Nishani: Mali i Zi në NATO, kontribut në sigurinë e rajonit

472
Presidenti Bujar Nishani mori pjesë në festimet e Ditës së Komunës së Ulqinit. Në selinë e Komunës, Nishani zhvilloi edhe një takim me Presidentin e Malit të Zi Filip Vujanovic ku diskutuan për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe mbi rëndësinë e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, që i shërben jo vetëm qytetarëve por edhe sigurisë së rajonit.

Presidenti Bujar Nishani gjatë një takimi që zhvilloi me homologun malazez Filip Vujanoviç, me rastin e Ditës së Komunës së Ulqinit, theksoi se anëtarësimi në aleancën politiko-ushtarake të Atlantikut të Veriut jo vetëm u shërben dhe rrit sigurinë e qytetarëve malazezë, por është një kontribut në të mirë të sigurisë së mbarë rajonit.

Pas takimit, Nishani tha për mediat se i kishte shprehur presidentit Vujanoviç vlerësimet për respektin me të cilin trajtohen shqiptarët e Malit të Zi.

Nishani: I shpreha Presidentit Vujanoviç vlerësimet e mia më të mira për respektin që autoritetet, shteti i Malit të Zi u adreson shqiptarëve në Malin e Zi. Jam i bindur gjithashtu se shqiptarët e Malit të Zi, si deri më tani, do të vazhdojnë të jenë kontribues të rëndësishëm të shtetit e vendit të tyre dhe duke e adresuar Malin e Zi në të gjitha proceset e integrimit euro-atlantik. Njëkohësisht gjej rastin të falënderoj shqiptarët në Mal të Zi për përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme që vazhdojnë të bëjnë për të ruajtur vlerat e trashëgimisë dhe identitetit të tyre kombëtar.

Nga ana e tij Vujanoviç e falënderoi Presidentin Nishani për ndihmën e çmuar dhë mbështetjen për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Ndërkohë, Presidenti Nishani mori pjesë edhe në seancën solemne të Kuvendit Komunal të Ulqinit të mbajtur në Qendrën për Kulturën, ku ishin të pranishëm edhe Kryetari i Komunës Nazif Cungu, Ministra të qeverisë së Malit të Zi dhe nga Kosova, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik.
Sigal