Nishani me sekretarin francez të Shtetit, Désir‏: Kyçe, reforma në drejtësi

449
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot dhe zhvilloi një takim të veçantë me Sekretarin francez të Shtetit për Çështjet Evropiane, Harlem Désir, i cili po kryen një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Presidenti i Republikës shprehu falënderimet dhe mirënjohjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve për miqësinë, ndihmën dhe partneritetin e veçantë që Franca ka ofruar për vendin tonë, duke theksuar se: “Edhe në periudhat më të vështira të diktaturës komuniste, Franca ka qenë një simbol inkurajimi për shqiptarët dhe mbajtjes gjallë të ëndrrës së lirisë”.
Kreu i Shtetit i shprehu Sekretarit Désir edhe urimet për 14 Korrikun, Ditën Kombëtare të Francës, duke vlerësuar marrëdhëniet miqësore dhe të bashkëpunimit shumëdimensional të krijuar veçanërisht gjatë 25 viteve të fundit.
Duke u ndalur në procesin e integrimit evropian, presidenti Nishani shprehu falënderimet për mbështetjen që Franca dhe Presidenti Hollande personalisht i dhanë Shqipërisë për marrjen e statusit të Vendit Kandidat në Bashkimin Evropian dhe shtoi se: “Shqipëria është tërësisht e fokusuar në procesin e integrimit evropian, si projekti kryesor dhe më i madhi për vendin. Integrimi evropian është alternativa jonë e vetme, për të cilën shqiptarët nuk do të ndalen dhe nuk do të lodhen asnjëherë deri në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian”.
Kreu i Shtetit e vlerësoi si tentativë për të ikur nga debati i vërtetë i procesit, fokusimin tek debati për lodhjen e Bashkimit Evropian nga zgjerimi, duke theksuar se: “Është shumë e rëndësishme që të fokusohemi tek realizimi i reformave”.
Presidenti i Nishani theksoi gjithashtu se marrja e këtij statusi ka shërbyer si mesazh inkurajues për të ecur më me vendosmëri në rrugën e reformave. Kreu i Shtetit u ndal në sfidat e shumta që ka procesi i integrimit evropian të vendit, si dhe në domosdoshmërinë e kryerjes së reformave të thella në të gjitha fushat e rëndësishme.
Një theks të veçantë, Presidenti Nishani e vuri në domosdoshmërinë e kryerjes së reformave institucionale, zbatimit të ligjit dhe forcimit të shtetit të shtetit ligjor. Kreu i Shtetit theksoi se: “Reforma në drejtësi është reforma kyçe dhe ajo duhet të jetë e thellë, serioze dhe premtuese, pasi lidhet ngushtë me hapat dhe progresin e reformave të tjera”.
Nga ana e tij Sekretari francez i Shtetit, Désir përcolli përshëndetjet e përzemërta të Presidentit francez François Hollande për Presidentin Nishani dhe konfirmoi mbështetjen e tij dhe të Francës në kuadrin e procesit të integrimit evropian të vendit. Zoti Désir vlerësoi progresin e deritanishëm të Shqipërisë, por theksoi edhe nevojën për të demonstruar përparim në reformën në fushën e drejtësisë dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sipas zotit Désir: “Vetëm kështu, do të mund të realizohet hapja e negociatave të anëtarësimit në Bashkimit Evropian”.
Duke u ndalur në mundësitë e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve Presidenti i Republikës theksoi se: “Me gjithë se në bashkëpunimit tonë dypalësh në këtë fushë, ka disa histori suksesi, ato janë ende shumë larg potencialeve dhe burimeve reale që ekzistojnë”. Zoti Désir nga ana e tij, vlerësoi si të nevojshme ndërtimin e klimës së besimit për investitorët francezë, përmes kryerjes së reformave dhe efikasitetit në luftën kundër korrupsionit.
Të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe në zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku Presidenti Nishani e siguroi zyrtarin francez se: “Shqipëria është shumë e angazhuar për bashkëpunimin rajonal, duke besuar tërësisht tek fqinjësia e mirë, bashkëpunimi, respekti i ndërsjellë dhe dialogu i hapur mes vendeve të rajonit”. Kreu i Shtetit shqiptar theksoi gjithashtu edhe nevojën për mbështetjen nga Bashkimi Evropian të projekteve rajonale zhvillimore, për të cilat Sekretari i Shtetit, Harlem Désir vlerësoi se duhen shfrytëzuar të gjitha mundësitë e krijuara nga Konferenca e Berlinit, Procesi i Brdo-Brijunit, si dhe vëmendjes së vendeve të veçanta si Franca dhe Gjermania, e të tjera, për të bindur Bashkimin Evropian në financimin e tyre.
Zoti Désir konfirmoi se Franca, në vijim të procesit të Berlinit, do të organizojë në vitin e ardhshëm, më 2016-n, një konferencë të ngjashme për të mbajtur në qendër të vëmendjes së Bashkimit Evropian zhvillimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe financimin e projekteve rajonale zhvillimore. Sipas tij, mbështetja e financiare e projekteve rajonale jep shpresë për të gjitha vendet e rajonit dhe qytetarët e tyre.
Sigal