Nishani: Largohem kryelartë nga drejtimi i shtetit

67
Vetëm pak orë përpara dorëzimit të detyrës, Presidenti i Republikës publikon mesazhin e tij të fundit
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, publikoi mesazhin e tij të fundit si drejtues i shtetit shqiptar, vetëm pak orë para përfundimit të mandatit të tij. Në mesazh, ai shprehet kryelartë për faktin se gjatë gjithë 5 viteve ka përballuar “përgjegjësinë e rëndë të kryerjes së detyrës së besuar pa neglizhuar asnjë vështirësi, pa u epur përpara asnjë sulmi, pa u lëkundur para asnjë iniciative, pa u penduar para asnjë vendimi”. “Nuk bëmë heroizma si nëpër epe dhe balada. U munduam të jemi realistë. Puna dhe kontributet tona ishin thjesht punë dhe kontribut njerëzish të përkushtuar. Përtej zhurmave, apo si e thotë Populli, përtej zilkave që pengojnë të dëgjohen këmborët, punuam sa mundëm dhe ia arritëm të ndihemi kryelartë që nuk ecëm mbrapsht, as qëndruam në vend, por përparuam”, shprehet Nishani. 

Më 24 korrik, Bujar Nishani do t’ia dorëzojë drejtimin e shtetit Ilir Metës, pas betimit të tij në Kuvend. 
Mesazhi i plotë
“Zonja dhe zotërinj,
Të dashur bashkëqytetarë të mi!
U bënë pesë vjet prej kur kryej detyrën e lartë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Pas pak largohem për t’ia lënë vendin të zgjedhurit tjetër.
Lejomëni, të dashur dhe të nderuar bashkatdhetarë, me rastin e largimit nga kjo detyrë të ndaj me Ju disa konsiderata.
Ishte nder i lartë për mua të jem Presidenti Juaj, të punoj për Ju, dhe të mirëkuptohem prej Jush.
Dëshiroj të falënderoj, së pari me këtë rast, ata që gjatë ushtrimit të detyrës së lartë i kam pasur më afër: Familjen time, bashkëshorten dhe fëmijët e mi.
Faleminderit për mirëkuptimin e gjithçkaje, Odeta, Ersi dhe Fiona!

Falënderoj ndihmësit e mi për këshillat dhe kontributet e vyera që më kanë dhënë, si dhe krejt personelin e Institucionit të Presidentit që ka kryer punën më voluminoze, atë punë që nuk duket në përditshmëri, por ekziston, dhe për t’u kryer kërkon profesionalizëm, përkushtim, lodhje, sakrifica.

Falënderoj publikun e gjerë!
Gjithkënd që në një mënyrë, ose një tjetër me Presidentin dhe me Institucionin e Presidentit ka pasur të bëjë dhe është mirëkuptuar, pra qytetarët e shumtë që i duan të mirën vendit të tyre, ata me të cilët, ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, por në distancë, kemi gjetur gjuhën e përbashkët duke ndarë pikëpamjet dhe koordinuar aksionet në të mirë të fateve të Kombit.

Nëse, siç është e natyrshme, më pyesni se si ndihem në këtë moment largimi, kam këtë përgjigje: Si pas çdo pune, i kënaqur. Si pas çdo kënaqësie, i lumtur. Por sidomos Kryelartë për faktin se gjatë gjithë kësaj kohe kam ndier dhe përballuar përgjegjësinë e rëndë të kryerjes së detyrës së besuar pa neglizhuar asnjë vështirësi, pa u epur përpara asnjë sulmi, pa u lëkundur para asnjë iniciative, pa u penduar para asnjë vendimi. Ndoshta ka gjëra që mund të ishin bërë më mirë. Por përsosmëria nuk ka fund. Nuk bëmë heroizma si nëpër epe dhe balada. U munduam të jemi realistë. Puna dhe kontributet tona ishin thjesht punë dhe kontribut njerëzish të përkushtuar. Përtej zhurmave, apo si e thotë Populli, përtej zilkave që pengojnë të dëgjohen këmborët, punuam sa mundëm dhe ia arritëm të ndihemi kryelartë që nuk ecëm mbrapsht, as qëndruam në vend, por përparuam. Mes asaj që gjetëm dhe asaj që lamë, bëmë diferencë. Jo diferencë subjektive. Diferencë pozitive të konstatueshme, të dukshme, të matshme. Me siguri jo aq sa do dëshironim, por diku më tepër e diku më pak, përparuam në të gjitha aspektet. Padyshim që mbetet shumë për të bërë, për të ndrequr, për të përmirësuar. Nuk mund të bënim përjashtim nga rregulli i progresit njerëzor që me të drejtë kërkon gjithmonë e më tepër, ëndërron gjithmonë e më shumë. Si Shqipëri dhe shqiptarë nuk mund të mos përfillnim të kaluarën problematike prej nga erdhëm. Mbi të gjitha për të mos e harruar atë zezonë që kaluam për gati pesë dekada. Unë dhe bashkëpunëtorët e mi, të bashkërenduar me institucionet e tjera, kemi bërë jo pak dhe ia kemi arritur ta ruajmë dhe lartësojmë Presidencën si institucion që rrezaton dinjitet kombëtar, seriozitet profesional, përgjegjësi qytetare. Kemi bërë sa kemi mundur gjithashtu lidhur me qëndrim besnik dhe respektim rigoroz të përcaktimeve kushtetuese në përgjithësi dhe ndaj çdo rasti në veçanti.

Kujdesi ynë kryesor, përqendrimi ynë më i madh, ajo që na ka preokupuar së tepërmi dhe ndaj së cilës jemi treguar më të vëmendshëm, është mbështetja e institucioneve të pavarura si garante të kolonave mbajtëse të Shtetit në shërbim të qytetarit.

Kemi pasur komunikim të pandërprerë dhe të drejtpërdrejtë me qytetarët shqiptarë. Jo vetëm në Shqipëri. Kudo ku ata ndodhen. Në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Preshevë, Arbëreshët në Kalabri, dhe në përgjithësi në Diasporë.

Kemi arritur të kemi një përfaqësim dinjitoz në arenën ndërkombëtare në të gjitha aspektet.

Kemi bërë aktivitete në ndihmë të fëmijëve në nevojë dhe të sëmurë. Jo si shpëtimtarë. Si faktor ndihme që ata të ndihen sa më mirë.

Vendi ynë ka energji njerëzore të pafundme që presin të shpërthejnë. Që shpresat e shqiptarëve për më mirë dhe më shumë të mos mbeten diçka abstrakte, kemi bërë kujdes të afrojmë dhe bashkojmë vullnetet e veçanta në ndihmë të arritjes së qëllimeve më të gjera. Pritshmëritë kurrë nuk shteren plotësisht. Aspiratat kurrë nuk plotësohen të gjitha. Shpresat kurrë nuk realizohen tërësisht. E rëndësishme është të mos ndalemi së punuari që për t’i plotësuar sa mundemi.

Nuk është mirë të jemi pesimistë.
Shqipëria është vendi i pritshmërive të mundshme dhe i aspiratave të realizueshme, për më tepër ekonomi, më tepër të drejta, më tepër Liri.
Nder i madh për mua që i vlejta popullit tim.
Faleminderit që më dhatë rastin t’ju shërbej!

E them me përunjësinë më të madhe se nuk bëra kushedi se çfarë. Thjesht i shërbeva vendit tim. Atij vendi, si e thotë aq bukur Lasgushi i madh, ku: ‘Më pat lindur dheri i Zotit’ dhe ‘Bëra punën e njeriut’.

Faleminderit!”