Një gjest në Bruksel, që nuk ndihmon!

495
Bujar Nishani

Para pak ditësh u zhvillua në Bruksel takimi i radhës së Këshillit të Stabilizim – Asociimit BE-Shqipëri. Ajo që la më shumë shenjë nga ai takim ishte mungesa e opozitës në atë tryezë. Përmes një deklarate publike opozita shqiptare qartësoi opinionin. Qeveria aktuale e kishte përjashtuar kontributin e opozitës nga kjo tryezë!

Padyshim që kjo shënon një tjetër sjellje përçarëse dhe përjashtuese me forcën e pushtetit ndaj të drejtës përfaqësuese të gjysmës së popullsisë në një proces që mund të jetë veçse gjithëpërfshirës. Por, kjo sjellje e qeverisë shqiptare nuk duhet të ishte lejuar nga mikpritësit në Bruksel. Komisioni duhej ta kishte dekurajuar qeverinë shqiptare në gjestin e saj përjashtues ndaj opozitës. Realiteti i sotëm ku ish-stalinistët shqiptar ulen në tryezën e familjes perëndimore si partnerë është vërtet një mrekulli e demokracisë, por kjo nuk mund të justifikojë përjashtimin nga ajo tryezë të atyre që e rrëzuan diktaturën në Shqipëri dhe e anëtarësuan atë në NATO, vetëm për faktin se aktualisht janë në opozitë dhe nuk kanë fuqinë e vendimarrjes ekzekutive.

Integrimi i Shqipërisë në BE është një çështje jetike. E për ta realizuar atë duhet kaluar përmes një procesi që do të jetë i gjatë. Do të jetë i gjatë dhe i vështirë. Kjo vështirësi nuk duhet adresuar si faji i populizmit të majtë apo urrejtjes së ekstremit të djathtë në Evropë. Ne nuk kemi asnjë mundësi të ndikojmë tek ato. Por ne mund të ndryshojmë veten tonë. Ne mund të ndryshojmë funksionimin e institucioneve të shtetit duke i kthyer në modelin evropian ato. Ne mund të vendosim normalitetin e proceseve elektorale në Shqipëri ku zgjedh qytetari në liri dhe jo ta përcaktojnë trafikantët e drogës. Ne mund ta bëjmë realitet edhe në Shqipëri modelin e “ligji i barabartë për të gjithë”. Ne mund ta luftojmë realisht krimin e organizuar dhe korrupsionin ashtu si dhe në Evropë. Ne mund ti adresojmë resurset ekomomike të vendit tek prosperimi i qytetarëve, etj., etj. Këto do mund të bëhen vetëm përmes angazhimit të opozitës. 

Qeveria shqiptare përpara se të përjashtojë zërin dhe kontributin e opozitës nga procesi i stabilizimit, ju detyrohet tu thotë shqiptarëve përse ka dy qëndrime në Bruksel për procesin integrues të Shqipërisë? Komisioni nga njëra anë që ka konsideruar kushtet e plotësuara për hapjen e negociatave dhe Këshilli Evropian (vendet anëtare) nga ana tjetër që kërkon plotësimin e kritereve. Në nëntor të vitit 2016 Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave me Shqipërinë. Në raport thuhej: “Komisioni jep një rekomandim të kushtëzuar sa i takon hapjes së negociatave me Shqipërinë”. Por në Samitin e dhjetorit 2016 Këshilli Evropian (vendet anëtare) refuzoi të mbështeste rekomandimin e Komisionit. Por edhe në Shqipëri ka dy pikëpamje rreth procesit të integrimit. Një grup politikanësh që i shohin hapat politik të Brukselit si kredi për karrierën e tyre të brendëshme politike dhe një pikëpamje tjetër e disa politikanëve të tjerë dhe shumicës dërrmuese të popullit që e konsiderojnë integrimin si mundësi emancipimi dhe zhvillimi. Unë nuk e di nëse ky informacion është mbi tryezën e Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë të BE, znj. Mogherini, por do të dëshiroja shumë që Komisioni t’i dekurajonte të gjithë ata politikanë që procesin e integrimit të vendit tentojnë ta kthejnë në profit politik për karrierën e tyre të brendshme. Procesi i integrimit për Shqipërinë është një mekanizëm për demokratizimin, emancipimin, prosperimin e shqiptarëve dhe jo një incentiv politik i karrierave të brendshme të pamerituara për politikanë të caktuar. Nëse qeveria shqiptare tinëzisht mendon se duke e izoluar zërin opozitar në adresimin e sfidave dhe rreziqeve që has procesi i integrimit të Shqipërisë, do t’i fshehë këto rreziqe, është duke gabuar. Asnjë gjest i stisur nuk kompenson dot kontributet lëvizëse. Ndaj dhe gjesti në Bruksel është një gjest që nuk ndihmon aspak!
Sigal