Nishani takon Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Bosnjes

439
Nishani takon Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Prlamentit të Bosnjes: Të forcohet bashkëpunimi mes dy vendeve Presidenti Nishani takohet me Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Bosnje dhe Hercegovinës, zonjën Borjana Krišto, nënkryetarin e kësaj Dhome, zotin Šefik Džaferović, si dhe përfaqësuesin e Dhomës së Popujve, zotin Safet Softić Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në kuadrin e vizitës zyrtare në Bosnje dhe Hercegovinë, zhvilloi sot një takim me përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare, zonjën Borjana Krišto, Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, si dhe zotërinjtë Safet Softić dhe Šefik Džaferović, respektivisht Nënkryetar i Parë i Dhomës së Popujve dhe Nënkryetar i Dytë i Dhomës së Përfaqësuesve.

 Presidenti i Republikës vlerësoi dëshirën dhe vullnetin e përbashkët për forcimin dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, por edhe për kontributin që të dy vendet po ofrojnë në kuadrin e paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës Juglindore. Duke theksuar rolin shumë të rëndësishëm që luan bashkëpunimi ndërparlamentar në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe ato rajonale, Presidenti Nishani përshëndeti vullnetin e parlamentarëve boshnjakë për mbështetjen e intensifikimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy vendeve. Kreu i Shtetit përshëndeti aplikimin e bërë së fundmi nga Bosnje-Hercegovina për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, si dhe ripërsëriti mbështetjen e Shqipërisë në kuadrin e NATO-s, përmes mbështetjes së politikës së dyerve të hapura për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që e aspirojnë një gjë të tillë. “Anëtarësimi i Bosnje dhe Hercegovinës në NATO dhe në BE do të jetë një vlerë e shtuar për sigurinë rajonale dhe për zhvillimin e tij gjithashtu.” – u shpreh Presidenti Nishani.

 Presidenti i Republikës theksoi gjithashtu nevojën e krijimit të një klime sa më të mirë për bashkëpunimin ekonomik dhe nxitjen e kontakteve të drejtpërdrejta mes përfaqësuesve dhe institucioneve të biznesit, por edhe mes qytetarëve të të dy vendeve. “Ekzistojnë të gjitha mundësitë që bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve tona të kapërcejë nivelet aktuale dhe për këtë duhet të eksplorohen sa më mire të gjitha mundësitë si në aspektin dypalësh ashtu edhe të përfshirjes në projektet rajonale energjetike dhe infrastrukturore.” – u shpreh Presidenti Nishani. Një vëmendje të veçantë Presidenti Nishani ia kushtoi edhe bashkëpunimit rajonal, duke theksuar nevojën e mbështetjes së frymës së re bashkëpunuese të krijuar, veçanërisht në dy vitet e fundit, duke kërkuar mbështetjen e politikës së Bosnje dhe Hercegovinës për rishikimin e pozicionit të njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës. Duke i njohur bashkëbiseduesit me politikën e konsoliduar të Shqipërisë për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit, Kreu i Shtetit u shpreh se: “Nisur nga orientimi ynë evropian, si dhe nevoja për forcimin e mëtejshëm të stabilitetit dhe rritjes së prosperitetit, rajoni ynë ka më shumë se kurrë nevojë për praninë dhe kontributin e të gjitha vendeve, përfshirë dhe të Kosovës. Njohja e Pavarësisë së Kosovës nga Bosnja dhe Hercegovina do të ishte një kontribut shumë i qenësishëm në këtë drejtim.” Presidenti Nishani shprehu gjithashtu besimin se, marrja e iniciativës nga ana e Bosnje dhe Hercegovinës për të organizuar këtë vit Samitin e Procesit të Brdo-Brijunit në Sarajevë do të kontribuojë në këtë drejtim. Duke iu referuar pranisë së komunitetit shqiptar në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe atij boshnjak në Shqipëri, Presidenti Nishani i konsideroi ato si ura lidhëse që i afrojnë më shumë dy vendet.
Sigal