Nishani refuzon maxhorancën: Anëtarët e Gjykatës së Lartë sipas ligjit në fuqi

451
Sigal

Presidenti Nishani, i përgjigjet negativisht maxhorancës, duke refuzuar kërkesën e krerëve të grupeve parlamentare të PS dhe LSI për rihapje të garës me ligjin e ri për 3 vendet vakant në Gjykatën e Lartë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kreu i Shtetit ka deklaruar se do të respektojë procedurat në fuqi për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. ‘Nuk ka asnjë ligj të ri që ka hyrë në fuqi. Kemi një ligj i cili është ende në fuqi, dhe si president i Republikës jam i detyruar së pari të zbatoj kohën e parashikuar në ligj dhe në kushtetutë për procesin, ato kritere që ka ligji. Në këtë rast vazhdoj të konstatoj me keqardhje mungesën e vullnetit të shumicës për të zbatuar vendimet e Gjykatës kushtetuese, pasi ka një vendim që përcakton qartë se çfarë do të thotë konsultë midis presidentit dhe parlamentit për emërimin e gjykatësve të Gjykatës së Lartë. Unë do të vazhdoj të respektoj të drejtën kushtetuese, përderisa ligjvënësi do të vendosë të ndryshojë kushtetutën”, deklaroi Nishani.