Njerëzit e vetingut, kërkohet publikimi i dosjeve

508
Anëtarët e rinj të organeve të vetingut janë miratuar nga Kuvendi dhe do të nisin punën, por për ta dihet shumë pak. Me përjashtim të disa emrave të angazhuar më parë, pjesa tjetër janë shumë pak të njohur për publikun. Për këtë shkak, qendra Lex Ferenda i ka paraqitur Kuvendit, në cilësinë e autoritetit publik që mban informacionin, një kërkesë për informacion ku ka kërkuar të marrë dokumentet që kanë depozituar anëtarët mbi përvojën e punës, titujt shkencorë, si dhe përvojën studimore dhe profesionale jashtë shtetit shqiptar. Procesi i vlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve është vlerësuar si i një rëndësie jetike për reformën në drejtësi. Në këtë kuptim, anëtarët e përzgjedhur nga Kuvendi, jo vetëm që duhet të përmbushin kriteret ligjore për emërimin e tyre në këto funksione, por duhet edhe që të krijojnë besueshmërinë që do të përmbushin detyrat e rëndësishme të marra përsipër me përgjegjshmëri, paanësi dhe profesionalizëm. Për këto shkaqe, është kërkuar çdo dokument i paraqitur nga secili prej anëtarëve që provojnë përvojën e punës jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor i së drejtës, nëpunës i shërbimit civil në nivel drejtues ose në një përvojë të njohur në fushën e së drejtës administrative ose sfera të tjera të së drejtës; çdo dokument që provon që anëtari zotëron shumë mirë gjuhën angleze, për secilin prej anëtarëve; çdo dokument që provon titujt shkencorë në fushën e së drejtës, për secilin prej anëtarëve të listuar më sipër, si dhe çdo dokument që provon përvojën e veçantë të anëtarit në sfera të caktuara të së drejtës, për secilin prej anëtarëve. Ndër të tjera, kërkohen dokumente që provojnë përvojën studimore dhe profesionale jashtë shtetit shqiptar, si dhe kopje të jetëshkrimit profesional. Zgjedhja e njerëzve të vetingut është vlerësuar dje edhe nga Fatmir Xhafaj, kryetar i Komisionit parlamentar të reformës në drejtësi.
Sigal