Një epokë e re po troket për Vorën

155
Pak kilometra larg qendrës së Tiranës, një tjetër përballje, po aq e fortë dhe e rëndësishme sa gara për kreun e bashkisë së kryeqytetit pritet të ndodhë në zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Bëhet fjalë për Bashkinë e Vorës, një bashki e re, e vogël, jo shumë e dëgjuar më parë, e konsideruar si e dorës së dytë përgjatë gjithë kësaj periudhe, por që tashmë, pas reformës territoriale-administrative do të marrë një rëndësi të veçantë në drejtim të zhvillimit dhe progresit ekonomik. Pozicioni i saj gjeografik e bën Vorën një nga bashkitë më të avantazhuara për implementimin e projekteve të mëdha që synojnë të çrënjosin varfërinë, papunësinë dhe mjerimin. Ajo, pra, Bashkia e Vorës do të jetë një pikë strategjike e zhvillimit ekonomik të vendit, një qendër e përshtatshme e përqendrimit të investimeve të huaja dhe vendase, një nyje kyçe lidhëse midis Tiranës metropol dhe Durrësit, si qytet i rëndësishëm portual dhe aeroportit të Rinasit. E bekuar nga Zoti, ashtu si dhe Shqipëria, për shtrirjen gjeografike, me resurse natyrore, me potenciale të mëdha të zhvillimit bujqësor, me njerëz të thjeshtë, punëtor dhe të ndershëm, Vora e së ardhmes i ka të gjithë mundësitë të jetë Vora e zhvillimit, Vora e prosperitetit ekonomik, e cila jo vetëm do të përmirësojë cilësisht jetën e banorëve të saj, por do të jetë edhe katalizatore e gjenerimit të të ardhurave dhe rritjes ekonomike të Shqipërisë. Dhe, pikërisht më 21 qershor, banorët e Vorës, Marikajt, Bërxullit, Prezës, Marqinetit, Picarit, Gjokajt, Muçajt, Domjes, etj, do të thirren për të respektuar të drejtën e tyre kushtetuese të pjesëmarrjes në votime, në mënyrë që ata t’i përgjigjen pozitivisht sfidës dhe kërkesës së kohës për epokën e re që e pret Vorën në rrugën e transformimit të saj ekonomik. Por sfida e qytetarëve të Vorës në zgjedhjet e 21 qershorit është e lidhur dhe me ndarjen nga mentaliteti i vjetër, i konceptimit se si kryetari i bashkisë së tyre duhet t’i konsiderojë dhe trajtojë ata. Më 21 qershor, qytetarët e Vorës do të zgjedhin të votojnë për të sfiduar mentalitetin e kandidatit që “fiton vetëm duke varur xhaketën, kur afrojnë fushata” dhe për të besuar te mentaliteti i kandidatit, që mëngët përveshur i mban gjithë kohës. Ata do të zgjedhin të sfidojnë kandidatin dhe kryetarin që e bunkerizon bashkinë, që e trajton atë si pronë private të tijën dhe të votojnë kandidatin që derën e zyrës së tij e ka të hapur gjithmonë për qytetarët, që çdo ditë të punës së tij e ka në funksion të punësimit, shërbimit dhe zhvillimit të Vorës. 
Kandidatët
Dy janë kandidatët për drejtimin e bashkisë së Vorës në zgjedhjet e 21 qershorit. Fiqiri Ismaili nga e djathta dhe Luan Sallaku kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane. I pari drejton Bashkinë e Vorës prej 12 vjetësh dhe në këto 12 vjet shënon një bilanc të suksesshëm në drejtim të fuqizimit financiar të biznesve të tij dhe një bilanc të tmerrshëm në drejtim të shërbimit dhe përkushtimit të qytetarëve. Luan Sallaku kandidon për herë të parë. Vjen në këto zgjedhje si biznesmen i suksesshëm dhe i konsoliduar, me dëshirën, vullnetin dhe përkushtimin për t’iu shërbyer qytetarëve të Vorës. Kryetari aktual i bashkisë ende nuk e ka nisur fushatën e tij, ndoshta nuk do ta nisë kurrë. Për të fushata fillon dhe mbaron një natë përpara ditës së votimit. Për Luan Sallakun fushata ka nisur prej javësh. Në çdo ditë të aktivitetit të tij, Sallaku takohet me qytetarët, me grupet e interesit, me të papunët, me të rinjtë, gratë, të moshuarit dhe biznesin e vogël. Kryetari i plakur i Bashkisë ende nuk është parë në ndonjë takim me banorët, ndërkohë që Luan Sallakun e gjen çdo ditë në angazhime pranë komunitetit, për pastrimet e kanaleve kulluese, varrezave, spërkatjen e frutikulturës, zgjidhjes së problemit të legalizimeve dhe certifikatave të pronësisë. Agai i Bashkisë së Vorës ende nuk është përballur me elektoratin. Kur ta bëj këtë, e sigurtë që do t’u premtojë rregullimin e qendrës shëndetësore, e cila është në kushte mizerabël prej 12 vjetësh, ndërkohë që angazhimi i Luan Sallakut është jo vetëm rikonstruksioni i kësaj qendre shëndetësore, por edhe ndërtimi i një spitali të ri, modern dhe me kapacitete të plota funksionale. Kryetari zhgënjyes i Bashkisë së Vorës ende nuk është përballur me elektoratin. Kur ta bëj këtë, e sigurtë që do të premtojë rregullimin e rrugëve, që nuk i bëri prej 12 vjetësh, ndërkohë që Infrastruktura moderne është kryefjala e Luan Sallakut në çdo takim. Kryetari dështak i Bashkisë së Vorës me siguri që do t’i premtojë biznesit të vogël reduktimin e taksave që ia u katërfshoi pamëshirshëm në këto 12 vjet, ndërkohë që Luan Sallaku premton se vendimi i tij i parë si kryetar bashkie së bashku me këshillin bashkiak do të jetë çlirimi nga këto taksa dhe hapja e një zyre në bashki që do të zgjidh çdo problem që shqetëson sot biznesin e Vorës. Kryetari i majmur i Bashkisë së Vorës ende nuk është përballur me fermerët e kësaj zone. E sigurtë që kur ta bëj këtë do t’u premtojë çdo gjë që nuk ia u realizoi për 12 vjet, ndërkohë që për Luan Sallaku fermerët e Vorës do të kenë mbështetje të plotë për subvencionet në serra dhe agrikulturë dhe tregje të sigurta për shitjen e prodhimeve të tyre. Kryetari në detyrë i Bashkisë së Vorës ende nuk është përballur me rininë dhe gratë e papuna. E sigurtë që kur ta bëj këtë, nuk do të ketë kurajo t’u premtojë punësimin e mohuar prej 12 vjetësh, ndërkohë që Luan Sallaku zhdukja e papunësisë në Vorë është angazhimi madhor i tij dhe i forcës politike që përfaqëson. Kryetari në largim i Bashkisë së Vorës paraqitet në 21 qershor me ”medaljen” politike të dhënë nga Berisha, për meritën se si pak muaj pas tragjedisë, me mënyrë shumë të dyshimta, nxorri fitues PD-në në kutinë e votimit të Gërdecit në zgjedhjet e 2009-ës, ndërkohë që Luan Sallaku prezantohet në 21 qershor me mbështetjen e plotë, vizionin dhe përkushtimin e Ilir Metës, Edi Ramës dhe Edmond Panaritit për t’i dhënë jetës projekteve të zhvillimit dhe transformimit të Vorës, për ta kthyer atë në epiqendër të progresit ekonomik. Të gjitha këto, janë arsye të mjaftueshme, që qytetarët e Vorës me zgjuarsi, mençuri dhe pjekuri demokratike do të dinë të zgjedhin drejtimin e duhur, do të dinë të votojnë për më shumë punësim, më shumë shërbim dhe zhvillim për Vorën, për ta dhe fëmijët e tyre. Dhe këtë nuk mund ta bëjnë duke votuar Fiqiri Ismailin që ka ngrohur kolltukun prej 12 vjetësh, por duke votuar energjinë, përkushtimin dhe vizionin e Luan Sallakut, një njeri i thjeshtë, punëtor dhe i vendosur për ta çuar Vorën drejt epokës së re të zhvillimit.