Një lexim gërmë për germë i mesazheve të Metës

221

Edhe pse presidenti Meta ka qenë i qartë në qëndrimet e tij për krizën politike, deklaratat e sotme gjatë një interviste nga Pogradeci kanë bërë përshtypje për vetë mesazhin kryesor: atë të sakrifikimit të pozicionit më të lartë të kreut të shtetit, heqjen dorë nga mandati që i ka dhënë parlamenti (mesazh që e ka dhënë edhe më herët kur qëndronte në pozicionin e kreut të Parlamentit).

Po të lexosh nën rreshta, duket se nuk është vetëm ky mesazh i rëndësishëm, në ato të dhëna nga Meta. Tani që deputetët e opozitës dorëzuan mandatet dhe marrja e mandateve nga të tjerë në lista po shitet si ravijëzim i “opozitës” së re, mesazhet e Metës marrin tjetër valencë.

Së pari, qartësisht Meta e quan një situatë kritike dhe një çështje të rëndësishme. Pra, fare qartë, maxhoranca me në krye Ramën nuk mund të sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur dhe “të gjithë”, sipas Metës duhet të ulen me këmbë në tokë për t’u dhënë fund “sjelljeve polarizuese e përjashtuese përpara se dëmet e kësaj krize të rrezikojnë çdo arritje të këtyre tre dekadave.”

Mbi palët, ashtu siç pozicioni i tij e detyron të qëndrojë, Meta sjell një mesazh të dytë nën rreshta: “krijimin e qëllimshëm të krizës” teksa minoheshin përpjekjet e atij vetë për ta parandaluar.

Shprehet Meta:

“… jemi në një situatë të tillë ku jo vetëm prej kohësh nuk kemi Gjykatë Kushtetuese dhe pothuajse i gjithë sistemi gjyqësor është i paralizuar, por njëkohësisht edhe janë minuar përpjekjet apo qoftë edhe iniciativat, interesimi i veçantë i Presidentit për të parandaluar krijimin e kësaj krize nga aktorë të caktuar. Pra kemi një krizë, që në vlerësimin tim është e qëllimshme, dhe e cila ka rrezikuar rendin kushtetues në Republikën e Shqipërisë…”

Në mesazhin e tretë, Meta “godet” opozitën, duke e quajtur një veprim të paprecendent atë të dorëzimit të mandateve, por po të lexosh të gjithë frazën, ai që merr më shumë rëndësi është vlerësimi i vendit të opozitës, duke hedhur në kosh çdo lloj “opozite” false që kërkon maxhoranca të frymëzojë.

Këtu, presidenti Meta vë pikën mbi i, duke saktësuar për të gjithë ata që kanë dyshime se parlamenti nuk ka më shumë se 3 deputetë të opozitës dhe fjalën e ka pikërisht për ata që nuk dëshiruan të dorëzojnë mandatet: Rudina Hajdarin, Myslym Murrizin dhe Lefter Kokën.

Thekson Meta:

“Në vlerësimin dhe në bindjen time institucionale Kuvendi i Shqipërisë ka 82 deputetë të ligjshëm, përfshirë edhe 3 deputetët e opozitës, të cilët nuk pranuan të djegin mandatet sipas vendimit politik të partive përkatëse.

Çdo numër tjetër përtej këtij, jo vetëm që thellon këtë krizë, por sigurisht që nuk ndihmon as kapërcimin e kësaj situate, pasi çdo numër tjetër është i kontestueshëm në të gjitha planet.”

Teksa sjell një situatë hipotetike, presidenti Meta godet çdo përpjekje për legjitimimin e një opozite, duke i dhënë një përgjigje indirekte edhe ndërkombëtarëve: mund të mbyllet njëri sy nga ta, duke përkrahur opozitën false për hir të integrimit në BE, por problemi do të jetë aty: kriza e thellë e përfaqësimit, e cila në të vërtetë “as nuk e garanton, përkundrazi e minon, çeljen e negociatave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.”

Mesazhi i katërt i Metës është dialogu. Mbi palët, Meta gjykon se ka ardhur koha për këtë dialog, madje ai nuk duhet vonuar, sepse kriza nuk zgjidhet as nëpërmjet retorikave që nxisin veprime të dhunshme, as me metoda policore, apo financiare por vetëm “me një dialog politik të shpejtë, serioz dhe të përgjegjshëm, që garanton rivendosjen e jetës politike në normalitet, duke respektuar Kushtetutën, duke respektuar ndarjen e pushteteve”.

Vetëm dialogu sjell sipas Metës, çeljen e negociatave me BE-në. Presidenti sugjeron edhe kryenegociatorin në zgjidhjen e krizës, i cili sipas tij duhet propozuar nga të dyja palët: maxhoranca dhe opozita.

De facto Meta po jep rrugën e zgjidhjes së krizës. Dhe në mesazhin e pestë të tij, artikulohet edhe parashikimi jo fort i mirë në rast se kriza nuk zgjidhet: konfrontimet.  Për këtë sipas Metës askush nuk duhet të sakrifikojë vendin për karriget apo ambiciet.

U drejtohet në emër Ramës dhe Bashës, Meta:

“Ajo që mund t’ju them ju, zotit Rama si Kryetar i shumicës në Parlament, që mund t’i them edhe zotit Basha si Kryetar i opozitës, por dhe gjithë qytetarëve shqiptarë socialistë, demokratë apo pa parti, të cilët kanë shqetësimin e stabilitetit të vendit dhe duan siguri dhe nuk duan vetëm kaq, duan dhe çeljen e negociatave, duan ecje përpara drejt anëtarësimit në BE: Presidenti Ilir Meta është shumë i ndërgjegjshëm për rrënjët e kësaj krize. I ka paralajmëruar aktorët vendas dhe ndërkombëtarë prej kohësh, që situata mund të shkojë drejt zhvillimeve të paparashikuara.

Është e rëndësishme të evitojmë çdo përshkallëzim të krizës, e cila mund të sjellë konfrontime, të cilat i kemi parë në të kaluarën dhe që kanë cenuar rëndë interesin e vendit, kanë cenuar dhe jetën, të drejtat dhe pronën e qytetarëve dhe kanë vonuar proceset integruese të Shqipërisë.

Për këtë qëllim, unë i ftoj të gjithë të mos sakrifikojë vendin për karriget e tyre apo për ambiciet e veta.”

Dhe, duke dhënë shembullin e tij, Meta është i pari të heqë dorë nga kreu më i lartë i shtetit, në mesazhin e gjashtë mes pesë të tjerëve, mesazh që duket se ndërtoi sot titujt kryesor të medieve.

Mbi gatishmërinë për të hequr dorë nga Presidenca:

“…edhe pse nuk kam asnjë përgjegjësi për këtë situatë që është krijuar edhe pse kam bërë çdo përpjekje prej gati dy vitesh në këtë detyrë, për të parandaluar një situatë dhe një krizë të tillë, përsëri jam i gatshëm unë i pari të sakrifikoj në emër të një zgjidhjeje politike që rivendos normalitetin kushtetues, institucional, politik, demokratik në vend dhe që garanton ecjen e shpejtë drejt çeljes së negociatave në BE, jam i gatshëm për të dyja ekstremet.

Që nga dorëzimi i mandatit tim si President pasi të sigurohem që vendi ka një zgjidhje politike parimore, kushtetuese, solide që e çon përpara, e deri tek sakrifikimi i jetës sime si Salvador Alende për të ndaluar instalimin e një junte që mund ta kthente Shqipërinë 30 vite pas.

Pra, Ilir Meta është i përgatitur dhe është i gatshëm për të dyja rrugët sepse asnjëherë, pavarësisht nga ambiciet e tij, nuk ka rrezikuar dhe nuk mund të pranojë të rrezikojë as për karrigen e tij, dhe as për ambiciet e tij, as Shqipërinë dhe as demokracinë në Shqipëri.

Unë do t’i qëndroj betimit tim që, midis pushtetit dhe demokracisë, do të mbaj gjithmonë krahun e demokracisë sepse vetëm demokracia garanton një pushtet për popullin shqiptar në mënyrë që të ndalojmë shpopullimin e Shqipërisë.”