Nishani: Rama i lumturi nëse shkel ligin, mendësi totalitare

430
Sigal

TIRANE – Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka reaguar pas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama, lidhur me pakënaqësinë e këtij të fundit ndaj institucionit të Presidentit, KLD dhe Prokurorisë. Përmes një komunikate për shtyp, Presidenti Nishani i ka cilësuar këto deklarata të pavend dhe të paargumentuara, duke shprehur kështu edhe mospajtimin sipas tij me këtë standard të kulturës politike dhe komunikimit ndërinstitucional. Sipas Nishanit kryeministri Rama e sheh lumturinë duke cënuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit, duke shtuar se kjo është një dëshirë totalitare dhe absolutiste. “Aspirata për lumturi është një e drejtë legjitime e çdo qytetari të Republikës  tonë e po kaq është e tillë edhe për Kryeministrin e vendit dhe anëtarët e qeverisë së tij. Por nëqoftëse këtë dëshirë të hershme e universale  të humanizmit  Kryeministri e sheh të  projektuar në horizont  duke cënuar Kushtetutën e vendit,  institucionet e pavarura si dhe duke ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj Presidentit të Republikës, atëherë kjo është një dëshirë totalitare dhe absolutiste.” thuhet në komunikatën për shtyp të Nishanit. Nishani thekson më tej se “Shqipëria është ndarë njëherë e përgjithmonë nga  mendësi të tilla”. Të hënën e 14 korrikut, gjatë prezantimit të punës së bërë në 300 ditët e para nga kabineti i qeverisë, kryeministri Rama shprehu pakënaqësinë e tij ndaj institucioneve të Presidentit, KLD dhe Prokurorisë.