Një taksë absurde mbi të varfrit

533
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Qeveria u bën privilegje monopoleve të shitjes së makinave

Qeveria e Rilindjes, ditët e fundit ka marrë vendim që të ndalojë importimin e makinave të përdorura mbi 10 vite. Sipas arsyetimit të vendimit , qeveria përpiqet që të marrë masa për të mbrojtur ndotjen e mjedisit nga gazrat që çlirojnë makinat e me moshë mbi 10 vjet.

Arsyetimi për ndotjen e mjedisit nuk qëndron

Arsyetimi i qeverisë për mbrojtjen e mjedisit nuk qëndron dhe historikisht ka rezultuar i gabuar. Shqipëria nuk e ka për herë të parë që vendos të taksojë makinat e të varfërve dhe ta shesë këtë masë si “mbrojtje mjedisi”. Argumenti i mbrojtjes së mjedisit nuk qëndron për shkakun e thjeshtë se nëse një makinë është 20-vjeçare, nuk bën dallim nëse ajo është importuar në Shqipëri e re fare apo është e importuar në moshën 12 vjeçare. Edhe një makinë e importuar sot e re, pas njëzet vjetësh do të jetë 20 vjeçare. Mund të importosh makina me moshë më pak se 10 vjet, por që kanë bërë qindra mijëra kilometra, pra, ato janë konsumuar dhe mund të ndotin mjedisin më shumë. Gjithashtu vendimi i qeverisë nuk bazohet as në dallimin e llojit të karburantit që përdorin makinat, të cilat në varësi nga lloji i karburantit, ndotin në mënyrë të diferencuar mjedisin. Kështu, ka makina që përdorin diezel, por që nuk e ndotin mjedisin dhe këto makina janë prodhuar edhe para 2009. Gjithashtu vendimi i qeverisë nuk përcakton se cili është kufiri ndarës i moshës 10 vjeçare të makinës. Sepse pas 3-4 vitesh, makinat e prodhuara edhe në 2015, që sot janë 3 vjeçare, mund të ndalohen, në saj të periodicitetit kalendarik të viteve. Një makinë ndot në varësi të llojit të naftës që konsumon dhe sasisë së kilometrave që përshkruan. Një shqiptar i varfër me gjasa përshkruan më pak kilometra se sa një shqiptar i pasur dhe normalisht, pavarësisht se lëviz me një mjet të përdorur, ndot krahasimisht më pak. Në të gjitha rastet, Shqipëria ka një taksë mbi karburantin që siguron një pjesë të majme të të ardhurave të buxhetit dhe që quhet “taksë ndotjeje”, 27 lekë për litër. Kjo është një taksë më efikase, pasi në varësi të konsumit të naftës nga makina (dhe rrjedhimisht sasisë së ndotjes), paguhet për litër. Çdo lloj mase tjetër, si kjo e ndalimit të importimit të makinave më të vjetra se 10 vjet, është thjeshtë një taksë e palogjikshme mbi të varfrit, vendosur nga një qeveri, e cila pretendon që është e majtë.

Favorizon monopolet dhe dëmton të varfrit

Ky vendim i qeverisë për ndalimin e makinave mbi moshën 10 vjeçare hedh barrën e taksën e radhës vetëm kundër më të varfërve. Qeveria favorizon monopolet e makinave, të cilat kanë stok makinat e pa hitura, si edhe makinat e reja. Me të ardhurat që kanë shumica e shqiptarëve, nuk kanë mundësi të blejnë makinat e reja, apo ato pak të përdorura, që kanë kosto shumë të lartë blerjeje. Jo të gjithë shqiptarët janë drejtorë të institucioneve, që mbushin xhepat me ryshfete e bredhin rrugëve me makina të reja që kushtojnë sa 20 vite punë rroge të zyrtarit. Jo të gjithë shqiptarët kanë buxhetin e shtetit, që të blejnë makina “Jaguar” siç blen qeveria për zyrtarët e saj.

Vendimi bie ndesh me marrëveshjet tregtare me BE

Vendimi i fundit i qeverisë për ndalimin e importimit të makinave më të vjetra se dhjetë vjet ka gjasa që përbën shkelje të marrëveshjes për tregti të lirë me BE-në. Në 2010, taksa mbi importin e makinave të përdorura u identifikua si një shkelje e marrëveshjes së tregtisë së lirë. Sipas kësaj marrëveshjeje, e cila është pjesë e Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asociimit dhe që përbën dokumentin themelor të bashkëpunimit mes BE-së dhe Shqipërisë, tregtia e lirë konsiston para së gjithash në trajtim të barabartë të mallrave. Ky vendim i qeverisë shqiptare do të prekë interesat e kompanive evropiane që shesin makinat e përdorura në Evropë, dhe ato do të reagojnë fort, derisa qeveria ndalon me ligj këtë tregti të lirë.