Nishani uron homologun italian: Falenderojmë Italinë për ndihmën ndaj Shqipërisë

411
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Republikës Italiane, Sergio Mattarella me rastin e Festës së Republikës Italiane. Në urimin e tij Nishani shkruan se falë lidhjeve historike e kulturore të miqësisë, si dhe bashkëpunimit shumëdimensional ekonomik e shoqëror, sot trashëgojmë marrëdhënie të shkëlqyera të një partneriteti strategjik.
“Kremtimi Festës së Republikës Italiane, më jep kënaqësinë e veçantë që në emrin tim personal dhe të popullit shqiptar, t’Ju dërgoj Juve dhe popullit mik italian urimet më të ngrohta e më miqësore. Përfitoj nga rasti që, në këtë ditë të shënuar për vendin dhe popullin tuaj, të shpreh edhe njëherë mirënjohjen në emër të të gjithë bashkëqytetarëve të mi, për ndihmën e madhe që Italia i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, veçanërisht në dy dekadat e fundit. Ndihma e Italisë për rimëkëmbjen ekonomike pas rënies së komunizmit, si dhe mbështetja e gjithanshme për anëtarësimin në NATO dhe procesin e afrimit të vendit me Bashkimin Evropian, mbeten të pazëvendësueshme. 
Gjithashtu, dëshiroj që të theksoj se, falë lidhjeve historike e kulturore të miqësisë, si dhe bashkëpunimit shumëdimensional ekonomik e shoqëror, sot trashëgojmë marrëdhënie të shkëlqyera të një partneriteti strategjik, me të gjitha mundësitë për t’i zhvilluar e thelluar ato më tej. Duke ju siguruar për ndjenjat e miqësisë së popullit shqiptar, Ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, shkruan Nishani.
Sigal