Nishani në ceremoninë e 100 -vjetorit të Luftës Parë Botërore

44

BELGJIKË:-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani, me ftesë të Mbretit Filip të Belgjikës, kanë marrë pjesë ditën e djeshme në ceremoninë përkujtimore me rastin e fillimit të Luftës së Parë Botërore në Liezh, njëqind vite pasi Britania e Madhe i shpalli luftë Gjermanisë, e cila sulmoi Belgjikën neutrale. Pas urimit të mirëseardhjes nga Mbreti Filip dhe Mbretëresha Matilda e Belgjikës në Bazën Ushtarake “Saint Laurent”, në Liezh, për Presidentin Nishani dhe Zonjën e Parë, Presidentin e Francës François Hollande, Presidentin e Gjermanisë Joachim Gauck, Dukën e Kembrixhit Princin Vvilliam, Mbretin Felipe VI të Spanjës, Presidentët e Austrisë, Armenisë, Bullgarisë, Rumanisë, Serbisë, Malit të Zi, Irlandës, krerët e qeverive dhe autoritetet shtetërore e ushtarake, ceremonia vazhdoi me vendosjen e kurorës duke u respektuar edhe një minutë heshtje nga të pranishmit, të pasuar nga të shtëna topash për nder të miliona të rënëve në Luftën e Madhe, fjalimet e rastit, si dhe shfaqja e fëmijëve me temë “Lufta dhe Paqja”. Gjatë kësaj ceremonie përkujtimore, në fund të së cilës u ekzekutuan edhe himnet e Europës së Bashkuar dhe të Mbretërisë së Belgjikës dhe pas saj, në Pallatin e Peshkopëve Princa, Presidenti Nishani pati rastin të takohet dhe të bisedojë me Mbretin Filip të Belgjikës, me Kryeministrin belg Elio Di Rupo, me krerë shtetesh dhe qeverish, me Guvernatorin e Provincës së Liezhit, Michel Foret me Presidentin e Komisionit Europian, José Manuel Barroso si dhe me personalitetet e tjera të larta të pranishme