Nisin punësimet me kontratë deri në mbarim të zgjedhjeve

51

Maks  TUFA


“Rilindja” në sulm: “Sabotoni dhe denonconi publikisht njerëzit e LSI, për t’u dëmtuar imazhin

PS fut në veprim skenarin për joshje me punësime mashtruese, me kontrata 6 mujore deri pas zgjedhjeve të 18 qershorit
Pothuajse në të gjitha rrethet kanë nisur të mblidhen shtabet apo siç quhen ndryshe këtë vit “korpuset” e fushatës. Një përgatitje në kufijtë e marrëzisë, një organizim mbi, dhe nën rrogoz, për të mposhtur dhe ndalur sipas tyre “rikthimin e Saliut në pushtet”. Kjo fushatë e ka pikënisjen e saj, me gjoja “punësimin”, pasi ai mbetet edhe problem më i mprehtë social që ka shkaktuar zemërimin e shumicës së bazës socialiste në qeverisjen e Rilindjes. Lart në qeveri, çdo ministër i Rilindjes , ka bërë gati dhe ka shpërndarë në rrethe, listat e punësimeve, por jo duke i justifikuar si shpenzime me para nga buxheti shtetit, gjë e cila lë shtegun e abuzimeve . Është mbledhur dje në orët e vona të darkës ‘korpusi” fushatës së Rilindjes edhe në Elbasan, nga ku janë sjellë habere të mira për disa qindra punësime elektorale, të vlefshme vetëm për 4-5 muajt e ardhshëm. Drejtuesit e fushatës janë mbledhur dhe kanë lexuar “sihariqin” e Ramës për nisjen e punësimeve sipas kategorive, në Bashki, Tatime, në Ujësjellës, në Spitale, në Arsim dhe Kulturë , në Polici dhe Ushtri, dhe e pakta mbi 2500 të tjerë në dhjetëra biznese, të cilëve do tu imponohet marrja e tyre deri në korrik 2017. Janë urdhëruar gjithashtu të gjitha organizatat e partisë në lagje dhe zona periferike, të sjellin emrat e militantëve të mbetur të papunë në 4 vitet e fundit, dhe lista e atyre që premtojnë vota në grup. Sipas burimeve tepër të sigurta “korpusi fushatës ka porositur të bëhet kujdes me LSI, të sabotohen dhe dëmtohen ata me çdo mënyrë, me propagandë , denoncime apo forma të tjera”. Gjithashtu pjesë e fushatës së Rilindjes, do të jenë edhe dhjetëra biznese lagjesh, me të cilët do të punojnë “pagatorët” e fushatës, ata që do të mbledhin dhe do të shlyejnë debitë financiare të qindra familjarëve, që deri sot kanë marrë ushqime me listë, dhe kuptohet se gjithçka do të bëhet në këmbim të votave. Korpusi fushatës u ka lënë detyrë drejtorëve, të shtojnë në listëpagesat e tyre, edhe shtesat e fuqisë punëtore për një afat të pacaktuar, duke angazhuar maksimalisht në ditët e fushatës veç stafit, edhe “rekrutët” e rinj. Ditët e fundit në selitë dhe zyrat e Rilindjes në qendër dhe rrethe, janë parë qindra hallexhinj, militantë që ende shpresojnë dhe të tjerë që mendojnë se do të marrin ndonjë thes me miell apo ndonjë vend të përkohshëm pune si roje objekti, duke pritur ndonjë lajm të mirë. Të angazhuar janë edhe të rinjtë e Rilindjes, të cilët po mungojnë në shkolla dhe fakultete, me shkakun e “fushatës” dhe thirrjet “Rama-Fitore”. Duket se kjo fushatë ka nisur më herët se e zakonshmja, me shumë ulërima dhe zhurmë “gëzimi” , ndoshta një shenjë frike e Rilindjes për një humbje të paralajmëruar.