Nisma e opozitës për Kryeprokurorin, Kryemadhi: Kërkojmë që Kuvendi të futet në shina

497
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka folur sot për nismën e opozitës të paraqitur ditën e djeshme në Kuvend, për ndryshimin në Kushtetutë dhe ligj sa i takon specifikave për zgjedhjen e Kryeprokurorit të përkohshëm. Ajo gjithashtu theksoi se protesta e paralajmëruar e opozitës më 27 janar do të jetë paqësore por se policia duhet të jetë e kujdesshme dhe të mos provokojë.
Në një bashkëbisedim me gazetarët, kryetarja e LSI theksoi se nisma e opozitës synon ta kthejë Parlamentin në shina, dhe të shmang kapjen e reformës në drejtësi nga kryeministri Rama.
“Dje opozita u tregua e përgjegjshme dhe serioze, pavarësisht se mazhoranca përpiqet ta quajë si një kartë politike. Por nuk mund të jetë e tillë kur mazhoranca nuk pranon të ulet dhe ta lexojë këtë nismë. Ne kërkuam kthimin e Parlamentit në ligjshmëri. Ne jemi të sinqertë në propozimet tona, nuk kemi asnjë lloj karte politike, duam të zbatohet reforma në drejtësi, i vetmi që e ka kapur këtë reformë për interesat e veta, është Edi Rama. Ne duam që termi Prokuror i Përkohshëm të përfshihet në Kushtetutë. Jemi të gatshëm për t’u ulur dhe për ta futur vendin në shina politike”, u shpreh kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.
Lidhur me protestën, kryetarja e LSI-së tha se dhunën e ka sjellë Rama duke i kujtuar 21 janarin.
“Shqiptarët janë aq të lodhur dhe aq të zhgënjyer me klasën politike dhe protesta e 27 janarit do të jetë një protestë paqësore ku të gjithë shqiptarët që janë të pashpresë, që janë të papunë, i ftojmë të protestojnë me prezencën tonë. Edhe pse ai kërkon të blejë varfërinë me paratë e drogës, shpirtin nuk ua blen dot. Në imazhin e shqiptarëve është krijuar ideja e protestave të dhunshme, dhunën e solli Rama në 21 janar. Protesta e dhjetorit ishte paqësore. Policia dhunoi disa gra dhe vajza. Dhuna nuk është nga njëra anë, dhuna është kush e provokon dhe policia duhet të jetë e kujdesshme të mos provokojë qytetarët. Rrugët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë janë jo vetëm për të ecur por edhe për të protestuar, në një vend demokratik siç pretendojmë që jemi”, tha Kryemadhi.
Sigal