Nisma e Patozit kundër Bashës, analistët: Asgjë nuk ndryshon, gara ka dy kandidatë

501
Nismën e astrit Patozit për të mbledhur firma kundër kreut të ngrirë të Partisë Demokratike, Lulzim Basha analistët dhe një pjesë e politikës e kanë konsideruar diçka që nuk sjell asnjë ndryshim. Për ta të përjashtuarit kanë të drejtën të kundërshtojnë, por në një kohë kur gara ka nisur dhe përballa është mes Selamit dhe Bashës, gjithçka tjetër duket e kotë. Analistët shprehen se Patozi u vetë përjashtua nga gara dhe një tur i ndërmarrë prej tij nuk do të sillte asgjë të re. Sa për zgjedhjen brenda PD-së ata shprehen se e ka në dorë anëtarësia. Kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka deklaronte ata që sot janë hedhur në sulm, i mbajti Berisha për tetë vite në institucione dhe në krye të ministrive, ndërsa nuk patën asnjë meritë.
Arben Rrozhani
Turi i Astrit Patozit është jashtë agjendës zyrtare të partisë, sepse ai vetëmbeti jashtë garës për kryetar, si denoncuesi i një procesi që nuk pranohet nga një pjesë e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD-së, siç është Patozi dhe shumë figura të tjera të PD-së. Mendoj se nuk do të ketë asnjë ndikim në zhvillimet aktuale në PD, ku garojnë Basha dhe Selami, sepse edhe vetë gara ka fare pak ndikim në jetën e partisë kryesore të opozitës, që tani duket se nuk ekziston, pas humbjes së rëndë në zgjedhje. Ndoshta e vetmja meritë e Patozit për turin është simbolika, fakti se e nis nga Durrësi, ku dega e PD-së prej disa vitesh nuk ka ekzistuar, ku kreut të degës i thyen derën e zyrës pasi nuk dilte dhe nuk pranonte kryetarin e caktuar në Tiranë. Pra Patozi ka kapur anën simbolike të betejës së nisur me Bashën që i cakton vetë njerëzit dhe jo anëtarësia. Kjo në fakt nuk është tipike e tij, por e të gjithë kryetarëve, të cilët gjithsesi e kanë respektuar anën formale të zgjedhjeve. Por nga ana tjetër Durrësi është indiferent politikisht dhe kjo mund edhe ta minojë takimin e Patozit, ku nuk pres më shumë se 50-60 përkrahës, dmth anëtarë të zhgënjyer të PD-së. Por sido që të ndodhë Patozi dhe gjithkush tjetër që bën lëvizje reformuese në parti është për t’u vlerësuar, sepse i japin një dimension tjetër partisë, tipare demokratike, shpresë se ato nuk do të jenë vetëm prona të kryetarëve dhe se ato do të ndryshojnë, duke u bazuar te vota e drejtpërdrejtë e anëtarësisë dhe jo te vendimi i një njeriu për gjithçka dhe për këdo.
Koço Danaj
Basha nuk është pronar. Përdorimi në këtë formë siç po bënë një pjesë e politikës, del sikur partitë janë prona. Por ato janë organizma shoqëror politik organizative dhe në këtë aspekt, të gjithë do të ishin të lirë. Ne nuk jemi mësuar më këto gjëra prandaj na duken keq. Në garë janë dy individ që konkurrojnë për kreun e partisë. Basha ka ngrirë dhe është futur në frigorifer në pjesën e ngrirjes dhe jo të ftohjes.
Ervin Iljazaj
Edhe takimet e fundit të Patozit me anëtarësinë duke mos qenë në gare për kreun e PD-së duket më shumë si takime për të kërkuar elektorat për një lëvizje të re politike se sa për çështjet e brendshme të Partisë Demokratike. Megjithatë zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike për garën e Kryetarit të saj pas humbjes në zgjedhjet e 25 Qershorit, kanë shtruar përsëri një çështje shumë të rëndësishme të politikës shqiptare, atë të demokracisë së brendshme të partive politike. Janë fraksionet e ndryshme brenda një partie, të cilat bëjnë të konkurrojnë ide dhe jo persona. Sipas terminologjisë së shkencave politike një fraksion politik është një grup personash që organizohet brenda një partie në mënyrë autonome për të imponuar një linjë politike të caktuar. Një linjë politike, e cila ndërtohet mbi vlera, ideologji apo programe të caktuara. Këto ndërtojnë fraksione të shëndetshme brenda një partie politike dhe garojnë midis njëra-tjetrës për të përcaktuar linjën politike dhe me anë të saj dhe kryetarit që përfaqëson atë linjë. Kjo bën që demokracia e brendshme të jetë, jo vetëm një vlerë brenda një partie të caktuar, por edhe një vlerë për të gjithë shoqërinë. Nëse kthehemi te rasti i Partisë Demokratike dhe shohim kandidatët apo kundërshtarët e Lulzim Bashës, është e vështirë të kuptosh se çfarë përfaqësojnë brenda asaj partie, përveç historisë.
Nard Ndoka
Procesi i zgjedhjes së kryetarit të PD-së, është mes Selamit dhe Bashës. Të tjerët duhet të lobojnë dhe votojnë. Çdo sajesë tjetër është përpjekje për të minuar procesin. Politikanë pa shtyllë kurrizore që, për fat të keq i mbajti Berisha tetë vite si drejtues institucionesh, por sot po tregojnë se nuk kanë as mbështetje dhe as shtyllë kurrizore për të vazhduar më tej. 
Sigal