Mosrespektimi i Kushtetutës dhe shkelje të ligjit të komandimit zinxhir të Forcave të Armatosura.
“Gjatë tri viteve nuk ka raportuar as edhe një herë të vetme te Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura (Bujar Nishani) dhe nuk ka dërguar asnjë informacion të vetëm apo realizuar një konsultë për dokumentet, planet e përhapjes, strukturat dhe FA-të”, janë disa nga arsyet përse Presidenti Nishani e ka refuzuar propozimin e Kryeministrit Rama për t’i dhënë një mandat të dytë gjeneralmajor Jeronim Bazos.
Gjithashtu, sipas Presidentit, “Shefi i Shtabit ka nxjerrë jashtë përdorimit nga Forcat e Armatosura me qindra prona, pa marrë miratimin e Komandantit të Përgjithshëm të FAve, detyrim që e la në fuqi edhe Gjykata Kushtetuese pas ankimimit që iu bë ndryshimeve në ligjin për zinxhirin komandues të FA-ve”, sqaron në arsyetimin e tij kreu i shtetit.
Mandati trevjeçar i Jeronim Bazes ka skaduar më 7 nëntor, ndërkohë që kërkesa e Kryeministrit Rama për një mandat të dytë për gjeneralmajorin mësohet të ketë mbërritur disa ditë më pas.
LIGJI
Në përmbushje të detyrimit të tij kushtetues, Presidenti Nishani, me propozim të Kryeministrit, dekretoi më 7 nëntor 2013 emërimin e gjeneralmajor Jeronim Bazos në detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Më herët, kreu i shtetit pranoi kërkesën për dorëheqje të gjeneralmajor Xhemal Gjunkshit, i cili deri në nëntor 2013 mbajti detyrën e shefit të Shtabit të FA-ve. Në bazë të pikës 5, të nenit 15 të ligjit për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të FA-ve, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura shërben për një periudhë prej tre vjetësh, me të drejtë riemërimi vetëm për një mandat tjetër.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura është autoriteti më i lartë ushtarak në gradë dhe në hierarkinë e drejtimit e të komandimit strategjik në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.