Nismat e Kryeministrit Rama, opinionistët: Populiste, asgjë konkrete se si do zhvillohen

Nismat e Ramës tashmë janë bërë të zakonshme dhe të përditshme. I drejtohet njerëzve të zakonshëm për ndihmë. Ndërsa është i vetëm në timon, Rama ka marrë përsipër pastrimin e administratës. Fillimisht kërkoi nga qytetarët emrat e zyrtarëve të korruptuar dhe në fund publikoi 100 prej tyre. Mori kritika të shumta. Askush nuk e përkrahu në këtë nismë. Pothuaj të gjithë opinionistët dolën kundër. Edhe kundërshtarët e kritikuan për mënyrën se si ai kërkon të pastrojë administratën. Sipas tyre, Rama tashmë e ka përfunduar fazën e pastrimit, çdo gjë e ka në kokën e tij të parapërgatitur dhe se nismat e hedhura në facebook i ka vetëm për të mbuluar bëmat e tij. Pas nismës së parë, Rama tashmë kërkon nga njerëzit e zakonshëm, të japin notën e tyre për çdo shërbim që marrin në institucione. Opinionistët edh enë këtë rast janë skeptik. Shprehen se Edi Rama është populist. Ndërkohë ka të tjerë që thonë se kontrolli dhe vlerësimi i administratës duhet të kryhet, por nuk janë të sigurt për rrugën që do të ndiqet për të arritur këtë gjë. Por ja si i përgjigjen opinionistët pyetjes sonë! Fillimisht kërkoi nga qytetarët emrat e zyrtarëve që kishin abuzuar me detyrën. Tani u kërkon qytetarëve të vlerësojnë me pikë institucionet. Si e vlerësoni Ju këtë formë të përdorur nga kryeministri? Është kjo një mënyrë për të pastruar administratën dhe mbushur atë me militantë të së majtës? 

Alfred Lela
Unë i shoh si teknika të manipulimit të opinionit publik. Duke qenë se fusha ime e studimit dhe arsimimit është Komunikimi Politik, në këtë shkencë këto që bën z. Rama quhen 'marrëdhënie të përhershme publike në qeverisje'. Nuk e mbështes atë që bën opozita, që hedh kocka të vogla aty ku Rama më parë ka hedhur kocka të mëdha edhe më të mëdha, që 'qentë' të tërbohen edhe më shumë.

Nuk janë gjëra thelbësore për qeverisjen, biem dakord tek kjo, por janë thelbësore për komunikimin. Rama është Kryeministër në Komunikim dhe ka një strategji për këtë. Opozita, besoj do të ketë strategjinë e vet, sapo të dalë nga lufta e brendshme politike.

Vlerësimi me pikë i zyrtarëve është pjesë e këtij teatri PR-i të Ramës. Megjithatë, nuk mund të rri pa thënë se është qesharak. Kjo për dy arsye: Sepse Rama e di dhe e sheh veten si 'diktator të ndritur', pra si dikush që e sjell ndryshimin nga “lart-poshtë” dhe, përdor kur i shkrepet një anti-teknikë, që është “thirrja e popullit nën armë”, pra ndryshimi që vjen nga 'poshtë lart'.

E dyta arsye ka të bëjë me kapërcimin e kompetencave institucionale dhe mosrespektimin e pavarësisë së pushteteve. Edhe pse reforma në drejtësi është miratuar dhe institucionet e saj janë ngritur dhe po ngrihen, Kryeministri “thërret popullin” për t'i anuluar të gjitha. Për të thënë se Ai, Udhëheqësi, dhe Ata, Populli, në një simbiozë ‘hyjnore’ e kanë pushtetin në këtë vend. Këto janë janë amatorizma në qeverisje dhe profesionalizma në PR- (ku bashkohen djallëzia me populizimin).

Mentor Kikia
Vlerësimi i cilësisë së shërbimeve në administratë është një gjë shumë pozitive, pasi qytetarët gjithnjë e më shumë shfaqin ankesa për shërbimet. Por nuk jam shumë i qartë se si do të bëhet vlerësimi i qytetarëve për institucionet, pasi institucionet ne fund të fundit nuk janë makineri që vlerësohen në tërësi, ato përbehen nga njerëz dhe çdo kush ka përgjegjësinë e tij individuale. ra, nëse do të vlerësoheshin, duhej të vlerësoheshin zyrtarët. Por nuk e di nëse mund të behet një gjë e tillë për mijëra zyrtarë që punojnë në administratë. Pra, druhem se kjo do të jetë efektive. Pasi mund të ketë brenda, si proces, edhe fiktivitetin, apo dhe denoncime, apo vlerësime që bazohen tek raportet personale. Megjithatë përpjekjet për të matur performancën e institucioneve që ofrojnë shërbime për qytetarët duhen vlerësuar, pasi ata njerëz janë "qeveria" me të cilën përballen qytetarët çdo ditë.

Ilir Kulla
Ka vendosur të heshtë në këtë periudhë. Ndërkohë për të gjitha mendimet dhe sugjerimet e kryeministrit Edi Rama, Ilir Kulla ka përdorur një shprehje të vjetër, duke marrë shkas nga një libër. Njihet si një nga kritikët e kryeministrit Rama. I pyetur nga gazeta “Telegraf”, Kulla deklaroi se nuk kishte shumë dëshirë të shprehej në këto momente për çfarë ndodh në politikën tonë. Megjithatë ai deklaron: “Për të gjithë ata që do të japin notën për administratën publike, kam vetëm një sugjerim. Lexoni “Ngritja dhe Rënia e shokut Zylo”.