Nishani pret kryeparlamentarin slloven: Bashkëpunimi ekonomik të jetë në nivelin e atij politik

500
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim të veçantë Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë, Milan Brglez, i cili ndodhet në Shqipëri për një vizitë zyrtare.
Presidenti Nishani përshëndeti vizitën e Kryeparlamentarit slloven Brglez në Tiranë si shprehje e interesit të madh që ekziston mes dy vendeve për t’i forcuar e zgjeruar më tej marrëdhëniet miqësore e të bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushat me interes dypalësh, rajonal apo shumëpalësh.
Kreu i Shtetit, duke kujtuar takimin e ngrohtë e miqësor të tetorit 2014 me Kryeparlamentarin Brglez, gjatë vizitës zyrtare në Slloveni, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira e miqësore mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Sllovenisë si dhe shprehu mirënjohjen e shqiptarëve për mbështetjen e vyer që Sllovenia i ka dhënë, veçanërisht në procesin e integrimit evropian. Gjithashtu, Presidenti përshëndeti rolin dhe angazhimin e Sllovenisë për mbështetjen e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor përmes inkurajimit të bashkëpunimit rajonal.
Presidenti Nishani e siguroi Kryeparlamentarin slloven për politikën e konsoliduar rajonale të bashkëjetesës, dialogut dhe zhvillimit si dhe për vendosmërinë e Shqipërisë për të ecur përpara në rrugën e reformave që do t’i mundësojnë vendit hapjen e negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian, si dhe shprehu besimin gjithashtu se mbështetja, ndihma dhe ekspertiza sllovene nuk do të mungojnë.
Presidenti i Republikës vlerësoi gjithashtu se niveli i bashkëpunimit ekonomik mbetet ende larg atij të bashkëpunimit politik dhe për këtë sugjeroi ndërmarrjen e hapave konkrete nga institucionet e të dy vendeve për përgatitjen e koncepteve dhe platformave bashkëpunuese si dhe nxitjen kontakteve mes bizneseve dhe rritjen e shkëmbimit të informacioneve mbi potencialet që të dy vendet kanë në këtë kuadër. “Besoj shumë se, bazuar në mundësitë dhe burimet që dy vendet tona kanë, por edhe ato në nivel rajonal, bashkëpunimi ekonomik do t’i jepte një mundësi më shumë bashkëpunimit, zhvillimit dhe begatisë e rajonit.” – u shpreh Kreu i Shtetit.
Të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe në zhvillimet aktuale në rajon, mbështetjen nga të dy vendet të politikës së dyerve të hapura të NATO-s, sfidat e krijuara nga kriza e paprecedent e flukseve migratore me të cilën Evropa dhe disa vende të rajonit po përballen, përfshirë dhe Slloveninë, si dhe kërcënimet nga ekstremizmi dhe terrorizmi ndërkombëtar dhe ISIS, përballimi i të cilit kërkon vendosmëri, bashkëpunim dhe koordinim.
Sigal