Një imazh të ri dhe estetik të ndërtesës së Institucionit të Presidentit, si simbol i Kreut të Shtetit

486
Sigal

Përurohet mbyllja e punimeve rikonstruktuese të kopshtit të ndërtesës së Institucionit të Presidentit

Në një ceremoni të veçantë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani, përuroi dje pasdite mbylljen e punimeve rikonstruktuese të kopshtit që rrethon ndërtesën e Institucionit, punime të cilat janë kryer me donacione private në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Presidenti Nishani  u shpreh se punimet rikonstruktuese kishin si qëllim të përcillnin për opinionin publik një imazh të ri dhe estetik të ndërtesës së Institucionit të Presidentit, si simbol i Kreut të Shtetit. “Shqipëria, Kosova, e të gjitha trevat shqiptare sot janë të përfshira në festë, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar. Presidenti dhe stafi i tij menduan të punojnë gjatë këtyre ditëve dhe me rastin e 100-vjetorit t’i japim një imazh të ri ndërtesës së Institucionit, kopshtit përreth ndërtesës si simboli i Kreut të Shtetit, si simboli i institucionit kryesor të vendit. Ky është vërtet Institucioni që simbolizon Kreun e Shtetit, por është Institucioni i shtetit shqiptar, dhe të gjithë qytetarët shqiptarë që kanë dëshirë të shikojnë, të admirojnë e të shijojnë bukuritë e Institucionit më të lartë të shtetit shqiptar, do t’i kenë të gjitha këto mundësi. Së bashku me administratën, po shohim mundësinë që në ditë të caktuara të javës të hapin Institucionin e Presidentit edhe për qytetarët edhe në mjediset e brendshme, ku vërtet në këto mjedise çdo ditë të punohet, të mendohet për të mirën e vendit. Njëkohësisht të jenë të vizitueshme e të prekshme edhe nga qytetarët shqiptarë”, tha Presidenti Nishani.

Imazhi i ri i Presidencës

Ideja për rikonstruksionin e kopshtit të godinës së Institucionit të Presidentit të Republikës lindi me synimin për t’i dhënë godinës dhe kopshtit që e rrethon një imazh dinjitoz dhe estetik siç i ka hije Institucionit të Kreut të Shtetit. Gjatë punimeve janë rikonstruktuar tërë sheshi kryesor me pllaka të bardha, pllakat e rrugicave të kopshtit, sistemi i ndriçimit të jashtëm të godinës, sistemi i ujitjes, rrjeti i ujësjellës kanalizimeve, janë krasitur pemë të vjetra, si dhe është risistemuar lulishtja. Punime rikonstruksioni janë kryer në një sipërfaqe prej afro 6 mijë metrash katrorë, që përbën kopshtin ku shtrihet ndërtesa.  Projekti i rikonstruksionit të kopshtit është realizuar nga një studio italiane në Milano, e cila ka realizuar edhe rikonstruksionin e disa vilave qeveritare në Itali.  Kopshtin tashmë e hijeshon edhe një pemë e bukur ulliri 450-vjeçar, si simbol i paqes, i cili është dhuruar nga Fiera del Levante dhe rajoni i Pulias në shenjë të miqësisë shekullore mes dy vendeve. Sistemi i ndriçimit të jashtëm të godinës është shtruar tërësisht i ri, falë asistencës së studios së arkitektit italian me famë ndërkombëtare, Italo Rrota, i cili ka realizuar ndriçimin e Katedrales “Notre Dame” në Paris, Vilën Novecento në Milano si dhe shumë prej shtëpive dhe ambienteve nëpër botë të stilistit të famshëm Roberto Cavalli. Një aspekt i rëndësishëm i punimeve ishte edhe heqja e bimëve kacavjerrëse nga rrethimi ballor i institucionit, me qëllimin e hapjes së tij ndaj qytetarëve. Gjithashtu në sheshin kryesor të kopshtit në të djathtë është vendosur një skulpturë moderne inoksi e realizuar nga skulptori i suksesshëm shqiptar Helidon Xhixha. Dy skulptura të tjera inoksi me ngjyrat e flamurit kombëtar, të dhuruara nga autori Helidon Xhixha janë vendosur në hollin kryesor të ndërtesës.

JA PROGRAMI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS PËR 28 NËNTORIN

– Në orën 10:.00 në Sheshin e Flamurit në Vlorë ;

 – Në orën 13:20 do të presë në Presidencë Kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban;

 – Në orën 15:30 do të jetë në Paradën Ushtarake që do të zhvillohet në Bulevardin kryesor të Tiranës;

 – Në orën 18:00 do të presë në Presidencë Kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit Italian, Gianfranco Fini;

 – Në orën 20:30 do të japë Pritje Zyrtare në Pallatin e Brigadave me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.