Nishani-Lammert: Shqipëria kontribut për paqen dhe stabilitetin e rajonit

511
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, gjatë vizitës në Berlin, u takua edhe me Presidentin e Bundestagut të Gjermanisë, zotin Norbert Lammert. Nishani shprehu vlerësimin për mbështetjen e gjithanshme që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, por në mënyrë të veçantë evidentoi mbështetjen që Presidenti Lamert personalisht dhe deputetët gjermanë i kanë dhënë procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Duke u ndalur në procesin e integrimin evropian të vendit, Presidenti Nishani theksoi se “pavarësisht sfidave për përmbushjen e standardeve të kërkuara, jemi shumë të vendosur që ta çojmë përpara këtë proces, pasi për Shqipërinë nuk ka asnjë alternativë tjetër, përveç anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. Jemi shumë të vendosur të çojmë përpara reformat kyçe, veçanërisht atë të drejtësisë dhe të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu ekspertët gjermanë në kuadrin e Misionit EURALIUS, të cilët kanë dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm për reformën në fushën e drejtësisë.
Nga ana e tij, Presidenti i Bundestagut Lammert theksoi se është shumë e rëndësishme që Shqipëria e ka shprehur vendosmërinë e saj për të qenë në mënyrë të padiskutueshme e orientuar drejt BE-së, por duhet të jetë e qartë për të gjithë se ky është një proces që do të marrë kohën e vet, pasi duhen të përmbushen standardet dhe kriteret e nevojshme. “Sa më shpejt të përmbushen këto parakushte, aq më shpejt vendi do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Ne nuk dëshirojmë të përsërisim gabimet e kryera më parë. Anëtarësimi pa përmbushur kushtet do ta bënte të pamundur bashkëjetesën në familjen evropiane” u shpreh zoti Lammert.
Gjithashtu, Presidenti i Bundestagut Lammert vlerësoi harmoninë, mirëkuptimin dhe tolerancën fetare, si element shumë pozitiv që spikat në imazhin e Shqipërisë, që bie në kontrast me rivalitetin shumë të fortë politik mes palëve. “Ajo që ne gjermanët kemi mësuar nga historia jonë është që në politikë nuk jemi vetëm të konkurrojmë me njëri-tjetrin, por edhe për të bërë kompromise.”
Presidenti Nishani bashkëbisedoi me Presidentin e Bundestagut Lammert edhe për zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e siguruar bashkëbiseduesin gjerman se Shqipëria do të vijojë të japë kontributin e saj në të mirë, të paqes dhe stabilitetit te rajonit, si dhe forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të këtij rajoni. “Ndryshe nga një dekadë më parë, kur rajoni ishte i zhytur në konflikte të armatosura, sot rajoni i Ballkanit Perëndimor shihet si një rajon i mundësive.” – vuri në dukje Kreu i Shtetit.
Sigal