Nishani dekreton Sokol Ngresin e Elona Stavrin te Gjykata e Lartë

514
Sigal

Presidenti i Republikës ka dekretuar dy emra për anëtarë të Gjykatës së Lartë, duke plotësuar kështu vakancat në këtë institucion. Ata janë Sokol Ngresi dhe Elona Stavri (Toro). Nishani ka arsyetuar vendimin e tij për të zgjedhur Sokol Ngresin në këtë post, duke u shprehur se ka vlerësuar eksperiencën dhe vjetërsinë e tij në punë.

“Me dekretin nr. 8682, datë 18 gusht 2014, vendosa të dekretoj emërimin e zotit Sokol Ngresi, si anëtar të Gjykatës së Lartë, pas realizimit të një procesi të rregullt ligjor të përzgjedhjes së kandidaturave për anëtar. Konkretisht, bazuar në përcaktimet kushtetuese, dhe ligjin Nr. 8588, Datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe Vendimin Nr. 40, datë 07.07.2014 të Gjykatës Kushtetuese, realizuam procesin e shpalljes së kandidaturave mbi bazën e të cilave së bashku me kryetarët e grupeve parlamentare në Kuvend, mbështetur në nenin 4/1 të këtij ligji zhvilluam raundin e konsultimeve për përcaktimin e kritereve konkrete, në respekt të kërkesës kushtetuese për kualifikim të lartë, përbërje cilësore dhe të përshtatshme të Gjykatës së Lartë. Në përfundim të këtij procesi, ndërmjet konkurruesve vlerësova përvojën dhe vjetërsinë në profesion të kandidatit Sokol Ngresi, i cili është jurist me një eksperiencë rreth 20 vjeçare ndër të cilat ka ushtruar detyrën e gjyqtarit shkallës së parë, gjyqtarit të apelit dhe ndihmësit ligjor të anëtarit të Gjykatës së Lartë”, arsyeton Presidenti. Ndërsa në lidhje me emrin tjetër që propozon si anëtare e Gjykatës së Lartë, Elona Stavri (Toro) Nishani shprehet se ka vlerësuar eksperiencën mbi 20 vjeçare që ajo ka. “Me dekretin nr. 8683, datë 18 gusht 2014, vendosa të dekretoj emërimin e zonjës Elona Stavri (Toro), si anëtare të Gjykatës së Lartë, pas realizimit të një procesi të rregullt ligjor e të konsoliduar të përzgjedhjes së kandidaturave për anëtar. Konkretisht, bazuar në përcaktimet kushtetuese, dhe ligjin Nr. 8588, Datë 15.3.2000.