Nishani premton përparësi publike e institucionale kundër dhunës ndaj grave

388
Sigal

TIRANE – Dhuna ndaj grave është një çështje e cila do të ndiqet me përparësi publike dhe institucionale. Kështu ka deklaruar Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i cili priti sot në një takim një grup përfaqësues të “Aleancës së Grave Deputete” për t’u konsultuar e diskutuar lidhur me nismën e tyre për një aksion kombëtar kundër dhunës me bazë gjinore. Takimi është organizuar menjëherë pas prezantimit që Aleanca ka bërë dje për masat e propozuara në luftën kundër dhunës ndaj grave.

Doda: “Duam sensibilizim të opinionit publik, dhe zbatimin e ligjit”
 
Kryetarja e AGD-së, Mesila Doda falënderoi Presidentin për mbështetjen e menjëhershme ndaj apelit dhe aksionit të nisur nga AGD-ja, në sensibilizimin institucional dhe shoqëror kundër dhunës me bazë gjinore.
Të alarmuara nga rritja e numrit të krimeve ndaj grave, dhe dhunës në familje në përgjithësi, AGD synon së pari sensibilizimin e të gjithë opinionit publik, dhe së dyti një monitorim më të rreptë ndaj zbatimit të ligjit nga institucionet përgjegjëse.
Në këtë kontekst, ajo vlerësoi se angazhimi i Presidentit të Republikës, padyshim i shërben ngritjes së kësaj çështjeje në nivel edhe më të lartë dhe të merituar.

Nishani: “Çështje që do të ndiqet me përparësi publike dhe institucionale”

Presidenti Nishani e vlerësoi si shumë të rëndësishëm zhvillimin e këtij takim, për një temë kaq sensitive për të gjithë shoqërinë shqiptare, duke theksuar se gjendja aktuale është e patolerueshme, kërkon një angazhim të palodhur dhe një axhendë të plotë e dinamike veprimi institucional dhe shoqëror. Kreu i shtetit premtoi se do ta trajtojë me përparësi publikisht dhe institucionalisht këtë çështje, përfshirë në cilësinë e tij si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Po ashtu Presidenti njoftoi se ka kërkuar takim të posaçëm me Prokurorin e Përgjithshëm pikërisht për këtë temë, si dhe faktin se do të verë menjëherë në lëvizje edhe më dinamike KLD-në për inspektimin tematik të Gjykatave për vitet 2013-2014, në trajtimin e çështjeve të dhunës në familje dhe mbi bazë gjinore.


Hafizi: “Bashkëpunimi i Aleancës me Presidentin do ti japë dimensionin e duhur sfidës ndaj dhunës së grave”
 
Deputetja socialiste Mimoza Hafizi theksoi se AGD-ja është një aleancë gjithë-partiake, e cila ka në fokus rritjen e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe jetën publike, fuqizimin ekonomik të grave, dhe trajtimin e të gjithë problematikave që gratë ndeshin në jetën e tyre të përditshme. Deputetja vlerësoi si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin e AGD-së me Presidentin e Republikës për t’i dhënë dimensionin e duhur e të munguar kësaj sfide të vërtetë me të cilën përballet shoqëria shqiptare.

Bregu: “Dhuna ndaj grave duhet trajtuar si çështje e të drejtave të njeriut”
 
Nismëtarja e kësaj çështjeje dhe njëkohësisht deputetja demokrate Majlinda Bregu, duke vlerësuar edhe një herë angazhimin e Presidentit dhe thirrjen e këtij takimi konsultues, theksoi se çështja e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje duhet parë domosdoshmërisht si çështje e të drejtave të njeriut, dhe si e tillë është një nga pesë kushtet prioritare të vendosura nga Komisioni Evropian për avancimin e mëtejshëm të Shqipërisë në procesin e saj të integrimit. “Ky proces nuk duhet parë i ndarë në gjini, por si një sfidë që u përket të gjithëve, qoftë grave qoftë burrave, si pjese e pandashme e një cikli që riprodhon pasoja zinxhir në shoqëri.” – tha Bregu.  
 
Biseda më tej u zhvillua mbi diskutimin e masave e aktiviteteve konkrete të propozuara nga Presidenti i Republikës dhe Deputetet e AGD-së, për të cilat u ra dakord se do të ndiqen në mënyrë të koordinuar, bashkë me aktorë të tjerë, për të qenë sa më efikas në këtë sfidë që ka përballë shoqëria shqiptare.