Nishani në Ditën e Falënderimeve: Sot festa më domethënëse, kur vlerat e njerëzimt janë të kërcënuara

432
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani organizoi në Pallatin e Brigadave një veprimtari festive me rastin e Ditës së Falënderimeve ku ishin të pranishëm Ambasadori Donald Lu, qytetarë amerikanë që jetojnë dhe punojnë në vendin tonë, miq e të ftuar shqiptarë mes të cilëve edhe mjaft ish-të përndjekur politikë.
Në fjalën përshëndetëse mbajtur me këtë rast, Presidenti Nishani u shprehu të pranishmëve në emër të popullit shqiptar mirënjohjen dhe admirimin për kombin e madh amerikan. “Është e vërtetë që Dita e Falënderimeve të sjell menjëherë në mendje një festë tipike dhe tradicionale amerikane, por tashmë ajo nuk i përket vetëm Amerikës dhe popullit të saj: Dita kur të gjithë njerëzit, të cilët besojnë në një botë më të mirë i falen Zotit duke i shprehur mirënjohjen pa kufi e pa kushte, është ndërkombëtarizuar aq shumë, saqë edhe ne në Shqipëri e festojmë me po aq dëshirë dhe përkushtim të dlirët sa edhe ju, sepse kjo është një festë thelbësisht njerëzore në radhë të parë, që u përket të gjithë atyre që përpara se të hanë vaktin e radhës, i falen të Plotfuqishmit për gjithçka që u ka dhuruar, edhe për bukën e përditshme.” – u shpreh më tej Kreu i Shtetit.
Presidenti u ndal në partneritetin më tepër se sa një shekullor, që nis me mbrojtjen dhe përkrahjen e Presidentit Thomas Woodroë Wilson për pavarësinë e Shqipërisë si dhe mbrojtjen e integritetit territorial të saj.
“Shqipëria i konsideron Shtetet e Bashkuara një mik të vyer dhe një partner strategjik për interesat e saj kombëtare dhe në saje të ndihmesës dhe mbështetjes shumëvjeçare e të pandërprerë amerikane si dhe të vendeve të tjera partnere Shqipëria është sot anëtare krenare dhe e denjë e NATO-s dhe një vend kandidat me meritë për në Bashkimin Evropian. Ne jemi pamasë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme e të pandërprerë dhënë nga qeveritë dhe populli amerikan, duke qenë të ndërgjegjshëm se pa këtë ndihmë të çmuar, Shqipëria nuk do të kishte arritur përparimin e deritanishëm.” – nënvizoi Kreu i Shtetit.
Më pas Presidenti Nishani u ndal në marrëdhëniet dypalëshe mes vendeve në reformat e vazhdueshme për forcimin dhe konsolidimin e gjyqësorit dhe arritjen e drejtësisë së paanshme e të pavarur, si dhe për demokratizimin e mëtejshëm të jetës politike dhe shoqërinë civile, si dhe vuri në dukje lidhjet e qëndrueshme dhe partneriteti aktiv në kuadër të sigurisë dhe angazhimeve të përbashkëta ndërkombëtare. “Shqipëria ka qenë që në fillim pjesë e koalicionit kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe forcat tona ushtarake kanë shkëlqyer dhe janë dalluar kudo ku kanë shërbyer në misionet paqeruajtëse krah për krah me sivëllezërit e tyre amerikanë. Aq më shumë rëndësi ka kjo festë në ditët e sotme, kur vlerat e kulluara të njerëzimit janë seriozisht të kërcënuara e të sulmuara nga aktet barbare dhe terroriste, që kanë goditur popuj dhe vende të ndryshme vetëm e vetëm se ata i luten dhe i falen Zotit tonë të përbashkët në gjuhë dhe mënyrë të ndryshme.” – theksoi Presidenti.
Në mbyllje të fjalës së tij, Kreu i Shtetit vuri në dukje se “kjo festë na shërben edhe për t’u shkundur nga mospërfillja e përditshme dhe për t’u kujtuar se në botë, në Amerikë, në Shqipëri, në çdo cep të rruzullit ka edhe njerëz me më pak fat se ne: të sëmurë, të vuajtur, të varfër, të pamundur, të braktisur, të përndjekur, të uritur e pothuajse të harruar në mjerimin, të cilët kanë nevojë për dorën e ngrohtë dhe përkujdesjen e gjithsecilit prej nesh”.
Ndërsa Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Donald Lu, në përshëndetjen e tij vuri në dukje mes të tjerash se: “Ne jemi mirënjohës për mikpritjen e ngrohtë të Presidentit Nishani dhe Zonjës së Parë si dhe për miqësinë e sinqertë të ofruar nga popullit shqiptar. Le të shërbejë kjo Ditë Falënderimesh për të na kujtuar të gjithëve se sa shumë gjëra kemi për t’u shprehur mirënjohjen tonë!”.
Sigal