Nishani refuzon përzgjedhjen me short të KED: Jo efektiv pa 7 ligjet

508
Presidenti i republikës, Bujar Nishani ka refuzuar përzgjedhjen me short të anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi KED. Përmes një njoftimi të botuar në faqen zyrtare të Presidencës sqarohen me hollësi arsyeja e këtij refuzimi nga ana e kreut të shtetit i cili kërkon që të rishiten dispozitat kushtetuese lidhur me këtë rast. Sipas Nishanit, procesi i përzgjedhjet do të ishte joefektiv derisa ende nuk janë votuar 7 ligjet e reformës në drejtësi.
Ligji nr 76/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, i cili hyri në fuqi në datë 11 Gusht 2016 ka përcaktuar kompetencën e Presidentit të Republikës në përzgjedhjen me short të anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi brenda pesë ditëve nga hyrja në fuqi e Ligjit.
Referuar nenit 179, pika 11, “Dispozita kalimtare dhe të fundit” të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar, Presidenti i Republikës, përzgjedhjen e anëtarëve të këtij Këshilli duhet ta bëjë me short sipas nenit 149/d, pika 3 e Kushtetutës të ndryshuar, në të cilën përcaktohet se “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore”.
Sipas kësaj dispozite, këta anëtarë të zgjedhur me short do të duhet t’i nënshtrohen menjëherë rivlerësimit kalimtar të kualifikimit për gjyqtarë dhe prokurorë sipas nenit 179/b të Ligjit.
Nga ana tjetër, neni 149/d pika 5 e Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, e ndryshuar, përcakton se në përzgjedhjen e kandidatëve që marrin pjesë në short do të merren në konsideratë dhe kritere të tjera, të cilat do të parashikohen në një ligj të posaçëm.
Presidenti i Republikës, në rolin e Kreut të Shtetit dhe në ushtrim të funksioneve të dhëna në Kushtetutë, duke shprehur vullnetin për efiçencën e reformës në drejtësi, vlerëson se ndryshimet Kushtetuese, të cilat erdhën në saje të një konsensusi politik kanë nevojë të shoqërohen nga ligjet e tjera, të cilat vetë Kushtetuta ka referuar dhe që duhet të bëhen pjesë e këtij konsensusi.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 4, pika 3 të Saj parashikon se “dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërsëdrejti, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe”.
Gjykata Kushtetuese në vendimin nr. 2, dt. 18.01.2005 ka mbajtur qëndrimin se “çdo dispozitë e Kushtetutës duhet të interpretohet në mënyrë të tillë që të jetë e pajtueshme me parimet themelore kushtetuese, pasi çdo dispozitë kushtetuese është në një lidhje të caktuar me dispozitat e tjera dhe së bashku, ato formojnë një entitet” dhe se “asnjë dispozitë e Kushtetutës nuk mund të nxirret jashtë kontekstit të Saj dhe të interpretohet më vete”.
Ndërsa në vendimin nr. 29, datë 09.11.2005 Gjykata Kushtetuese, duke çmuar rëndësinë e parimit të epërsisë të Kushtetutës, ka mbajtur qëndrimin se “Kushtetuta si ligj themelor i shtetit, detyron të gjitha organet e pushtetit publik që t’i ushtrojnë kompetencat e tyre vetëm në kuadër dhe në bazë të normave kushtetuese, që përbën një parim tjetër të rëndësishëm, atë të kushtetutshmërisë funksionale”.
Në të njëjtin rast, Gjykata Kushtetuese ka mbajtur qëndrimin se “normat kushtetuese mund edhe të mos gjejnë zbatim drejtpërsëdrejti, kur Kushtetuta ka ngarkuar posaçërisht organet shtetërore përkatëse për të nxjerrë ligjet dhe aktet e tjera nënligjore, me qëllim rregullimin e marrëdhënieve në fusha të ndryshme dhe në përputhje me hierarkinë e normave” dhe se “… është Kushtetuta që autorizon ligjvënësin, që duke respektuar konceptet dhe parimet kushtetuese, të caktojë kufijtë e hapësirës rregulluese nëpërmjet nxjerrjes së normave juridike”.
Në rastin konkret, në dispozitat kalimtare dhe të fundit, në pikën 11 të nenit 179 të Kushtetutës, së ndryshuar, legjislatori ka përcaktuar se Presidenti i Republikës duhet të organizojë shortin në pesë ditë nga hyrja në fuqi e Ligjit, duke bërë referencë nenin 149/d pika 3, ku përcaktohen numri, përkatësia e gjyqtarëve që do të përfshihen në short si dhe kriteri përjashtues i masës disiplinore.
Madje, dispozita përcakton se menjëherë pas përzgjedhjes me short, të zgjedhurit do t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit sipas përcaktimeve kushtetuese në nenin 179/b nga Komisionet përkatëse, të cilat akoma nuk janë krijuar dhe që referohen në një ligj të posaçëm.
Në këto kushte, procesi i përzgjedhjes do të ishte joefektiv, për sa kohë nuk është e qartë se kur do të miratohen ligjet e referuara.
Presidenti i Republikës vlerëson se në përzgjedhjen e kandidaturave që do t’i nënshtrohen shortit, është e nevojshme që të merren në konsideratë dhe “kriteret e tjera”, të cilat Kushtetuta në pikën 5 të nenit 149/d i ka referuar në ligjin e posaçëm, i cili akoma nuk është miratuar.
Referuar jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese të cituar më sipër, Presidenti i Republikës vlerëson se ndodhemi në rastin e rezervës ligjore absolute, ku norma kushtetuese ia rezervon vetëm ligjit rregullimin e kritereve të tjera për shkallën e kualifikimit të kandidatëve, të cilët do t’i nënshtrohen shortit për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
Pavarësisht, se dispozita 179 pika 11 e Kushtetutës së ndryshuar, referon vetëm në pikën 3 të nenit 149/d, ajo nuk mund të interpretohet më vete dhe të anashkalohet pika 5, e cila kërkon detyrimisht “kritere të tjera” për shkallën e kualifikimit të kandidatëve që do t’i nënshtrohen shortit, përveç atij përjashtues të masës disiplinore.
Kjo dispozitë duhet interpretuar me tërësinë e normave kushtetuese, duke respektuar parimet kushtetuese.
Duke marrë në konsideratë që Këshilli e Emërimeve në Drejtësi është një nga organet më të rëndësishme në hierarkinë e organeve të pavarura në drejtësi, Kushtetuta ka pasur si qëllim që të përzgjidhen kandidatët me cilësitë më të larta dhe për të respektuar parimin e kushtetutshmërisë funksionale, çmoj se në mungesë të kritereve të tjera që do të përcaktohen me Ligj, Presidenti i Republikës e ka të pamundur të organizojë shortin dhe aq më tepër të përzgjedhë anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Në mungesë të ligjeve që përcakton kriteret e tjera të kualifikimit të kandidatëve për t’u zgjedhur në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi apo edhe të ligjit të organizimit dhe funksionimit të organeve që do të bëjnë rivlerësimin e anëtarëve të përzgjedhur me short, ky short do të ishte joefektiv dhe nuk do t’i shërbente aspak qëllimit për të cilin u bënë edhe ndryshimet kushtetuese.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës si iniciator i reformës në drejtësi, nga fillimi u ka kërkuar palëve politike të arrijnë kompromisin.
Pavarësisht rrugëtimit të kësaj reforme, pasojat e të cilës janë të ndjeshme që në momentin e parë të zbatimit të Kushtetutës, të ndryshuar, Presidenti i Republikës ka vlerësuar dhe vlerëson konsensusin e arritur në miratimin me unanimitet të plotë të ndryshimeve kushtetuese.
Presidenti i Republikës në këtë moment të parë të zbatimit të ndryshimeve kushtetuese është konsultuar me ekspertë të fushës, forcat politike në vend, të cilat bënë të mundur unfikimin e votës në një proces kaq të rëndësishëm si dhe me Kuvendin e Shqipërisë.
Në vazhdën e një procesi konsensual dhe të bashkëpunimit të institucioneve, Presidenti i Republikës ka vlerësuar se përveç interpretimit të Kushtetutës, rëndësi merr dhe vlerësimi i qëndrimit të faktorit politik, i cili bëri të mundur që reforma në drejtësi të kishte produkt ndryshimet kushtetuese të dakortësuara.
Faktori politik ka pranuar se Kushtetuta në shumë raste ka referuar në ligje të tjera të posaçme, të cilat e bëjnë të mundur zbatimin e Saj, dhe njëkohësisht ka pranuar se është e pamundur të respektohen afatet e vendosura me qëllim ushtrimin e një kompetence efektive nga Presidenti i Republikës dhe për më tepër të respektimit të kushtetutshmërisë funksionale.
Për të gjitha arsyet më sipër, në pozitën e Presidentit të Republikës vlerësoj se nuk mund të ushtroj të drejtën e përzgjedhjes me short të anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, përsa kohë mungon ligji i posaçëm që përcakton kriteret e tjera për kualifikimin e kandidatëve që do t’i nënshtrohen shortit.
Afatet e vendosura nuk mund të respektohen dhe çmoj se dispozitat përkatëse të Kushtetutës duhet të rishihen, referuar edhe ligjeve të tjera referuese që do të miratohen.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës gjen rastin edhe një herë, t’u bëjë thirrje palëve politike që të angazhohen për të arritur sa më parë konsensusin për të miratuar ligjet e tjera të posaçme, pa të cilat Kushtetuta e ndryshuar nuk mund të zbatohet.
Sigal