Një Ristan me fustan, në krye të KQZ-së së re

619
Sigal

Kryetarja e re e KQZ-së, e besuara e PD-së, kur, ndërkohë, statusi i kandidatit është i kushtëzuar me zgjedhje të lira në 2013-n

Dje Kuvendi i Shqipërisë, me votat e maxhorancës, votoi për kryetare të KQZ-së, Lefterie Lleshin, e cila që nga 2007-ta është  Drejtore në Shërbimin Juridik, në Kuvendin e Shqipërisë. Pra, ka mëse 5 vjet që Lefterie Lleshi punon si e zgjedhura  dhe e besuara e Kryetares të Kuvendit, Jozefina Topalli, kështu që edhe skeptikët që mund të mendojnë se Lefterie Lleshi  do të jetë një Kryetare e re e KQZ-së e pavarur, do të bindet tërësisht për të kundërtën.  Lefterie Lleshi ka punuar 8 vjet në SHIK-un e  Gazidedes, deri në 2000 dhe ka rifilluar punë në Kuvend, pasi ka ardhur në pushtet PD-ja. Ca më tepër, gjërat në realitetin politik shqiptar, gjithsesi mund të jenë …rastësi e meritokracisë. Kështu, siç u zhvilluan procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve për Kryetarin e ri të KQZ-së, në Komisionin e Ligjeve, përcjellja e dy kandidatëve, Lefterie Lleshi dhe Marsida Xhaferllari ishte një shkelje me të dy këmbët nga ana e PD-së. Sipas procedurës të miratuar me ligjin e Reformës Zgjedhore, në fazën përfundimtare të përzgjedhjes së kandidatëve, në Komisionin e Ligjeve, 4 kandidatët që u votuan vetëm me 14 votat e PD-së, nuk plotësonin kriteret e parashtruara nga ligji përkatës. Në këtë rast, sipas ligjit, duhej që në vendin e 2 kandidatëve që nuk plotësonin kriteret- edhe pse u votuan nga PD-ja, duhet të zëvendësoheshin me 2 kandidatët që vijonin në listën e përzgjedhjes. Mirëpo, PD-ja e ndodhur përballë gafës së saj, nuk pranoi kurrsesi, që të skualifikoheshin 2 kandidatët që nuk plotësonin kriteret, por kërkoi që të mbeteshin 2 kandidatët e tjerë, e këta të përcilleshin për në Kuvend për t’u votuar për zgjedhjen e Kryetarit. PS-ja,  në  2 ditët në vijim e kontestoi këtë shkelje ligjore që kërkonte të impononte PD-ja dhe kërkoi që në fazën e fundit të përzgjedhjes të kandidatëve për Kryetarin e KQZ-së, në Komisionin e Ligjeve të votohej për 4 kandidatë që plotësonin kriteret. Mirëpo, për çudi politike, PS-ja, një javë më parë, po në Kuvend, u tërhoq nga kontestimi dhe e drejta e saj ligjore dhe pranoi kokulur- si edhe çdo herë të tjera- zgjidhjen e jashtëligjshme të PD-së, që në Kuvend t’i përcilleshin për votim, 2 kandidaturat e mbetura nga katërshja.Për PS-në,kypranim i zgjidhjeve që i imponon PD-ja, nuk është një çështje formale, por ka të bëjë me vetë përmbajtjen e reformës zgjedhore. PS-ja kërkoi me të madhe, që të bëhej rikompozimi i KQZ-së, duke u nisur nga manipulimet e votimeve të 2009-s e 2011-s, ku, sipas PS-së, KQZ-ja e Ristanit luajti tërësisht politikën e Berishës. Dhe gjithë kërkesa e PS-së, për rikompozimin e KQZ-së, si një shpresë për një rol më asnjanës, më objektiv në zgjedhjet e ardhshme të 2013-s, u reduktua në 2 dimensione. Në zëvendësimin e 2 anëtarëve të PS-së në KQZ, thua se ata që ishin , Artan Laze dhe Dëshira Subashi u hoqën nga lista për arsye ndëshkimi nga vetë PS-ja dhe thjesht me largimin e Ristanit nga kreu i KQZ-së, për t’u zëvendësuar me drejtoreshën në Kuvend,  e kabinetit të Jozefina Topallit. Nga ana tjetër, PD-ja mbajti të njëjtit anëtarë të KQZ-së, Hysen Osmanaj dhe Vera Shtjefni, si për të përcjellë mesazhin e falënderimit e të mirënjohjes për rolin e kontributin që dhanë ata, së bashku me Ristanin në rezultatet e zgjedhjeve të 2009-s e 2011-s. Për PS-në, që kaq shumë e kontestoi KQZ-në e Ristanit, cila do të jetë garancia e paanshmërisë të KQZ-së të kryesuar nga Lefteri Lleshi, ish- drejtoresha e Topallit në Kuvend? Ku përballë KQZ-së së re, e përforcuar  nga kryetarja e re, një militante më e bindur e PD-së- të mos harrojmë që Ristani u votua me konsensusin edhe të PS-së, dhe me 2 anëtarët me përvojë të PD-së, PS-ja do të ketë 2 anëtarë të saj të rinj, të papërvojë,  në kuptimin e marifeteve e praktikave të manipulimit të votave! Berisha dje, si për të sfiduar tërësisht PS-në në humbjen politike të rikompozimit të KQZ-së së re, nuk nguroi që të deklaronte  nga Kuvendi, që Ristani këtej e tutje do të jetë në krahun e tij në politikë. Pra, Berisha, nuk e ka për gjë fare, që të shpërblejë ata njerëz që i shërbejnë politikës së tij, pavarësisht nga kostoja politike që i shkaktojnë demokracisë në Shqipëri këto shërbime tërësisht partiake, të drejtuesve të institucioneve të pavarura, sikurse është KQZ-ja! Deklarata e Berishës, që të shpërblejë Ristanin për kontributin që dha në shërbim të Berishës, me një karrierë politike në PD-, është, njëkohësisht sfida më e madhe politike që Berisha i bëri procesit të integrimit të Shqipërisë, pikërisht, një ditë pasi u dha një status me kushte. Dhe kushti që BE-ja e kushtëzon statusin, janë pikërisht nëse në 2013-n do të zhvillohen ose jo zgjedhjet e lira! Por me një KQZ të kryesuar nga drejtoresha e Topallit në Kuvend, a mund të ketë ndokush garanci për paanshmëri të KQZ-së? Madje, kryetarja e re e KQZ-së, Lefterie Lleshi, do të ketë një stimul më të madh, që të rritë shkallën e përkushtimit ndaj atyre që e zgjodhën në KQZ. Që, si Kryetare e KQZ-së, Lefterie Lleshi,  sa më shumë t’i shërbejë politikisht atyre që e zgjodhën- pavarësisht sa e thellë do të jetë shkelja e ligjit, e Kushtetutës, sa shkallë do të jetë dëmtimi e traumatizimi i procesit demokratik e ngushtëzimi i lirisë së zgjedhjeve, kaq më shumë partia që e zgjodhi, do ta shpërblejë  politikisht edhe nesër, kur t’i skadojë mandati i Kryetares së KQZ-së! Berisha, duke shpërblyer politikisht  Ristanin pikërisht, një ditë pasi u dha një status i kushtëzuar nga mënyra se sa të lira do të zhvillohen zgjedhjet e 2013-s, sfidoi edhe vetë BE-në, duke i përcjellë direkt mesazhin, që në Shqipëri ligjet zbatohen sipas interesave partiake dhe jo si e kërkojnë standardet europiane! Berisha, duke zgjedhur në krye të KQZ-së, një Ristan me fustan, kërkon të sfidojë vetë integrimin e Shqipërisë ne Bashkimin Europian! Dhe, Berishës duhet t’i njihet një meritë e madhe! Të gjitha këto sfida të mëdha politike, Berisha guxon dhe i bën, sepse përballë ka një opozitë të mefshtë, apatike, që bën gjithmonë opozitë për opozitë.