Një orë nga protesta/ Basha dhe Kryemadhi mbledhin grupet në seli

562
Sigal

Kur na ndan një orë nga nisja e protestës së opozitës, kreu i PD-së Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi kanë mbledhur ish-deputetët në selitë e tyre.

Duket se në selitë përkatëse do të jepen udhëzimet e fundit për mbarëvajtjen e protestës, që mendohet se mund të zgjasë edhe ditën e nesërme. Pjesëmarrja sipas opozitës do të jetë masive, edhe më shumë se protesta e 16 Shkurtit.

Marshimin drejt protestës e kanë nisur dhe banorët e Astirit, që protestojnë tashmë prej katër muajsh në mbrojtje të banesave të tyre.

Masat e marra nga Policia:

Për protestën që do të mbajë sot opozita përpara kryeministrisë, burime bëjnë me dije se 1600 efektivë janë angazhuar në terren.

Në ndryshim nga herët e tjera, perimetri ku do të vendosen punonjësit e policisë do të jetë më i gjerë, ndërkohë që do të ketë bllokim të automjeteve edhe në një pjesë të Rrugës së Elbasanit.

Ajo që mbetet ende mister është koha në të cilën do të mbyllet protesta, pasi PD ka bërë kërkesë për bllokimin e Bulevardit për 48 orë, ndërsa nga policia afati i fundit ështëlënë mesnata e sotme.

Si në të gjitha protestat e organizuara së fundi nga PD, policët do të jenë të pajisur dhe me maska kundragaz, për shkak se mund të ketë përdorim të gazit lotsjellës për të neutralizuar turmat e protestuesve.

Nga ana tjetër në orët e vona të mbrëmjes së djeshme te kryeministria janë marrë masa shtesë, që kanë të bëjnë me rrethimin e godinës me kangjella dhe me llamarina të dritareve.

Gjithashtu, në të gjithë hapësirat rreth godinës së Këshillit të Ministrave janë instaluar kamera me rezolucion të lartë për të filmuar dhe dokumentuar çdo akt dhune apo tentativë të protestuesve për të hyrë në Kryeministri.

Edhe shtyllat, në të cilat janë vendosur kamerat, janë të lyera me graso për të mos lejuar dëmtimin e tyre nga protestuesit.

Thirrje për një protestë paqësore dhe për të shmangur çdo element dhune ka bërë dje dhe ambasada e SHBA-ve në vendin tonë, si dhe përfaqësues të BE-së.

Vetëkryedemokrati Basha është shprehur se fatin e protestës së sotme e kanë në dorë qytetarët, dhe se 16 marsi do të shënojë fundin e Edi Ramës.