Nishani: Vendimet e mia jopolitike, transparencë në inspektimet e KLD-së!

496
Sigal

Presidenti në “Zëri i Amerikës: “Koordinimi mes institucioneve do ndihmonte transparencën”

Presidenti i vendit Bujar Nishani  në një intervistë te “Zëri i Amerikës” pranon se duhet të ketë më transparencë në procedurat e inspektimit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. “Koordinimi mes institucioneve do e ndihmonte shumë transparencën”,- deklaroi Nishani.

Gazetari: Zoti President, a mendoni ju se, gjatë mandatit tuaj,  fenomeni i pandëshkueshmërisë  mund të përmbyset dhe mund të rikthehet ajo, që sapo përmendët dhe ju, besimi i qytetarëve tek drejtësia?

Presidenti Nishani:  Kam besim të plotë që do të ketë një reflektim pozitiv në vitet që vijnë duke pasur parasysh objektivat, që përmenda pak më parë, pra, ofrimin e atyre kapaciteteve më të mira që kemi ne mes komunitetit të gjyqtarëve, mes komunitetit të prokurorëve pikërisht në drejtimin dhe menaxhimin e këtij sistemi. Unë i kam kërkuar para pak kohe, në një takim që kam pasur në Gjykatën e Lartë, një bashkëpunim Gjykatës së Lartë, anëtarëve të saj, duke shkuar drejt një standardi të unifikimit të praktikave gjyqësore për çështje, të cilat janë të rëndësishme, si atyre të aspektit penal, ashtu dhe në aspektin civil. Duke pasur një model të tillë unë besoj se ne do ta vendosim sistemin e drejtësisë dhe kryesisht atë të gjyqësorit në një rrugë, e cila është haptazi e qartë dhe e mundshme për të kthyer këtë vizion dhe këtë faqe, që sot është një shqetësim dhe një sfidë e vërtetë për shoqërinë shqiptare, por edhe përtej shoqërisë.

Gazetari:  Si do ju përgjigjeni ju  shqetësimeve, që të keni gjykatës cilësorë?

Presidenti Nishani: Ajo që unë mund t’ju them qytetarëve shqiptarë është se si e shoh unë, tashmë si Kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në rastin konkret, apo të rasteve të tjera që mund të jenë të ngjashme me to. Ka të bëjë shumë mënyra e organizmit dhe e orientimit të vëmendjes dhe të prioriteteve në kuadrin e inspektimeve, që kryen Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Së pari, ne duhet të kemi një procedurë jo vetëm transparente, por qartazi të përcaktuar në kritere, e cila, jo vetëm do të krijojë mundësinë për të inspektuar dhe verifikuar të gjitha shkeljet, por, nga ana tjetër, t’i japë dhe garancinë për mos pasjen e mundësive për të abuzuar me fuqinë e inspektimit, apo për të ushtruar më pas presioneve të padrejta ndaj gjyqtarëve shqiptarë. Pra, jemi të orientuar për të ecur paralelisht në të dyja këto drejtime. Pikërisht, këtu ka qenë dhe fokusi që, pak kohë më parë, patëm nënshkrimin e një memorandumi mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë për inspektimet. Nga ana tjetër, po punohet ngushtësisht dhe me institucione të tjera. Unë do e orientoj Këshillin e Lartë të Drejtësisë të bashkëpunojë ngushtë edhe me Prokurorinë për të pasur një netvvork komunikimi dhe shkëmbimi të informacioneve të të gjitha praktikave gjyqësore, të cilat lidhen me fenomene të tilla. Koordinimi midis institucioneve do të jetë një element i rëndësishëm, i cili, jo vetëm do të ndihmojnë njëri-tjetrin, pra çdo institucion në përmbushjen e misionit të tij, do ta bëjë më transparente punën tonë, por do të bëhet edhe pengesë për raste të tilla, të cilat kanë ardhur vetëm për shkak të abuzimit.