Nishani: Krenari për Shqipërinë shpallja Kardinal e Dom Ernest Troshanit

434
Sigal

Gazeta Telegraf/

Presidenti Bujar
Nishani ka uruar Dom Ernest Troshanin, i cili u shpall Kardinal nga Papa
Francesku ditën e djeshme. Përmes një mesazhi, kreu i shtetit thekson se ky është
një moment krenarie për popullin shqiptar si dhe ka shprehur mirënjohjen ndaj
Atit të Shenjtë për vendimin e tij. Mesazhi i Presidentit Nishani: “Hirësia
Juaj, Dom Ernesti. Lajmi i shpalljes suaj Kardinal nga Papa Françesku më gëzoi
pamasë, duke më mbushur njëkohësisht me krenari të parrëfyer që një
bashkatdhetar i yni u lartësua në hierarkinë e Kishës Katolike nga vetë Ati i
Shenjtë, duke ju njohur vuajtjet, përkushtimin dhe përdëllimin tuaj besnik ndaj
të Plotfuqishmit. Në cilësinë e Kreut të Shtetit dhe në emër të gjithë
qytetarëve shqiptarë ju shpreh urimet më të sinqerta e të përzemërta, duke ju
dëshiruar njëkohësisht suksese në përmbushjen e detyrës suaj hyjnore! Më lejoni
gjithashtu të vlerësoj këtë gjest të mirëmenduar e të gjetur nga Ati i Shenjtë,
si dhe t’ju përgëzoj për këtë kurorëzim të merituar të sakrificave dhe
vuajtjeve tuaja në emër të besimit, që nuk u lëkund aspak dhe asnjëherë edhe
gjatë dekadave të tmerrshme të diktaturës komuniste, e cila arriti deri aty sa
ta shpallte Shqipërinë të vetmin vend ateist në botë. Ju uroj shëndet dhe Zoti
ju dhëntë sa më tepër forcë e besim në përmbushje të detyrës suaj të shenjtë!”