
– Këtë informacion e kam lexuar në median e shkruar në datat 14 dhe 15 maj. Por, meqë nuk jam njohur me përmbajtjen e plotë të kësaj qarkoreje, nuk mund të shprehem. Nuk besoj që në këtë qarkore të jetë përdorur shprehja “për të hetuar”, sepse prokurori me hetimin nënkupton procedimin penal të parashikuar në normat e Kodit të Procedurës Penale. Nëse brendia e kësaj qarkoreje është në përputhje me nenin 148 të Kushtetutës dhe të ligjit nr. 8737 datë 12.2.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë, të ndryshuar, duhet kosideruar se është e ligjshme. 
– A është në kompetencën e Prokurorit të Përgjithshëm të lëshojë qarkore të tilla?
– Po t’i referohemi nenit 8, pika 3 gërma “gj” të ligjit “Për prokurorinë” Prokurori i Përgjithshëm ka të drejtë të nxjerrë akte normative (rregullore, urdhëra dhe udhëzime) për ushtrimin e detyrave të përcaktuara nga ky ligj, ose nga ligje të veçanta. Ato janë të detyrueshme për prokuroritë dhe kur është rasti edhe për prokurorinë gjyqësore. 
– Ju a mund të shprehni mendim për urdhërhetimin e Prokurorit të Përgjithshëm ndaj kandidatëve në 21 qershor?
– Në aspektin ligjor, ende nuk jam i qartë ç’duhet kuptuar, ose nënkupton me termin “rekorde kriminale”? I proceduar penalisht? I hetuar? I arrestuar? Çështje e pushuar, apo dërguar në gjyq? I dënuar apo i padënuar?, etj. Veprimtaria e prokurorit dhe e gjykatës në këtë drejtim mbështetet në Kodin e Procedurës Penale, dhe, sipas rastit, edhe në Kodin Penal. Të konceptuarit e këtij problemi nga politika mund të jetë i ndryshëm, por të gjithë janë të detyruar të zbatojnë ligjin ën fuqi.
– Ndoshta Prokurorit të Përgjithshëm i kanë kërkuar individë, institucione shtetërore, parti politike informacion, për kandidatë të veçantë, nëse ka qenë dikur i proceduar dhe si ka përfunduar çështja e tij?
– Këtë nuk e di dhe nuk më lejohet të flas me supozime. Natyrisht, që edhe prokurori në mbështetje të ligjit për të drejtën e informimit, të ruajtjes së të dhënave personale dhe të Kodit të Procedurës Penale jep informacione, prononcohet për çështje që kanë interes publik, ruan, kur është rasti, sekretin hetimor, respekton të drejtat e shtetasve.
– Ky verifikin, ose të dhënat që kërkon Prokurori i Përgjithshëm, për kandidatët e 21 qershorit, a duken se janë disi të vonuara?
– Ato janë të nevojshme, por në aspektin ligjor dhe konkretisht, po t’i referohemi Kodit Zgjedhor (fazave të ndryshme të këtij procesi) krijohet përshtypja se janë të vonuara. Prandalimi në kohë i së keqes është gjithmonë më i mirë nga ajo që ndodh. Dokumentacioni i kandidatëve për kryetar bashkie ose listave shumemërore për kandidatët si anëtarë të Këshillit Bashkiak janë të verifikuar dhe miratuar. Ato nuk mund të ndryshojnë. Natyrisht, askush nuk e pengon prokurorin të fillojë çështjen penale edhe ndaj këtij, apo atij kandidati, kur ka dyshime të arësyeshme, se ai ka kryer vepër penale. 
– Derisa në Kodin Zgjedhor, për kandidatët për në pushtetin vendor, por edhe për deputetë, nuk ka kusht parandalues, nëse ka qënë i dënuar. A ju duket normale kjo mangësi?
– Së pari, kjo mangësi në Kodin Zgjedhor, nuk e justifikon subjektin përkatës zgjedhor, që kandidatë të propozojë persona të dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës, të përlyer dhe të korrupruar, pa reputacion dhe pa integritet. Ka një paradoks, që vështirë të shpjegohet. Në nenet 31, 38 dhe 95 të Kodit Zgjedhor, parashikohet si kusht që përkatësisht anëtari i KZAZ, KQV si edhe grupi i numërimit të votave, nuk duhet të jetë i dënuar për krim me vendim të formës së prerë të gjykatës, madje, ndaj tyre, të mos jetë marrë masa disiplinore në zgjedhjet e mëparshme (ka një udhëzim të KQZ që edhe vëzhguesi i zgjedhjeve të mos jetë i dënuar). Përse një kusht i tillë (dënimi me vendim të formës së prerë) nuk e gjejmë në Kodin Zgjedhor për kandidatët që propozohen për deputetë, kryetarë bashkish dhe anëtarë të këshillave bashkiakë? Nuk e gjejmë në Kodin Zgjedhor, që është në fuqi për 15 vjet.Të bën përshtypje fakti që Kodi Zgjedhor në këto 15 vjet është ndryshuar disa herë. Duke ju hedhur një sy raporteve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri prej vitit 2001 e deri në 2013, që janë zgjedhjet e fundit parlametare, nuk ka ndonjë rekomandim ku të tërhiqet vëmendja për ndalimin me ligj të kandidatëve, të dënuar. 
– A duhet miratuar një ligj, që të parandalojë e ndalojë zgjedhjen e personave me precedent penalë?
– Mendoj se është i nevojshëm miratimi i një ligji, që të ndalojë kandidimin e personave të dënuar, por kjo kërkon vullnet politik, konsensus, shmangie të interesave të ngushta partiake, diskutim dhe debat konstruktiv dhe gjithëpërfshirës, zbatim të parimeve.
Sigal