Nishani shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të gazetarit Agim Nezaj

524
Presidenti Bujar Nishani u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të gazetarit të njohur, pedagogut të Shkencave të Komunikimit dhe juristit Agim Nezajt, nëpërmjet një mesazhi të bërë publik ku shkruhet:
“Të nderuar familjarë të Agimit të ndjerë,
Me keqardhje të thellë mësova për ndarjen e parakohshme nga jeta të Agim Nezajt, i cili gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij ia përkushtoi përmbushjes së misionit fisnik të gazetarit dhe artit të vështirë të komunikimit me publikun, ku u shqua për mjeshtërinë dhe gojëtarinë e rrallë.
Ky personalitet mbresëlënës, me një kontribut të spikatur çerekshekullor në gazetari, në komunikim, në jurisprudencë si dhe në lartësimin e emrit të Shqipërisë në sytë e të huajve, përçoi ngaherë tek publiku shqiptar me një ndjenjë të lartë profesionalizmi vlerat më të spikatura profesionale dhe njerëzore.
Me ikjen e parakohshme të Agimit, gazetaria shqiptare, arti i komunikimit me publikun dhe institucionet tona shtetërore, ku u shqua për vite me radhë si një zëdhënës dhe këshilltar për shtyp i përkryer dhe jetëgjatë, humbën një nga personalitetet e spikatur, një nga pikat kryesore të referimit akademik dhe mbi të gjitha njerëzor, ndërsa ju, bashkëshortin, prindin dhe të afërmin tuaj më të shtrenjtë.
Ju lutem, më lejoni të ndaj me ju dhimbjen e thellë dhe në këto momente të vështira t’ju gjendem pranë shpirtërisht duke ju shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta personale dhe institucionale!”, theksohet në mesazhin e Kreut të Shtetit.
Sigal