Nishani pret Komisionerin për Migracionin: Të bashkëpunojmë për fluksin e refugjatëve

530
Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka pritur sot në Presidencë, Komisionierin e BE për Migracionin, z. Dimitris Avramopoulos, me të cilin ka trajtuar në veçanti, problemin e refugjatëve. Nishani nënvizoi “domosdoshmërinë e një bashkëpunimi, asistence dhe bashkëveprimi të njehsuar nën ombrellën evropiane për trajtimin e flukseve migratore që lëvizin nëpërmjet Korridorit Ballkanik.” Presidenti përcolli vlerësimet për bashkëpunimin dhe mbështetjen që Komisioni Evropian po i ofron Shqipërisë në të gjitha drejtimet dhe e siguroi se shqiptarët kanë zgjedhur Bashkimin Evropian si të vetmen alternativë për të ardhmen e tyre. Duke u ndalur tek flukset migratore që po përdorin Korridorin Ballkanik për të hyrë në Evropë, Kreu i Shtetit vuri në dukje se si Shqipëria ashtu edhe të gjitha vendet e Ballkanit dhe Evropës e kanë pjesë të historisë së tyre fenomenin e emigracionit. 

Presidenti Nishani theksoi se beson tek zgjidhja burimore e këtij problemi, duke mos iu shmangur gjithashtu angazhimit si vend me perspektivë të qartë evropiane për t’u bërë pjesë e një zgjidhjeje evropiane për krizën aktuale. Duke qenë solidarë si me dhimbjen njerëzore që ka nxitur flukset migratore ashtu edhe me barrën e rëndë ekonomike dhe sociale që Bashkimit Evropian dhe rajonit tonë u duhet të përballin në këtë sfidë, Presidenti Nishani evidentoi si shumë të rëndësishëm adresimin e të dy dimensioneve të kësaj çështjeje, atë humanitar dhe aspektin e sigurisë. Në përfundim, Nishani nënvizoi domosdoshmërinë e një bashkëpunimi, asistence dhe bashkëveprimi të njehsuar nën ombrellën evropiane për trajtimin e flukseve migratore që lëvizin nëpërmjet Korridorit Ballkanik.
Sigal