Një vandal në Pejë

538
Sigal

Nga Berat Buzhala

Unë mendoj që është gomar kushdo që i thotë puna e mbarë Hashim Thaçit, kur ky i fundit bën përpjekje që ta ndajë vendin e vet në dysh.

Unë mendoj që është gomar, gjithashtu, ai që vjen në Kosovë dhe ofendon gazetarët e vendit tonë, duke i quajtur kazan, vetëm pse gazetari ia ka drejtuar një pyetje normale një personi jonormal.

Kjo ishte e tëra nga cirku i ditës së sotshme. Erdhi Edi nga Tirana në Pejë për të na thënë, që ai që e quan Hashim Thaçin tradhtar është gomar. Kurse njeriu që e thotë këtë, e thotë me një siguri të tillë, sa të mbushet mendja që ai personalisht ka luftuar në Drenicë dhe Dukagjin, Luginë të Preshevës dhe Maqedoni. Dhe kur e thotë Edi këtë, nuk na mbetët asgjë tjetër përveçse ta mbyllim debatin për kufijtë, t’i kërkojmë falje Thaçit për dyshimet tona të padrejta, naive po se po, dhe të vazhdojmë të punojmë, sepse shpinën e kemi të sigurt.

Kryeministri i Shqipërisë, erdhi në Pejë, i shoqëruar me shërbëtorët e tij, ata të cilëve në fund të ditës do t’ua numëron lajkat dhe sherat në FB, për të na treguar se kush është gomar, kush është tradhtar dhe kush është patriot. Gjatë ekspozesë së tij, plot pështymë, me një jostabilitet të theksuar fizik dhe mendor, Kryeministri shqiptar, sillej me një arrogancë të tillë, sikur brenda tij të ishin riinkarnuar; Skenderbeu dhe Ismail Qemali. Gati e rrëzoi Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn, kur e tërhoqi për dore për t’ia vënë dorën mbi shqiponjë, kinse për t’u betuar. Për t’u betuar, për çka? Që Shefqet Kastratit t’ia paguajnë kosovarët taksën e rrugës, apo që të njëjtin ta rrisim edhe pak, nga pesë euro njëri drejtim në 10 euro? Por le te kthehemi edhe pak te tallavaja nacionaliste në Pejë. Javën që e kemi lënë prapa, zyrtarët më të lartë të Qeverisë së Shqipërisë kritikuan Kosovën për taksën prej 100 për qind për produktet serbe, u zotuan në Beograd për t’i intensifikuar raportet tregtare dhe ekonomike, kurse sot, të njëjtit vërshuan për në Kosovë me shqiponja të mëdha, të bindur, me plot të drejtë, që kosovarët, edhe këtë herë, si shumë të tjera, do të tregohen mjaftueshëm idiotë sa për t’u joshur nga ngjyrat kuq e zi. Kaq. Këta të Kosovës, të mangët nga goja dhe truri, dukeshin mjaft të kënaqur që Edi nuk po shkonte edhe më larg. Ai, ta zëmë, edhe do të mund të tallej me ta. Prandaj, për sa kohë që Rama atyre ua ofronte atyre njërën dorë, që me të ta formonin një shqiponjë, ministrat e Kosovës, të shndërruar në tifozë, ishin të kënaqur. Ata dukeshin si ca mjeranë të kompleksuar, të paditur, të paedukuar, të pakulturuar, dhe çdo gjë tjetër që fillon me PA, përballë udhëheqësit të Shqipërisë.

  • Kush guxonte që t’i thoshte atij për taksën e rrugës?
  • Kush guxonte t’i thoshte atij, që ai dhe kabineti i tij, ndryshe flet në Beograd e ndryshe në Prishtinë?
  • Kush guxonte t’i thoshte atij që nën udhëheqjen e tij, ekonomia e Shqipërisë çdo ditë e më tepër po afrohet më Beogradin, e çdo ditë e më tepër po i bën pengesa Prishtinës.

Shikoni vetëm të dhënat në sajtin e CEFTA’s, të cilat flasin shumë më shumë se sa secila shqiponjë e bërë në Pejë. Shqipëria, vitin e kaluar ka shitur në Kosovë më shumë se sa në secilin vend në rajon, dhe ka konsumuar prodhime serbe më shumë se sa nga secili vend tjetër në rajon. Pra, Shqipëria blen mallra në Serbi (186 milionë euro) dhe shet mallra në Kosovë (në vlerë 156 milionë euro).  Ndërsa Kosova, vitin e kaluar ka shitur në Shqipëri, pak më shumë se sa ka shitur në Serbi. Pastaj mos të harrojmë kontributin e miliona turistëve të Kosovës që për çdo vjet i çojnë në Shqipëri miliona euro të tjera për turizëm, ani pse, Rama, prej kur u bë Kryeministër i Shqipërisë, atë pjesë të rrugës së kombit që kishte mbetur e papërfunduar nga koha e Berishës, e la në atë gjendje që e gjeti. Vetëm se, bakshish, e shtoi edhe taksën prej 10 eurove. Mos më keqkuptoni, unë nuk kam kërkesa për Edi Ramën. Ai është kryeministër i Shqipërisë, i zgjedhur nga qytetarët e Shqipërisë, për të punuar për qytetarët e Shqipërisë. Mirëpo, kur i njëjti zbarkon në Kosovë, na tregon se kush çfarë guxon e çfarë jo t’i thotë Presidentit Thaçi, kur na tregon kush është e kush nuk është patriot, kush bëri diçka e kush nuk bëri asgjë për shqiptarët, atëherë e konsideroj legjitime që edhe ne t’i themi hapur disa gjëra. Ta zëmë, unë mendoj që është gomar kushdo që i thotë puna e mbarë Hashim Thaçit, kur ky i fundit bën përpjekje që ta ndajë vendin e vet në dysh. Unë mendoj që është gomar, gjithashtu, ai që vjen në Kosovë dhe ofendon gazetarët e vendit tonë, duke i quajtur kazan, vetëm pse gazetari ia ka drejtuar një pyetje normale një personi jonormal. Kjo çfarë ndodhi sot në Pejë, ishte çdo gjë tjetër përveç asaj për të cilën ishte thirrur. Kryeministri i Shqipërisë kishte ardhur në Kosovë për t’ia rrahur shpatullat Hashim Thaçit, për t’i intimiduar politikanët tjerë të Kosovës, për t’i intimiduar gazetarët e Kosovës, për të ushtruar terror medial mbi qytetarët e hutuar – kuptohet i përkrahur nga gazetarët personal. Ky ishte një lloj vandalizmi i paparë deri më tash në Kosovë. Një kryeministër, qoftë ai edhe i Shqipërisë, që kërcet dhëmbët, hakërrehet, shtrëngon grushtet, sikur të jetë disa sekonda larg krizës së radhës epileptike, nuk mund të jetë ylli ynë polar. Një kryeministër që ofendon, sulmon, të vegjlit, dhe i kthen kurrizin oligarkëve, nuk është shembulli për t’u ndjekur. Kushdo që pret që ekonomia e dy vendeve, pas këtij cirku, do të sheh ditë më të mira, shpejt do të dëshpërohet. Për ekonominë tonë nuk vendosin këta. Për ekonominë tonë, për taksat tonë vendosin devollët, kastratët, vilmanushët etj., etj. Prandaj, më zgjoni nga gjumi kur këta oligarkë vendosin që ta mbajnë një samit mbarëkombëtar. Deri atëherë, z. Rama, Fuck Off.