Nisin përplasjet brenda vetingut, procedim komisionerit

588
Shpërthejnë debatet dhe përplasjet brenda komisioneve të vetingut të prokurorëve e gjyqtarëve. Një komision disiplinor, i përbërë prej tre anëtarësh së Kolegjit të Apelimit, pritet të mblidhet të hënën më 5 mars, për të shqyrtuar procedimin disiplinor kundër Komisionerit Publik Heral Saraçi. Komisioni disiplinor do të përbëhet nga gjyqtarët Sokol Çomo, Albana Shtylla dhe Ardian Hajdari. “Lidhur me këtë procedim disiplinor, gjyqtari hetues zj. Natasha Mulaj ka depozituar në datë 26 shkurt 2018, për shqyrtim pranë Komisionit Disiplinor, Raportin mbi rezultatet e hetimit për shkelje disiplinore”, tha Kolegji i Posaçëm i Apelimit në një njoftim për shtyp. “Ky procedim disiplinor ka filluar me kërkesë të vëzhguesve ndërkombëtarë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit”, shtoi Kolegji i Apelimi, duke nënvizuar së treshja e gjyqtarëve duhet të marrë një vendim brenda 15 ditësh nga marrja e raportit. Komisioneri Publik është një institucion i ngritur si pjesë e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili ka për detyrë përfaqësimin e interesit publik gjatë kryerjes së vetingut. Sipas Kushtetutës ky institucion ushtron apelimin e vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe përgatit raporte me shkrim në rastet e refuzimit për moszbatimin e rekomandimeve te Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për të paraqitur ankim ne Kolegjin e Apelimit. Komisioneri Publik rivlerëson deklaratat e subjekteve, si dhe bashkëpunon me institucionet vendase dhe të huaja për të konfirmuar vërtetësinë e deklarimeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve të marrë nën hetim. Njoftimi i Kolegjit të Apelimit nuk bën të qartë se cilat janë shkeljet e pretenduara të Saraçit. Institucioni i Komisionerit Publik ka aktualisht dy komisionerë të zgjedhur dhe dy zëvendësues, ku përveç Saraçit, përfshihet dhe Komisioneri Florian Ballhysa. Në rast se Saraçi shkarkohet nga detyra, ai do të zëvendësohet nga një nga komisionerët zëvendësues Aldona Sylaj dhe Dariel Sina, të cilët nga kanë marrë secili nga 6 vota në komisionin parlamentar ad hoc.
Sigal