Nishani uron Presidentin e ri të Gjermanisë: Vullnet për bashkëpunim

537
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të zgjedhur të Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.
Në mesazhin e tij, Presidenti Nishani vlerëson rolin e Steinmeier dhe ndihmën që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë.
“I nderuar Zoti President, Ju uroj përzemërsisht për zgjedhjen tuaj si President i Republikës Federale të Gjermanisë, si dhe suksese në përmbushjen e agjendës dhe angazhimeve tuaja presidenciale.
Jam i bindur se falë eksperiencës suaj të gjatë e shumëdimensionale, marrëdhëniet e shkëlqyera dhe të partneritetit mes dy vendeve dhe popujve tanë do të forcohen edhe më shumë gjatë mandatit tuaj presidencial. Ju siguroj se shqiptarët janë shumë mirënjohës për ndihmën e madhe që Gjermania dhe populli gjerman i kanë dhënë, veçanërisht për ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike pas ndryshimeve demokratike, si dhe një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e social.
Shpreh gjithashtu besimin se, pavarësisht angazhimeve dhe sfidave të mëdha që keni përpara, vëmendja dhe mbështetja juaj ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, në procesin e integrimit evropian, do të vijojë të jetë shumë domethënëse.
Me dëshirën për t’ju takuar në një kohë sa më të afërt, ju siguroj për dëshirën dhe vullnetin tim për të bashkëpunuar ngushtë me ju, si në funksion të intensifikimit të mëtejshëm të marrëdhënieve tona dypalëshe ashtu edhe për ato rajonale.” – shkruhet në mesazhin e urimit të Presidentit Nishani.
Sigal