Një demokrat (i vetëm) tek socialistët

464
Nga Ilir Levonja/Florida

Nuk e di pse në 26-vjetorin e PS-së mori pjesë vetëm një demokrat. Dhe ky më liberali. Ose më normali midis demokratëve. Mjeku Halim Kosova. Dhe e ka mirë kur thotë që, më shumë njoh brenda PS-së se PD-së. Sot PS-ja është një batalion njerëzish me xhaketa të kthyera. Kuadro nga teserat e bashkimeve profesionale, borizanët e propagandës, heronjtë e punës socialiste etj. Ose ekonomisë së përbashkët, ndërmarrjeve që përfunduan në skrap. Aq sa sot e dëshmon për shembull pamja e atyre vagonëve të lodhur të trenave. Që po i shesin lësëistat për qejf të tyre. Shkurt një SMT-ë e braktisur. Që fal një inati pervers karshi Berishës. Mban këmbë e duar lidhur një klasë të re nga etërit dhe militantët e vjetër. Kjo quhet rilindje. Për ata që nuk e dine, se çfarë janë xhaketat e kthyera, pasi tani rrobat janë me shumicë nga gabi deri tek sallonet firmato. Dhe të merresh me kthimin e një pale pantallonave për shembull, është çmenduri etj. Perversitet. Kush po pyet më për rroba.

Xhaketat e kthyera, një metodë e djeshme. Pasi i dilte boja teritalit nga përdorimi i gjatë. Të zinjtë baballarët tanë, punëtorët. Shkonin tek mjeshtrit e gjilpërës dhe hekurit, rrobaqepësit. Dhe ata i shqepnin me kujdes, e i qepnin prapë Se sa i vente kostoja një xhakete, kjo nuk kishte asnjë rëndësi përballë betimit të na rrojë partia. Shkurt i kthenin faqen teritalit. Mallit të lakmuar në socializëm. Çfarë të bënin.

Një pjesë e këtyre xhaketave të kthyera, janë me shumicë sot tek PD-ja. Mirëpo për të na mbushur mendjen se janë me të vërtetë demokratë. Bëjnë karshillëk nga distanca. Madje postojnë statute kundër PS-së. Historisë së saj. Dhe një e më dy përmendin faktin se si kjo parti është pjellë e Partisë së Punës. Një strategji kjo, kaq efikase sa të bën t’i biesh murit me kokë. Pasi jemi me shumicë të konsiderueshme si popull që e hamë sapunin për djathë. Kaq bukur na driblojnë me top e pa top, sa edhe na dhimbset Halimi i vetëm aty. Edhe na habit. Edhe na vjen për ta përshëndetur, edhe për të qarë. Pasi na është krijuar përshtypja se, një socialist a një demokrat në oborrin e shoqi- shoqit. I ngjan sikur pranisë së një arabi në oborrin e një çifuti dhe anasjelltas. Dhe se kemi për gjë të pyesim, ore vëlla, a hahet buka e socialistit? A hahet buka e demokratit? Vërtetë kush e ka provuar?

Po dashuri (me që jam mashkull) a bëhet me një socialiste? Shkurt edhe na ha, edhe na kruhet. Po nuk kemi se si ja bëjmë. Se na i kanë futur thellë tashmë. Na kanë infektuar qerratenjtë. Demokrati i vërtetë shkon në festë, e, i uron socialistët. Dhe fal Zotit është mjek. I ndihmoftë. Kurse demokratët social-komunistë. Buçkot, bëjnë statute me gjak, me zi, me krime. Triumfatorë që na i kanë futur sa krahu. Ta mbajmë me shëndet.

Marrë nga gazeta “Dielli”
Sigal