Një vend pune 5 mijë euro

818
Sigal

 Skandalet e qeverisjes. Korça nën diktatin nepotik, familjar e fetar të klanit Peleshi

Ish-drejtorët e PD-së, prapë në krye të institucioneve. Administrata e mbushur me familjarë qeveritarësh e deputetësh. Një vend pune deri në 5 mijë euro. Revoltë në bazën e PS-së

 Letra, e-mail-e të shumta të ardhur në gazetën “Telegraf” si dhe disa investigime ende në proces, tregojnë se situata në Korçë, për sa i përket ryshfeteve për punësim, nepotizmit, mos mbajtjes së premtimeve nga qeverisja qendrore e ajo lokale, shërbimi shëndetësor, arsimi, shërbimi në administratë etj., është ndër më të vështirat e 24 viteve të fundit. Nisur nga këto burime, mësohet se, “prej një viti, Korça, vazhdon të jetë nën diktatin politik, ekonomik, social e fetar të klanit nepotik, familjar e fetar të zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, mbështetur dhe në bashkëpunimin me Kryebashkiakun, prefektin e ri, kryetaren e Këshillit të Qarkut e deputetin Pendavinji”. Nga rreth 4 mijë punonjës administrate që ka Korça, ku sipas burimeve qeverisëse thuhet se, janë “punësuar 500 të majtë”, (gjykohet shifër e fryrë kjo), sipas informacioneve të mësipërme, të punësuarit janë pjesë e klanit të mësipërm, apo pjesa më e madhe e tyre, dyshohet të kenë paguar ryshfete në disa mijë euro për një vend pune. Po nga këta informacione, mësohet se, tarifat e ryshfetit për zyrtarët e majtë sot në pushtet, janë shtuar deri në dyfishin në krahasim me tarifën që paguhej në qeverisjen e Sali Berishës. Pa marr përsipër gjykimin lidhur me shifrat e faktet e afruara për gazetën “Telegraf”, por në përmbushje të detyrimit për të informuar publikun, një gjë konstatohet qartë: Problemet janë të shumta në Korçë dhe baza e së Majtës, është e pakënaqur me të zgjedhurit që janë sot në qeverisje, jo vetëm për premtimet e pa mbajtura për sektorët jetikë, por dhe keq qeverisjen, korrupsionin dhe emërimet nepotike të shumta në administratë, ku të paaftët vihen në poste kyçe, e specialistët lihen të papunë. Këtë situatë, në një formë apo dhe në një tjetër, e pohojnë dhe drejtues të së majtës në strukturat në bazë…

SITUATA

Situata në qytetin e Korçës po dhe në shkallë qarku, sipas informacioneve të lartpërmendura, është e vështirë… “Nuk e kanë parë veten më keq se sot, në 24 vitet e fundit socialistët korçarë, qoftë kur ishin në opozitë, qoftë dhe kur kanë qenë në pushtet. Një parti e mirëorganizuar në të gjithë strukturat e saj, që u ka bërë ballë të gjithë represioneve të ish-pushtetarëve të Djathtë, tashmë e shikon veten e çorganizuar, për të mos thënë drejt shthurjes. Për asgjë nuk pyeten organizatat bazë të partisë në Korçë, as për punët, as për emërimet, as kur mblidhen e për çfarë diskutojnë. Për asnjë emërim të bërë në qark e prefekturë, drejtorë apo dhe funksione të tjera të larta, nuk është marrë mendimi i bazës, por janë bërë me komandë nga Tirana apo dhe nga klanet që njihen mirë në Korçë dhe po i marrin frymën asaj. Është thënë në bazë se listën e drejtuesve të institucioneve këtu e harton Niko Peleshi së bashku me deputetin e zonës Ilir Pendavinji. Deputetët e tjerë të kësaj zone, Bashkim Fino e Olta Xhaçka as janë parë, e as janë dëgjuar. Deputetja Xhaçka ka një lidhje të veçantë me votuesit e majtë. Ajo është kujdesur që në fillim për një beniamin të saj në funksion kyç, ka sistemuar në dogana disa, që në shumicë janë nga radhët e PD-së, duke shfrytëzuar miqësinë e saj me Spiropalin. Kështu që, deputetja nuk ka pse të duket më në Korçë. Zona e saj (Lozhan, Gorë, Opar) kanë propozuar për ta shpallur atë në kërkim tek emisioni “Njerëz të humbur”. Disa ditë më parë, në emisionin e mëngjesit të Bashkim Hoxhës, një votues i saj e bëri një gjë, pra bëri thirrje të njoftojnë deputeten e zonës se nuk e kanë parë që nga zgjedhjet dhe se ‘banorët e zonës i ka marrë malli”,-pohojnë burimet e sipërpërmendura.

SI FUNKSIONON NEPOTIZMI
Po kush janë të emëruarit në Korçë që nga prefekti dhe si është shtrirë rrjeti nepotik në emërime?. “Socialistët korçarë jo vetëm ndjehen të lodhur nga pritja e tejskajshme, por dhe të fyer e të denigruar, për vetë faktin se drejtuesit e institucioneve, duke filluar që nga prefekti Ardit Konomi e deri tek i fundit, nuk kanë hequr nga administrata e tyre qoftë dhe një të vetëm. Janë mjaftuar duke larguar vetëm ndonjë punonjës të thjeshtë administrate… Ndërsa në raportet e tyre, kur u kërkohet llogari lart, japin shifra të fryra duke mashtruar. Mendohet se administrata shtetërore e rrethit të Korçës mund të shkojë deri rreth 4000 vetë… Deputeti Ilir Pendavinji dhe grupi që gjoja udhëheqin reformën kanë raportuar për sistemimin e rreth  500 të majtëve… Nuk është e vërtetë. Dhe qorri që nuk ka sy e shikon këtë… Është për të vënë duart në kokë kur mësojmë se ky zotëria, (që për ne këtu në Korçë e dimë më shumë se kushdo që vetëm për këtë punë ai s’duhej të ishte), shkon nëpër institucione të ndryshme apo telefonon e jep porosi për të mbajtur tarafin e vet në administratë. Ne e dimë, i njohim me emra se janë kushërinj të tij e miq. Të njëjtën gjë bën në shumë raste dhe Zëvendëskryeministri Niko Peleshi. Janë lidhje farefisnore, tarafe, ku anashkalohen socialistët, kuadrot e ndershëm dhe punësohen ekstremistë të PD-së.

RËNDIMI I SITUATËS
Burimet e mësipërme thonë se baza e së majtës, në rrugë e forma të ndryshme kanë informuar qendrën në Tiranë për situatën e rënduar, por në fakt, qarku “mbyllet” pasi problemet përplasen apo shkojnë për zgjidhje tek persona që janë në krye të nepotizmit në Korçë, apo të lidhur me ‘të direkt apo indirekt. “Në selinë e Partisë Socialiste, edhe pse para disa kohësh është caktuar një dezhurn, ka rënë heshtje varri. Shumë-shumë, mund të gjesh ndonjë socialist që shkon atje, shfryn ndaj Peleshit, Pendavinjit  dhe ish-kryetares… Para pak javësh, në Korrtë, për këtë situatë, ka qenë dhe vetë Niko Peleshi… Si për t‘u justifikuar, ai ka marr dhe një takim me drejtuesit e institucioneve e ka folur me zë të lartë për situatë. U tha që ai ka lënë si afat për zgjidhjen e problemeve të pleksura, 1 tetorin e këtij viti. “Kush nga ju, nuk ka larguar administratën e qelbur dhe të korruptuar të qeverisë Berisha, deri më 1 tetor, do të largohet vetë”,- ka thënë Peleshi në këtë takim. Po lind pyetja: “Kë do të largojë zotnia, kur të gjithë ata janë tarafi, miqësia apo preferencat e tij!”. Rrallë mund të gjesh në Korçë drejtues institucionesh njerëz me integritet politik e intelektual që të kenë kontribuar për ardhjen e së majtës në pushtet. Këtë, zoti Peleshi e ka justifikuar si strategji të vetën, për të sjellë në drejtim “nga qytetaria korçare element cilësorë!…”. Por ai, në fakt, ka lënë jashtë këtij databezi emra me autoritet në radhët e socialistëve, ose dikë që kanë sistemuar, e kanë çuar në funksione pa rëndësi, apo me thënë për t’u tallur… Është për të vënë duart në kokë tek shikon se si janë kjo ‘qytetari’ e vënë në krye të institucioneve në Korçë…”,-shtojnë burimet e mësipërme.

DISKRIMINIMI FETAR

Informacionet e ardhura në “Telegraf”, krahas të tjerave, nepotizmin në Korçë e shikojnë të manifestuar dhe në emërimet në administratë me preference fetare. Për ‘ta, nuk është rastësi që të paktën, 5 drejtuesit kryesorë të institucioneve në Korçë, janë të gjithë të të njëjtit besim, përkatësisht ortodoks. “Për ne, përgjegjësia e Niko Peleshit është dhe në faktin e emërimeve në krye të administratës mbi preferencën fetare. Rreth 90% e drejtuesve në Korçë, për të mos thënë më shumë, janë të besimit ortodoks, kur dihet raporti i njerëzve të këtij besimi në raport me besimet e tjera në Korçë… Asnjëherë tjetër, dhe në kohën e diktaturës, Korça nuk është ndeshur me këtë tendencë diskriminimi fetar të një besimi ndaj tjetrit. Ja, drejtuesit kryesor, kreu i Bashkisë Sotiraq Fili, Prefekti Ardit Konomi, Kryetarja e Këshillit të Qarkut Irena Nika, deputeti Ilir Pendavinji, zëvendëskryeministri Niko Peleshi, e pothuaj gjithë drejtuesit e institucioneve, pa përmendur dhe emrat këtu, janë të besimit ortodoks. Kjo mënyrë emërimi, ka sjellë pakënaqësi të shumta jo vetëm tek socialistët, gjë që në zgjedhjet e afërta mund të ndikoj dukshëm në rezultatin e tyre. Qytetarët thonë: “Duhet rrëzuar Raqka i Niko Peleshit… që të shpëtojmë ne…, të shpëtojë dhe PS-ja”.

NË KRYE, INDIVIDË PA VLERA

Pasojat e kësaj politike arrogante, kanë bërë që në krye të institucioneve, përgjithësisht të vendosen njerëz të padenjë, pa vlera profesionale dhe intelektuale. “Drejtorja e Sigurimeve Shoqërore, nuk ka larguar asnjë njeri nga zyrat, por është mjaftuar me disa inspektore të terrenit. Por dhe në marrëdhënie me hallexhinjtë sillet pa takt e kulturë. Nuk dihet se çfarë vlere kanë parë tek kjo e emëruar ata që kanë firmosur!? Drejtori i CEZ-it, që është një harbut i vërtetë, nuk ka larguar asnjë, qoftë dhe një faturist, ku shumë prej këtyre punonjësish janë drejtues të strukturave të PD-së e që janë në ato detyra shtetërore në dekada. Drejtorët, ai i Arsimit, i Spitalit, i Ujërave, mund të bëjnë çdo punë ndoshta, por vetëm atë që janë emëruar (jo vetëm që nuk kanë lidhje me profesionin), nuk mund ta bëjnë. Para dy javësh dha dorëheqje Drejtori i Hipotekës, një djalë me integritet. Shkak i kësaj dorëheqje, siç përflitet, ishte ndërhyrja e sekserëve të klanit Peleshi për regjistrim pronash me shkelje ligji. Në vend të tij, u katapultua mikesha e Peleshit, ish-drejtore e Doganave, 24 vjeçe e pa eksperiencë pune. Po kështu, edhe Shëndeti Publik e Tatimet që drejtohen nga përfaqësues të LSI-së, jashtë çdo imagjinate, ishin apo janë anëtar kryesie të PD-së. Deri dje ishin inspektorë të thjeshtë, tani janë ‘graduar’ shefa”, – shtojnë burimet e sipërpërmendura.

KORRUPSIONI

Burimet e mësipërme informojnë se në këtë situatë, ku emërimet nepotike janë bërë normë, e ryshfeti për një vend pune, siç përflitet, është rritur… “…Titullari i ISKSH-s, PT, përflitet se nuk të merr në punë apo nuk të mbaron punë po nuk dhe para… Thuhet se marrja e një leje farmacie shkon në 5000 euro. Tashmë, flitet hapur dhe po bëhen krahasimet dhe me ryshfetin në qeverisjen e Berishës… Atëherë një infermier punësohej me 2 mijë euro, çmim që tani ka vajtur në 3 mijë euro. Nëse një mësues, në kohën e PD-së fillonte punë me 2000 euro, sot duhet të paguar 3 mijë euro. Dihet që këto punë nuk bëhen hapur, por përfliten se bëhen… Ose kush dëshiron, apo do të punësohet, e shikon në praktikë këtë…”,-shtojnë informacionet e sipër përmendura.

APEL KRYEMINISTRIT RAMA

Socialistëve korçarë, u ka ardhur në majë të hundës nga situate në Korçë. Por kjo situatë, sipas informacioneve është dhe në Devoll, Pogradec, e qytete të tjera. Në numrat në vazhdim, në “Telegraf” do të publikohen informacione lidhur me këto probleme. Ndërsa qytetarët e zonës së Korçës i bëjnë apel Kryeministrit Rama, tek, i cili dhe shpresojnë, që të ndërhyjë urgjent vetë për të përmirësuar situatën aktuale. Sipas tyre, ‘të ndërhyjë sa më shpejt, se votimet janë afër e do të jetë vonë…”…..

RYSHFETI PËR HAPJE BISNESI APO PUNËSIM

-Për lejë farmacie: Në qeverisjen e PD-së 3000 euro, sot 5000 euro

-Për punësim infermieri: 2000 euro në qeverisjen e Berishës, 3000 sot

-Në arsim: 2000 euro në qeverisjen e djathtë, sot 3000 euro

-Në dogana: Në qeverisjen e PD deri 8 mijë euro, sot deri 10 mijë euro

-Në administratë: Nga 2 mijë euro, sot deri në 4-5 mijë euro