Nishani: Edhe ndaj meje kanë shpifur, por burgosja e gazetarit cënon lirinë

39
TIRANE – Presidenti i Republikës Bujar Nishani shprehet kundër nismës së qeverisë për të dënuar me burg shpifjen. Përmes një njoftimi për shtyp të shpërndarë nga zyra e shtypit pranë Presidentit, thuhet se kreu i shtetit e gjykon kufizim të lirisë dhe cenim të standardeve demokratike të arritura në 25 vjet burgosjen e gazetarëve për shpifje.
Nishani thotë se është bërë shpesh herë pre e shpifjes në postet politike që ka mbajtur, si ministër madje dhe tashmë si president, por thotë se dënimi i gazetarit është burgosje e lirisë së fjalës dhe goditje e demokracisë.
“Befasues për mua si qytetar i këtij vendi, por edhe si President i Republikës u shfaq projektligji i qeverisë që kërkon rikthimin e burgimit për gazetarët me pretendimin e luftës ndaj shpifjes. Personalisht një akt të tillë e shoh me preokupim dhe shqetësim. E gjykoj kufizim të lirisë së shprehjes dhe cënim të standarteve demokratike të arritura deri më tash me kontributin e të gjitha paleve politike në vend. Sigurisht, shpifja është një gjest i ulët kudo dhe kurdo e sidomos kur përdoret mirëfilli për qëllime politike ajo shfaq gjithë shëmtinë e saj. Jo pak herë si politikan, si ministër, si President i Republikës kam qënë dhe vazhdoj të jem objekt i tyre, por kam besuar dhe vazhdoj të besoj se burgosja e një gazetari është burgosje jo vetëm e fjalës, por e vetë lirisë, është goditje e sistemit demokratik, papajtueshmëri me të”, thuhet në reagimin e Nishanit.
Sipas tij, me fjalën mund të abuzohet dhe çdo abuzim është i kritikueshëm, por me ndrydhjen e saj mund të abuzohet shumë më tepër.
“Ndërmjet frikës për t’u shprehur dhe liriëë së shprehjes unë do të bëj çdo ditë të punës sime betejën për këtë të fundit. Jam i bindur se shqiptarët të cilët 25 vjet më parë, në dhjetor, me protestat e studentëve vranë frikën për të fituar lirinë e fjalës nuk do t’ja dorëzojnë askujt liritë e fituara. Nuk do ta burgosin fjalën në emër të frikës, por frikën për fjalën”, vijon më tej reagimi i kreut të shtetit.
Kete reagim kreu i shtetit e ka postuar edhe n faqen zyrtare ne Facebook dhe e ka shoqeruar me kete foto.