Nishani: Shitblerja e votës ndikoi në rezultatin e zgjedhjeve

69
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u shpreh se shitblerja e votës ka qenë një nga dy problemet e mëdha që shoqëruan zgjedhjet parlamentare. “Informacionet e mia zyrtare, serioze tregojnë që është përdorur resurs i madh financiar për të blerë votat në të gjithë territorin shqiptar”, tha Nishani për RTSH-në. Presidenti sheh si problem të parë mospjesëmarrjen dhe beson se shitblerja e votës ka ndikuar në mandate dhe rezultatin e përgjithshëm. “Nuk ka diskutim. Në mandatet dhe në rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve. Për sa kohë ndikon në mandate, mandatet përbëjnë rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve”, tha Nishani, duke u shprehur kritik për këtë fenomen ndaj organeve ligjvënëse. “Fakti që nuk ka pasur në raport me fenomenin, në gjykimin tim, minimumin e reagimit dhe goditjes së këtij fenomeni në përqindje, as minimumin në gjykimin tim, tregon që ose është toleruar nga institucionet e zbatimit të ligjit ky fenomen, ose kanë qenë të paaftë për ta identifikuar e për ta goditur. Fenomeni i shitblerjes së votës po kthehet në një kulturë shoqërore për fatin e keq dhe që po thellohet”, tha Nishani.

Gjithashtu presidenti Nishani u shpreh edhe për zhvillimet në Partinë Demokratike dhe për të ardhmen e tij pas 24 korrikut, ditë kur mbaron mandati si President. “Unë jam investuar në politikë, por nuk kam asnjë platformë, asnjë ide, asnjë qëllim për t’u kthyer kryetar partie apo për t’u bërë kryetar partie apo për të krijuar një parti politike”, tha Nishani.