Njiazi Jaho: Me ligj mund të kufizohet edhe e drejta për t’u zgjedhur për kandidatët e inkriminuar

61
Njiazi Jaho, konstitucionalisti i njohur në intervistën për gazetën “Telegraf” sqaron disa nga pikat e dyshimta të procesit zgjedhor, sikurse debate që është hapur me rregjistrimin e kandidatit në bashkinë e Kurbinit, por edhe boshhllëqet që ka Kodi Zgjedhor, për rastet, nëse vdes para datës së zgjedhjeve një kandidat për kryebashkiak, apo mundësia sa është të zëvendësohet një kandidat i rregjistruar në KQZ, pas verifikimit të pastërtisë së tij penale. Zoti Jaho, pohon se Kodi Zgjedhor nuk ka dispozita që të pengojë kandidatë që janë dënuar, të korruptuar, të implikuar në veprimtari kriminale, dhe nismat për dekriminalizimin duhet të shprehen në ligj, sepse vullneti politik nuk mjafton. Sipas zotit Jaho, as KQZ nuk mund të marrë vendime që nuk janë të sanksionuara në Kodin Zgjedhor, pavarësisht nëse ekziston vullneti dhe prevalon interesi i përgjithshëm, sepse KQZ nuk është organ ligjbërës, por ligjzbatues. Zoti Jaho shprehet, se sipas Kodit Zgjedhor, nëse një kandidat rregjistrohet në KQZ, atëhere, ai nuk mund të zëvendësohet dhe as Kolegji Zgjedhor, as KQZ nuk mund të shprehen në kundërshti me Kodin Zgjedhor. 
-Zoti Jaho, si i vlerësoni nismat që në organet përfaqësuese (parlament dhe bashki) të mos zgjidhen persona të përlyer, të korruptuar, të dënuar, etj?
– Me këto nisma do të ishin dakort të gjithë zgjedhësit, i gjithë populli. Por, realizimi i tyre bëhet duke miratuar ligjet përkatëse. Kjo do të thotë, që vullneti politik të shprehet dhe të mbështetet ne ligj.
– A kanë të drejtën partitë politike parlamentare të miratojnë ligje për të kufizuar të drejtën për t’u zgjedhur?
-Mendoj se po. Këtë të drejtë ua jep neni 17 i Kushtetutës, natyrisht në kushtet dhe rrethanat që parashikohen në këtë nen.
– Si duhet të veprohet nëse një ligj i tillë, deri më sot nuk është miratuar?
– Partitë politike që duan të marrin pjesë në zgjedhje, dmth që rregjistrohen në KQZ si subjekte zgjedhore, kanë të drejtën, detyrimin dhe përgjegjësinë që si kandidatë në organet përfaqësuese të mos propozojnë persona të korruptuar, ose të implikuar në veprimtari kriminale, persona që nuk gëzojnë reputacion në shoqëri, që nuk kanë integritet, etj. Vullneti i subjektit zgjedhor propozues nuk ka dyshim se është i rëndësishëm, por ai duhet të jetë në përputhje me dispozitat ligjore dhe rregullat në fuqi, dmth, me Kodin Zgjedhor. 
– Thuhet (madje edhe nga anëtarët e KQZ) se në Kodin Zgjedhor në fuqi, nuk është parashikuar se si duhet të veprohet, kur një kandidat i miratuar tërhiqet, jep dorëheqjen, ose vdes dhe nëse në këto raste lejohet zëvendësimii tij? A është kështu?
– Po kështu është. Nuk ka rëndësi nëse këtë e thonë, ose jo, anëtarët e KQZ. Në fund të fundit KQZ është organi më i lartë shtetëror i përhershëm i ngarkuar me administrimin e zgjedhjeve në “ përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë Kod Zgjedhor (neni 2, pika 7 e Kodit)”. 
– Për hir të interesit të përgjithshëm, që të mos lejohet dhe të mos votohet asnjë kandidat i papërshtatshëm, apo me rekorde kriminale, përse të mos justifikohet shkelja e ligjit? A nuk do të ishte e drejtë dhe e pranueshme që KQZ të toleronte në raste të tilla?
– Kjo nuk parashikohet në ligj. Në ligj, siç e përmenda, thuhet se jo vetëm KQZ, por edhe komisionet e tjera zgjedhore, duhet të zbatojnë rregullat e përcaktuara në Kodin Zgjedhor. 
– Por ligji mund të intepretohet. Këtë të drejtë a nuk duhet ta ketë edhe KQZ? 
– Ligji sigurisht që mund të intepretohet, por jo të zëvendësohet apo të zgjerohet me një normë të re që Kodi nuk e ka. KQZ nuk e ka këtë kompetencë. KQZ nuk është ligjbërës. 
– Thuhet se në Kodet e mëparshme zgjedhore ka patur dispozita që parashikonin rastet e dorëheqjes, apo të vdekjes së kandidatit. Nëse është kështu, për analogji, a mund të zbatoheshin edhe tani këto dispozita?
– Ka interest ë sqarohet ky problem, sepse, në mos gabohem, një nga anëtarët e KQZ, ka ëprmendur se për këto çështje bëhej fjalë në Kodin Zgjedhor të 2003. Po e filloj me Kodin e parë Zgjedhor të vitit 2000, që shfuqizoiligjet e vitit 1992, përkatësisht, për zgjedhjet e Kuvendit dhe zgjedhjet e pushtetit lokal. Në nenim 79 të këtij Kodi thuhet se kandidati mund të tërheqë kandidaturën e tij brenda 24 orëve nga verifikimi i bërë nga Komisioni. Kandidati që tërhiqet, pas vërtetimit nga Komisioni, nuk mund të zëvendësohet nga partia politike që ai përfaqëson. Në rast se kandidati i rregjistruar vdes përpara datës së zgjedhjeve, zgjedhjet në atë zonë shtyhen për 4 javë. Në rast vdekjeje të një kandidati të lsitës shumëemërore, vazhdohet me kandidatin pauses në renditje( Neni 84, gërma “ç”. Kodi Zgjedhor i vitit 2003 shfuqizoi Kodin e vitit 200, por lidhur me çështjen e mëpipërme, thuajse ai është i njëjti me Kodin e vitit 2000, me përjashtim të nenit 84, pika 3, ku thuhet se: “Në rast vdekjeje, doreheja ose humbja të së drejtës për të kandiduar, vazhdohet me kandidatin pauses në renditje.” Kodit Zgjedhor të vitit 2007, i janë bërë shtesa dhe ndryshime në vitin 2004, 2 herë në vitin 2005 si edhe me ligjin nr 9676 datë 13.01. 2007. Në Kodin Zgjedhor të vitit 2007, për dorëheqjen dhe vdekjen e kandidatit është mbajtur i njëjti qëndrim (dmth, e njëjta përmbajtje), siç përmendëm për kodet zgjedhore të mëparshme. Për Kodin Zgjedhor që është në fuqi, përfshi këtu edhe ndryshimet që iu bënë me ligjin 31/2015, dhamë sqarime më sipër. Pyetjes tuaj, nëse për analogji, KQZ mund të zbatojë dispozita të kodeve zgjedhore të mëparshme, kjo do të thotë që KQZ të bazohet në kode dhe dispozita të shfuqizuara. Kësaj nuk i thonë analogji, por shkelje e ligjit dhe miratim i normave të reja ligjore, gjë që është në kompetencë të ligjbërësit. 
– A është e vërtetë që në Kodin në fuqi për kandidatët për deputet, për kryebashkiakë dhe anëtarë të këshillave bashkiakë nuk parashikohet si ndalesë që ata të mos jenë të dënuar?
– Po, kjo është e vërtetë.
– Si mund të shpjegohet kjo?
– Këtë e di ligjbërësi. Ky ja qenë vullneti i tij. A është bërë ose jo objekt diskutimi kjo çështje, nuk e di.
– Lidhur me këtë boshllëk, apo mangësi, në raportet e OSBE/ODIHR-it a ka patur ndonjë rekomandim?
– Mesa më kujtohet, nuk ka patur ndonjë rekomandim. Kur bëhet fjalë për çështjen e mësipërme, ata që e njohin Kodin Zgjedhor, natyrisht, mund të bëjnë pyetjen: Si është e mundur që për kandidatët e propozuar për t’u zgjedhur në organet përfaqësuese, nuk është miratuar kushti që të mos jenë dënuar për krim me vendim të formës së prerë të gjykatës, ndërsa një kusht i tillë, në mënyrë të shprehur është parashikuar, për anëtarët e KQZ, të KZAZ, të KQV dhe të grupeve të numërimit të votave. ( shiko nenet 12, shkronja “ç”, neni 31 shkronja “ç”, neni 38 shkrinja “ç” dhe 96 të Kodit Zgjedhor). Ky do të ishte një kufizim i rëndësishëm dhe i domosdoshëm, pavarësisht se mund të konsiderohej minimal. Qoftë edhe vetë kjo mungesë, në ligj mund ta vinte KQZ në kushte të vështira. 
– Në KQZ është ngritur çështja se një nga kandidatët ( ai për bashkinë e Këlcyrës) ka refuzuar t’i nënshtrohet verifikimit, nuk ka dashur t’i marrin gjurmët e gishtërinjve. A mund të shprehni ndonjë mendim për këtë rast?
– Për rastin konkret, nuk di asgjë. Marrja e gjurmëve të gishtërinjve në rastet e parashikuara në ligj, është e ligjshme. Me sa më kujtohet, si procedurë për pajisjen me kartë indentiteti ishte parashikuar edhe marrja e gjurmëve të dorës. 
-A kanë të drejtën subjektet zgjedhore, të zëvendësojnë kandidatin që kanë rregjistruar, kur humb besimin dh eta zëvendësojnë me dikë tjetër?
– Kjo e drejtë duhej respektuar nëse parashikohej në Kodin Zgjedhor, kur ndërkohë në këtë Kod flitet për afatet maksimale të rregjistrimit të subjekteve zgjedhore, për afate maksimale të paraqitjes së dokumentacioneve, për emrat në listën shumëemërore dhe rnditja e tyre, që nuk mund të ndryshohet pas miratimit përfundimtar nga ana e KQZ, ose, sipas rastit, të KZAZ. Në parimet e përgjithshme thuhet se “Komisionet zgjedhore të parashikuara në këtë Kod, përmbushin funksionet e tyre, në përputhje me ligjin, në mënyrë të paanshme dhe transparente” (neni 3, pika 6 e Kodit Zgjedhor). Në këtë vështrim, edhe pse anëtarët e komisioneve të ngarkuara me administrimin e zgjedhjeve, propozohen nga partitë politike parlamentare të maxhorancës dhe opozitës, ata janë të detyruar të zbatojnë me rigorozitet ligjin. Në të kundërtën, ndaj tyre mund të zbatohen saknsione administrative dhe, sipas rastit, edhe penale. Në raportet e OSBE/ODIHR-it, ka patur vërejtje të përsëritura në këtë dretjim. Për komisionet zgjedhore, përfshi këtu edhe KQZ, në përmbushje të detyrave të tyre, autoriteti më i lartë është ligji. 
– Shumë pak, ose aspak flitet për akndidatët e proprozuar për anëtarë në këshillat bashkiakë, madje, shumica e tyre nuk njihen dhe nuk dëgjohen. Çfarë mendoni për këtë?
– Në fakt, kjo çcështje bie në sy. Kjo mendoj, se nuk është e rregullt. Mendoj se ka një farë mbivlerësimi të atij që mund të zgjidhet kryetar bashkie dhe një farë nënvlerësimi të kandidatëve që përfshihen në lsitën shumëemërore për anëtarë në këshillat bashkiakë. Nëse kjo ka lidhje me të konceptuarit jo të drejtë të rolit që duhet të kryejnë këshilltarët bashkiakë, kjo është e gabuar. Dihet, që funksioni i këshillit bashkiak është dhe duhet të jetë i rëndësishëm. Me organizimin e ri administrative – territorial, këshilli do të ketë jo vetëm kompetenca më të rëndësishme, por edhe përgjegjësi më të mëdha. 
– A mund të shpreheni për vendimin e Kolegjit Zgjedhor, që lë në listën e kandidimit për kryebashkiak në bashkinë e Kurbinit, Altin Bibën që ka dhënë dorëheqjen dhe nuk pranoi kandidatin që e zëvendësoi?
– Mendoj se as KQZ dhe as Kolegji Zgjedhor nuk mund të vepronin ndryshe, sepse, siç përmendëm, tërheqja e kandidatit, pas miratimit të dokumentacionit dhe zëvendësimi i tij me një tjetër, nuk parashikohen në Kodin Zgjedhor. Për mendimin tim, nuk është normale që KQZ dhe Kolegji Zgjedhor të angazhohen për çështje të tilla, në një kohë kur nga zgjedhjet e 21 qershorit na ndajnë edhe 12 ditë dhe kur fushata zyrtare zgjedhore ka 18 ditë që ka filluar. Por, natyrisht, kjo nuk është përgjegjësia e tyre. Ankesat që bëhen të bazuara ose jo, duhen shqyrtuar dhe duhen marrë vendimet përkatëse.