Nishani takon Sewall: Shqipëria e angazhuar në luftën ndaj terrorizmit

502
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim të veçantë Nënsekretaren amerikane të Shtetit për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, Sarah Sewall, e cila po zhvillon një vizitë pune në Shqipëri dhe do të marrë pjesë në Samitin e parë Rajonal të Luftës Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.
Presidenti i Republikës e informoi gjithashtu Nënsekretaren Sewall për angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe adresimin e çështjes së të ashtuquajturve “luftëtarë të huaj të shtetit islamik ISIS/ISIL”, duke u ndalur në: koordinimin mes agjencive të specializuara ligj-zbatuese në Shqipëri; masat e marra për përmirësimin e legjislacionit përkatës; identifikimin dhe adresimin e faktorëve lokalë e socialë në parandalimin e rekrutimit dhe radikalizimit; si dhe në bashkëpunimin me vendet e tjera partnere të rajonit apo edhe më gjerë.
Duke vlerësuar rolin lider të Shteteve të Bashkuara në koalicionin e luftës kundër terrorizmit si dhe partneritetin mes dy vendeve për adresimin e ekstremizmit dhe radikalizmit në nivel lokal dhe global, Kreu i Shtetit shprehu besimin se, bazuar në traditën më të mirë të harmonisë fetare, Samiti i Parë Rajonal që do të zhvillohet në Tiranë, në dy ditët e ardhshme, për Luftën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm do të përcaktojë qartë piketat e ardhshme të bashkëpunimit mes aktorëve lokalë, rajonalë dhe globalë si dhe do të përpunojë strategjitë e nevojshme për adresimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen dhe falënderimet në emër të shtetit shqiptar për ndihmën e gjithanshme dhe të vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve si dhe për mbështetjen në anëtarësimin e vendit në NATO.
Kreu i Shtetit përshëndeti edhe njëherë nënshkrimin e dokumentit të Partneritetit Strategjik mes dy vendeve, duke e konsideruar atë një dokument shumë të rëndësishëm për intensifikimin e dialogut politik për të gjitha çështjet me interes strategjik si dhe e garantoi zyrtaren e lartë amerikane se Shqipëria do të jetë gjithmonë një aleate e vendosur dhe e sinqertë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Zyrtarja amerikane, nga ana e saj, shprehu vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për vullnetin e demonstruar nga Shqipëria në organizimin e Samitit të Parë Rajonal për Luftën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm si dhe theksoi nevojën e zhvillimit të një plani veprimi kombëtar për adresimin e këtyre sfidave.
Me interes u bisedua edhe mbi zhvillimet më të fundit rajonale, ku Presidenti i Republikës tërhoqi vëmendjen për rreziqet që vijnë nga prishja e marrëdhënieve ndëretnike. Duke ritheksuar edhe njëherë qëndrimin e palëkundur të politikës së jashtme të Shqipërisë në funksion të paqes dhe stabilitetit të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Kreu i Shtetit u shpreh se: “roli dhe prezenca e Shteteve të Bashkuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbeten jetësore dhe të pazëvendësueshme”.
Sigal