Njazi Jaho: Të largohen ata që nuk kanë besimin e popullit dhe që janë të korruptuar e të dënuar

479
Konstitucionalisti Njazi Jaho, në intervistën për gazetën “Telegraf” shpjegon ndryshimet dhe risitë e ligjeve që u miratuan nga Kuvendi “Për ndryshimet dhe shtesat në Kodin Zgjedhor” dhe “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor”. Edhe pse në ligjin për Kodin Zgjedhor nuk përfishen rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, konsitucionalisti Jaho shprehet se kjo nuk mund të cenojë standardet e zgjedhjeve. Ndërsa pyetjes nëse mendon se a do të miratohet brenda këtij viti, siç është marrëveshja, ligji për dekriminalizimin, zoti Jaho është spektik, pasi ende nuk ka projekt, por partitë të mos nxitohen, politika të marrë mendimin e ekspertëve dhe mendimet e Komisionit të Venecias. Zoti Jaho shpjegon se në Kodin Zgjedhor ka boshllëk ligjor për kufizime, ose ndalime të personave të dënuar për krime me formën e prerë të gjykatave, por kjo, pranon konsitucionalisti Jaho, nuk do të thotë, që persona të dënuar mund të kandidojnë për kryetar bashkie, apo edhe anëtar të këshillit bashkiak. 
-Zoti Jaho, në 2 prill 2015, Kuvendi miratoi ligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në Kodin Zgjedhor”. A mund të na sqaroni cilat janë çështjet kryesore, që trajtohen në këtë ligj?
– Ndryshimet dhe shtesat në këtë ligj, kanë të bëjnë kryesisht me organizimin e ri administrative-territoriale. Shumica janë të karakterit teknik. Në këtë vështrim, ka edhe disa shfuqizime nenesh, me qëllim që të përshtaten organizmit të ri. Në ligj thuhet se “Kandidati për kryetar bashkie dhe listat për këshillat bashkiake, territori i të cilave nuk mbulohet nga KZAZ e vetme, rregjistrohet në KQZ”. E rëndësishme është të theksohet se në fund të pikës 6 të nenit 67 është formuluar paragrafi me këtë përmbajtje: “Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, për çdo këshill bashkiak, një në çdo dy emra të njëpasnjëshme në renditje, duhet t’i përkasë së njëjtës gjini. Subjekti paraqitës i listës deklaron vendin, sipas gjinisë gjinore…”. E rëndësishme është gjithashtu, të përmendet se “Mospërmbushja nga ana e subjektit zgjedhor e detyrimit, që përmend më lart, dënohet nga KQZ-ja me gjobë 1.000.000 lekë, si edhe sanksionin plotësues, sipas pikës 2 të nenit 67, në rastin e zgjedhjeve për Kuvendin, ndërsa lista e kandidatëve për këshillat bashkiak për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore refuzohet”. 
– Ç’përmban ligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, që u miratua në 2 prill?
– Në këtë ligj janë bërë disa ndryshime dhe shtesa, që mendoj se janë të rëndësishme. Kështu, për shembull, ligji bën të domosdoshëm konsultimin ndërmjet institucioneve të pushtetit qëndror dhe të njësive të qeverisjes vendore. Në të sanksionohet parimi se marrëdhëniet ndërmjet organeve të njësive të qeverisjes vendore dhe institucioneve të qeverisjes qëndrore bazohen në parimin e subsidioritetit, të konsultimit dhe të bashkëpunimit për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta. Në nenin 5 të ligjit jepet përcaktimi se çfarë është “bashkia” dhe çfarë përfaqëson ajo, ç’janë njësitë administrative, çfarë është “qarku”, etj. Në nenin 24 të ligjit numri i anëtarëve të këshillit bashkiak përcaktohet nga numri i popullsisë, kështu, përshembull, bashkia që ka deri në 20 mijë banorë, do të ketë 15 anëtarë, ndërsa bashkitë mbi 400 mijë banorë, do të kenë 61 anëtarë. Të dyja këto ligje, mendoj se duhen studiuar me kujdes, me qëllim, që ato të kuptohen dhe të zbatohen drejt. 
– Në ligjin e miratuar në 2 prill 2015, nga sqarimet tuaja të mësipërme, nuk del të jenë përfshirë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, lidhur me zgjedhjet e 23 qershorit 2013. A mund të shprehni ndonjë mendim, përse mund të ketë ndodhur kjo dhe nëse kjo mungesë a do të cenojë standartet e zgjedhjeve të 21 qershorit?
– Është e vërtetë, se në një intervistë të mëparshme, kam shprehur mendimin, ose më mirë, të themi, kam sugjeruar, që në diskutimin dhe debatin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor të kiheshin parasysh edhe disa rekomandime të OSBE/ODIHR-it, që kishin lidhje edhe me zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore. Përse nuk ka ndodhur kjo, vështirë të japësh një përgjigje të saktë, aq më tepër, që për këtë çështje, zyrtarisht nuk është dhënë ndonjë informacion. Megjithkëtë kam mendimin se në këtë drejtim ka ndikuar gjer në njëfarë mase klima disi e tensionuar në debatin parlamentar. Por, pavarësisht nga kjo, nëse do të zbatohen me rigorozitet dispozitat përkatëse të Kodit Zgjedhor, që rregullojnë këto zgjedhje dhe sidomos parimet mbi të cilat mbështeten zgjedhjet e lira, të ndershme dhe demokratike, standartet bazë, mendoj se nuk do të cënohen. Në këtë drejtim, ka rëndësi edhe vullneti i mirë politik i subjekteve zgjedhorë. 
– Në zgjedhjet e mëparshme, zyra e OSBE-së në Tiranë ka treguar më tepër interes për shqyrtimin dhe zbatimin e rekomandimeve të saj. Si shprehet që për këto zgjedhje, ky interesim i OSBE-së ka qenë më i pakët?
– E kam vështirë të shpreh mendime, se cili ka qënë qëndrimi i zyrës së OSBE-së, lidhur me rekomandimet e paraqitura për zgjedhjet e 2013-s. Di vetëm se OSBE-ja ka rekomanduar më se njëherë, që të shqyrtohen ndryshimet në kod, dhe të merren masa për të respektuar standartet edhe në zgjedhjet e qeverisjes vendore. 
– Diskutohet çështja e dekriminalizimit. Duket se lidhur me këtë çështje ka qëndrime të kundërta. Sipas jush, a ekziston mundësia që brenda muajit qershor të këtij viti (siç është marrëveshja), të mundësohet ligji për këtë problem?
– S’më takon mua t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, aq më tepër se deri më sot nuk kemi një projekt që mund të diskutohet dhe nëse do të vlerësohet e nevojshme që diskutimi dhe debate për të, të jetë gjithpërfshirës. Në aspektin ligjor, shpreh mendimin, se ky problem është i rëndësishëm. Si rrjedhim, mendoj se nuk duhet të ndërmerren veprime të nxituara. Në këtë drejtim, politika, mendoj, se duhet të dëgjojë dhe vlerësojë mendimin e specialistëve dhe paskëtaj, të veprojë. Do të ishte i dobishëm edhe mendimi i Komisionit të Venecias, sepse në këtë mënyrë, do të respektoheshin më mirë parimet dhe në mënyrë të veçantë, të drejtat dhe liritë e shtetasve. Kryesorja është që parlamenti, organet e drejtësisë, etj, të mos kenë njerëz të dënuar, persona të korruptuar dhe pa integritet. 
– Është moment kur caktohen kandidatët për kryetar të bashkive dhe anëtarë të këshillave bashkiakë. Nuk duhet lejuar që të zgjidhen persona të dënuar e të korruptuar. Si mund të garantohet kjo?
– Përgjegjësia kryesore bie mbi subjektet zgjedhore, që paraqitin kandidaturat. Por edhe vetë kandidatët, kur është rasti, duhet të tërhiqen.
– Në Kodin Zgjedhor, a ka ndalesa të tilla?
– Ndalesa të tilla, të shprehura, nuk ka. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, kandidatët për kryetar bashkie dhe lista e kandidatëve për në këshillat bashkiake paraqiten në KZAZ-të përkatëse. Një grup zgjedhësish me banim në zonën zgjedhore, kanë të drejtë të propozojnë një kandidat për kryetar bashkie. Në nenin 72 të Kodit Zgjedhor, bëhet fjalë për dokumentat e kandidimit, të cilat verifikohen nga KZAZ-ja. Mirëpo në to nuk figuron ndalesa, që kandidati të mos jetë dënuar për një krim, me vendim të formës së prerë. Tërheq vëmendjen fakti se në nenin 12 të Kodit Zgjedhor, ku bëhet fjalë për zgjedhjen e anëtarit të KQZ-së, (pika 2 gërma “ç”) thuhet: “Të mos jetë dënuar penalisht”. Në nenin 31 gërma “ç” të Kodit, ku parashikohen kushtet për emërimin e anëtarit dhe sekretarit të KZAZ-së, thuhet: “Nuk është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi”. I njëjti kusht përmendet edhe në nenin 38 gërma “ç” të Kodit Zgjedhor për anëtarët e KQV-ve, si për grupet e numërimit të votive.
– Derisa ka boshllëk në Kodin Zgjedhor, që të pengojë persona që janë dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata, të kandidojnë për kryetar bashkie, a janë “të lirë” edhe këta të dënuar, të kandidojnë e të bëhen kryebashkiak?
– Ndoshta ky boshllëk, ose ky kometim mund të plotësohet më vonë. Por në asnjë mënyrë nuk duhet konkluduar, se me që në Kod ekziston një mungesë e tillë, në postin e kryetarit të bashkisë apo anëtarëve të këshillit bashkiak, mund të kandidohen persona të dënuar për krim me vendim të formës së prerë të gjykatës. 

Kufizimet dhe ndalesat ligjore për personat e dënuar, që të mos ushtrojnë funksione publike
– Në kuadrin e diskutimeve për dekriminalizimin: veç parlamentit, organeve të drejtësisë, etj, shtrohet edhe çështja e pastërtisë në organet e zgjedhura dhe të emëruara të administratës publike. Ligjet në fuqi, a parashikojnë kufizime, ose ndalesa për funksione të veçanta të administratës publike?
– Kësaj pyetjeve nuk mund t’i përgjigjem me saktësi, por, në mos gaboj, kufizime, ose ndalesa të tilla parashikon ligji “Për Nëpunësin Civil”. Veç kësaj, sipas nenit 35 të Kodit Penal, e drejta për të ushtruar funksione publike, hiqen nga gjykata detyrimisht për një kohë jo më pak se 5 vjet ndaj personit që ka kryer një krim, që lidhet me detyrën, duke shpërdoruar funksionin publik, ose ka kryer një krum, për të cilin gjykata ka caktuar dënim me burgim, jo më pak se 10 vjet. Po, sipas dispozitës së mëparshme, heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike mund të jepet për një kohë nga 3-5 vjet, kur gjykata ka caktuar një dënim nga 5-10 vjet burgim dhe nga 1-3 vjet, kur është caktuar dënim deri në 3 vjet burgim. Nga sa thamë më sipër, del se kur personi caktohet, ose emërohet në fuksione publike, duhet të sigurohemi nëse ai është dënuar ose jo, dhe nëse atij me vendim të gjykatës i është hequr ose jo ushtrimi i funksionit publik dhe për sa kohë. E shikoj të përmend se ndalimi për të ushtruar funksione publike, sipas nenit 30 të Kodit Penal, është dënim plotësues. 
Sigal