Nishani dërgon në Kushtetuese ndryshimet në ligjin për KLD

83

TIRANË – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka dërguar sot në Gjykatë Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e ndryshimeve që bëhen në ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Dorëzimi i kërkesë së Nishanit bëhet pas rrëzimit më 1 Shtator nga mazhoranca të dekretit ku ai kërkonte kthimin e ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8811, datë 17.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar. Sipas Presidentit ndryshimet që bëhen në ligj janë të papajtueshëm me Kushtetutën. Me anë të kësaj kërkese, Presidenti Nishani kërkon gjithashtu pezullimin e dispozitave të këtij ligji deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese si dhe i kërkon kësaj trupe që t’i drejtohet Komisionit të Venecias në mënyrë që të japë një opinion të specializuar në lidhje me ligjin në fjalë, referuar objektit të ankimit.