Nishani në Bullgari: T’u japim më shumë mundësi bizneseve

471
Presidenti Bujar Nishani ka marrë pjesë në Forumin e Përbashkët të Biznesit Shqipëri-Bullgari, shoqëruar nga homologu i tij bullgar, Rosen Plevnieliev. Gjatë fjalës së tij, Nishani ka kërkuar t’i jepet më shumë mundësi bizneseve mes dy vendeve për të përshkallëzuar kontaktet dhe gjeneruar më shumë bashkëpunim ekonomik dhe tregtar. Presidenti ka vënë në dukje se takimet në Bullgari konfirmuan marrëdhëniet shumë të mira dhe tradicionalisht miqësore e historike. “Vetëm një vit më parë ne kremtuam 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe sot pas 101 vjetësh konstatojmë me kënaqësi se mes nesh nuk ka probleme”, ka thënë Nishani. Megjithatë, Presidenti është shprehur se duhet bërë më shumë për të shfrytëzuar maksimalisht të gjitha kapacitetet dhe mundësitë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve. “Mendoj se ne si politikanë, Qeveritë e të dy vendeve, por edhe të gjitha institucionet përkatëse, duhet të bëjmë më shumë për të krijuar një ambient miqësor biznesi e t’iu japim ju dhe të gjithë përfaqësuesve të biznesit së të dy vendeve, por jo vetëm, garancitë dhe lehtësirat e nevojshme, si dhe të mbështesim aktivitetet tuaja të përbashkëta”, ka theksuar Nishani. Në mbyllje të fjalës së tij, duke siguruar për mbështetjen e fuqishme, Presidenti Nishani ka pohuar edhe njëherë se “është në interesin e përbashkët të dy vendeve tona, por edhe rajonit të Evropës Juglindore ku bëjmë pjesë, nxitja e mëtejshme e bashkëpunimit në frymën e miqësisë dhe interesit të ndërsjellë, ku bashkëpunimi ekonomiko-tregtar mbetet një prej komponentëve kryesore”.
Sigal