Nishani-Danielsson: Kryefjalë për reformat vetëm gjithëpërfshirja

408
Sigal

TIRANE – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Christian Danielsson. Fokusi kryesor i takimit të Nishanit me Danielsson ishte përfshirja e të gjitha palëve politike për të bërë të mundur realizimin e reformave si dhe plotësimin e pesë prioriteteve që BE i ka vënë Shqipërisë për anëtarësim.

Presidenti vlerësoi angazhimin e Bashkimit Evropian, përfshirë Komisionin dhe Parlamentin Evropian, të cilët po bëjnë përpjekje që Shqipëria të shënojë progres jo vetëm në përmbushjen e 5 prioriteteve, por edhe për konsolidimin e parimeve dhe standardeve demokratike dhe evropiane. Kreu i shtetit theksoi se kryefjala e suksesit të reformave në vend është gjithëpërfshirja, jo thjesht dhe vetëm në optikën e ngushtë partiake, por duke përfshirë ekspertizën më të mirë vendase dhe evropiane. Në këtë kontekst, Presidenti Nishani vuri në dukje vizitën që zhvilloi së fundmi Presidenti i Komisionit të Venecias në Tiranë, duke siguruar për angazhim maksimal në realizimin e reformës në drejtësi. 

​Danielsson: Gjitheperfshirja, kyce per reformen ne drejtesi
Danielsson vlerësoi rolin e Presidentit të Republikës, i cili së bashku me deputetët e Parlamentit Evropian arritën të sjellin palët politike së bashku, dhe në këtë kontekst theksoi se gjithëpërfshirja është kyçe për realizimin e reformave, veçanërisht asaj që të gjithë konsiderojmë prioritare, reformën në drejtësi. Danielsson u shpreh se Komisioni Evropian do të vazhdojë të investohet në Shqipëri, dhe se 5 prioritetet janë plotësisht të qarta, por fokusi duhet të zgjerohet edhe përtej, duke sjellë si shqetësim klimën e biznesit në vend, si dhe çështjen e pronësisë.

Takimi i radhës dhe përgatitjet që po bëhen për Dialogun e Nivelit të Lartë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian ishte pika tjetër në të cilën dy krerët u ndalën. Presidenti Nishani u shpreh se do të mbështesë fort krijimin e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, me shpresën se ky do të jetë rezultat i bashkë dakordësisë të të gjitha palëve për adoptimin e modelit më të suksesshëm dhe në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë.