Një ndër vendet më të prekura mund të jetë edhe Shqipëria.

123

DW: Problemet serioze me refugjatët mund të vërshojnë edhe Ballkanin 

Ministri kroat i Punëve të Brendshme, Davor Bozhinoviq u gjet në Berlin në momentin kur kolegu i tij Horst Seehofer po kalon një periudhë të vështirë politike, për shkak të mosmarrëveshjeve me kancelaren Angela Merkel. Por as kjo nuk e pengoi politikanin nga Bavaria që të bisedojë me kolegun kroat për temën që e ngarkon më së shumti – çështjen e refugjatëve. Kjo është tema kryesore momentalisht në Berlin dhe në Bashkimin Evropian.

Evropa Juglindore nën hijen e problemeve

Kroacia pa dëshirën e saj u gjet në qendër të mosmarrëveshjeve mes politikanëve në Gjermani. Nëse Horst Seehofer ia del me politikën e tij për mbylljen e kufijve për refugjatët, Kroacia është ndër vendet e para që do të preket, sepse shumica e refugjatëve kalojnë nëpër këtë vend, në rrugën e tyre drejt Evropës Perëndimore. Grindjet mes Seehoferit dhe Merkelit kanë arritur pikën kulmore këto ditë. Seehofer kërkon mbylljen e kufijve, ndërsa Merkel arritjen e një marrëveshje me vendet e tjera. Bozhinoviq thotë se me homologun e tij nuk ka pasur ndonjë bisedë konkrete për zhvillimet e mundshme, por konstatoi se “Kroacia nuk do të shndërrohet në hot-spot” për regjistrimin e refugjatëve. Bozhinoviq thotë se Kroacia ka mjete të mjaftueshme për të evituar që ky vend të shndërrohet në një pikë të këtillë regjistrimi.

Problemet me kufirin

Kroacia mendon se kufitarët e saj po bëjnë një punë të mrekullueshme në ruajtjen e kufijve të jashtëm të BE. “Kroacia ka policinë më të fuqishme kufitare në mbarë Evropën”, thotë Bozhinoviq. Ai shpreson se Gjermania dhe vendet e tjera do ta shpërblejnë këtë angazhim me anëtarësimin e Kroacisë në zonën Shengen. Në këtë segment Kroacia është në gjendje të matet edhe me “të mëdhenjtë”. Për shkak të pozitës së saj gjeografike, Kroacia është gjithnjë e më shumë në qendër të vëmendjes. Mbrojtja e kufijve të saj të jashtëm do të jetë një temë gjithnjë e më interesante. Në veçanti pas marrjes së drejtimit të BE nga Austria, e cila kërkon mbrojtjen e suksesshme të kufijve të jashtëm. Por mbrojtja e Bashkimit Evropian nënkupton edhe gjëra të tjera – në radhë të parë zhvillimet brenda vendeve të BE-së.

Shqipëria si “hot-spot”?

Vendet e Ballkanit mund të kenë probleme shumë serioze me refugjatët, sepse shumica e tyre kalon pikërisht nëpër këto vende. Ndërkohë, që mbyllja e kufirit u krijon atyre probleme shtesë. “Ne kemi biseduar dhe kemi rënë dakord që të ndihmojmë vendet fqinje në Ballkan, që përballen me këto probleme. Këtu në radhë të parë mendoj për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën”, tha ai. “Investimi për sigurinë e këtyre vendeve ka një influencë pozitive edhe për Kroacinë dhe vendet e tjera të BE”, thotë ministri kroat. Kjo nuk është ide e re. Këto ditë është folur shpesh për krijimin e një pike të regjistrimit (hot-spot) jo vetëm në Afrikën e Veriut, por edhe në Ballkanin Perëndimor, më konkretisht në Shqipëri.