Nishani dekreton 2 emrat për Gjykatën e Lartë

437
Sigal

TIRANË – Presidenti Bujar Nishani ka dekretuar edhe 2 emrat për vendet vakante në Gjykatën e Lartë. Markelian Koça dhe Fuat Vjerdha, janë emrat që janë dekretuar nga Presidenti i Republikës si anëtarë në Gjykatën e Lartë, të cilët duhet që të marrin edhe miratimin e Parlamentit para se të nisin detyrën.

Përmes njoftimit në faqen zyrtare të Presidencës bëhet me dije se dy kandidaturat u zgjodhën pas realizimit të një procesi të rregullt ligjor e të konsoliduar. Koça dhe Vjerdha kanë qenë pjesë e listës së 37 emrave që ka propozuar Presidenti Nishani në 22 dhjetor 2014-s për 2 vendet vakante në Gjykatën e Lartë.

Megjithatë dekretet e Presidentit priten të rrëzohen nga mazhoranca e kjo për shkak se ligjvënësit e majtë kërkojnë që kandidaturat të përzgjidhen fillimisht përmes një këshilli të posaçëm pranë presidencës, e më pas Presidenti të dekretojë emrat. Mënyrë kjo që përcaktohet në ndryshimin e ligjit për Gjykatën e Lartë, por që Presidenti nuk e dekretoi duke e kthyer edhe njëherë për rishqyrtim në Kuvend.

Dy vendet vakante në Gjykatën e Lartë u krijuan me hyrjen në fuqi më 1 Tetor të këtij viti të ligjit për disa ndryshime në Gjykatën e Lartë. Sipas ligjit të vjetër, Gjykata e Lartë kishte 17 anëtarë, ndërsa me ndryshimet parashikohet edhe hapja e dy vendeve të reja për anëtarë në këtë gjykatë. Zyra e Presidentit të Republikës prej datës 10 tetor shpalli nisjen e procedurës për plotësimin e dy vendeve vakante, por kandidaturat e Presidenti janë rrëzuar nga mazhoranca kur kanë kaluar për votim në Kuvend.
 
Nishani i ka vlerësuar zgjedhjet e tij batuar në eksperiencën e dy kandidaturave.

Arsyetimi i Nishanit për dekretit për emërimin e Markelian Koça si anëtar i Gjykatës së Lartë
Me dekretin nr. 8897, datë 16 Janar 2015, vendosa të dekretoj emërimin e zotit Markelian Koça, si anëtar të Gjykatës së Lartë, pas realizimit të një procesi të rregullt ligjor e të konsoliduar të përzgjedhjes së kandidaturave për anëtar.
 
Konkretisht, bazuar në përcaktimet kushtetuese, dhe ligjin Nr. 8588, Datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe Vendimin Nr. 40, datë 07.07.2014 të Gjykatës Kushtetuese, realizuam procesin e shpalljes së kandidaturave mbi bazën e të cilave kërkuam dhe mendimin e  kryetarëve të grupeve parlamentare në Kuvend, për përcaktimin e kritereve konkrete, në respekt të kërkesës kushtetuese për kualifikim të lartë, përbërje cilësore dhe të përshtatshme të Gjykatës së Lartë.
 
Në përfundim të këtij procesi, ndërmjet konkurruesve vlerësova përvojën dhe vjetërsinë në profesion të konkurrentit Markelian Koça, i cili është jurist me një eksperiencë rreth 20-vjeçare ndër të cilat ka ushtruar detyrën e ndihmës gjyqtarit shkallës së parë, për rreth 5 vjet, si dhe detyrën e gjyqtarit shkallës së parë, për mbi 14 vjet.
 
Me besim se do të kem mirëkuptimin dhe pëlqimin Tuaj për emërimin e  zotit Markelian Koça,  si anëtar të Gjykatës së Lartë,

Arsyetimi i Nishanit për dekretit për emërimin e Fuat Vjerdhës si anëtar i Gjykatës së Lartë 
Me dekretin nr. 8898, datë 16 Janar 2015, vendosa të dekretoj emërimin e zotit Fuat Vjerdha, si anëtar të Gjykatës së Lartë, pas realizimit të një procesi të rregullt ligjor e të konsoliduar të përzgjedhjes së kandidaturave për anëtar.
 
Konkretisht, bazuar në përcaktimet kushtetuese, dhe ligjin Nr. 8588, Datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe Vendimin Nr. 40, datë 07.07.2014 të Gjykatës Kushtetuese, realizuam procesin e shpalljes së kandidaturave mbi bazën e të cilave kërkuam dhe mendimin e  kryetarëve të grupeve parlamentare në Kuvend, për përcaktimin e kritereve konkrete, në respekt të kërkesës kushtetuese për kualifikim të lartë, përbërje cilësore dhe të përshtatshme të Gjykatës së Lartë.
 
Në përfundim të këtij procesi, ndërmjet konkurruesve vlerësova përvojën dhe vjetërsinë në profesion të konkurrentit Fuat Vjerdha, i cili është jurist me një eksperiencë mbi 20-vjeçare ndër të cilat ka ushtruar detyrën e ndihmës gjyqtarit shkallës së parë, detyrën e gjyqtarit shkallës së parë, për mbi 11 vjet, dhe detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit për rreth 10 vjet, nga të cilat 4 vjet si Kryetar.
 
Me besim se do të kem mirëkuptimin dhe pëlqimin Tuaj për emërimin e zotit Fuat Vjerdha, si anëtar të Gjykatës së Lartë.