Sigal

Qeveria nuk ka lekë për varrezat e partizanëve të LANÇ, ndërkohë që Kryeministri Rama shpenzon para për ceremoninë e rivarrimit të bashkëpunëtorit të nazizmit Mit’hat Frashëri. Ja denncimi i familjeve të dëshmorëve

Kryeministri Edi Rama shpenzoi kushedi sa para për ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të bashkëpunëtorit të nazizmit, Mit’hat Frashëri

S’ka lekë për të shkruar në një pllakë përkujtimore emrat e partizanëve!?

Jam mësuese dhe drejtuese e shkollës 9-vjeçare “Sali Gjuka” në qytetin dhe bashkinë Ura Vajgurore. Si pasardhëse veterani në organizatën e veteranëve të këshillit zonal të rajonit nr.4, ndjehem krenare dhe e motivuar. Unë ndjek dhe zbatoj me përkushtim detyrat që më ngarkohen nga organizata e veteranëve të lagjes “18 tetori”. Epopeja e lavdishme e LANÇ, kontributi i familjes sime në këtë Luftë të lavdishme dhe puna e madhe që bëhet për të mbrojtur e lartësuar sot më bën të ndërgjegjshme se duhet të angazhohem e punoj edhe me më shumë devotshmëri për edukimin atdhetar e patriotik të brezit në bankat e shkollës. E ndërgjegjshme se kjo punë kërkon në vazhdimësi angazhim të të gjithë pjesëtarëve të familjeve të dëshmorëve, bijve e bijave të ish-partizanëve që luftuan heroikisht kundër pushtuesve e bashkëpunëtorëve të tyre balliste-zogiste. Ndaj bashkë me shoqen time mësuese, pasardhëse veterani Veprore Boçe, punojmë që t’i shtojmë radhët tona radhët tonë, që së bashku të arrijmë suksesin e duhur në propagandimin e vlerave të LANÇ.

Veteranëve të Luftës, që janë gjallë u uroj nga zemra, shëndet e jetë të gjatë, mbasi janë dëshmi e gjallë e asaj periudhe të lavdishme, për shkak të moshës ose janë të sëmurë ose e kanë të pa mundur ti takosh shpesh e në ambiente publike, apo t’i ftosh në biseda. Dëshira ime për t’i takuar e dëgjuar ata për atë periudhë heroike është e madhe. Ndaj i kërkova kryetarit të këshillit zonal Mihal Bardhi, që të më krijonte në mundësi. Ai më caktoi të deleguar të kryesisë së Komitetit në këshillat zonal të organizatave të veteranëve Cukalat e Kutalli të merrja pjesë në analizat vjetore. Kisha mësuar nga shoqet e mia mësuese se zhvillohen aktivitete të mirë organizuara në datat e ngjarjet historike, sidomos për ato të LANÇ. Dhe një të shtunë u gjeta midis anëtareve të organizatës së veteranëve Cukalat. Mbledhja u zhvillua në fshatin Donofrosë, në respekt të veteranit të LANÇ dhe kryetarit të këshillit zonal Ramadan Baxhia, mbasi e kishte të pamundur, për arsye moshe e shëndeti të shkonte në Cukalat. Edhe pse i moshuar që ecte e mbahej mbas bastunit ai na priti me shumë mirësjellje, respekt dhe seriozitet. Të gjithë e donin dhe e dëgjonin me vëmendje. Pjesëmarrja e gjithë anëtarëve dhe të ftuarve më bëri të mendohem thellë për të gjithë ata burra që kishin lënë punët, për të qenë të pranishëm në analizën vjetore, detyrë që e bëjnë pa asnjë pagesë, por në mbrojtje të idealit të përbashkët, të LANÇ.
Në atë mbledhje mësova punën e bërë gjatë vitit 2018, aktivitetet e zhvilluara në përkujtim të datave historike të LANÇ, shtimin e numrit të abonimeve në gazetën Kushtrim Brezash, shtimin e radhëve me pasardhës të rinj, vizitat tek familjet e veteranëve e dëshmorëve e të tjerë.

U kërkua që emrat e 18 ish-partizanëve të fshatit Slanicë e Donofrosë të skaliten në një pllakë e të vendosen te lapidari i fshatit për të mos u harruar në breza. Sekretari i këshillit zonal i njohu të pranishmit në mbledhje për përpjekjet që bëhen në këtë drejtim. Kishin siguruar pllakën, por jo lekët për t’i shkruar emrat… U preka thellë dhe mendova se qeveria dhe kryeministri Edi Rama shpenzuan kushedi sa për ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të kolaboracionistit, kriminelit e bashkëpunëtorit të nazizmit Mit’hat Frashërit, ndërsa për veteranët që luftuan për çlirimin e vendit nuk ka lekë për t’u shkruar emri në një pllakë përkujtimore… Thellë në ndërgjegje ndjeva thirrjen për të mbajtur kokën lart në mbrojtje të historisë së lavdishme të LANÇ.

Miranda Kondakçi

Pasardhëse veterani, drejtoreshë e shkollës 9- vjeçare “Sali Gjuka”, Ura Vajgurore